13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Kim Mehmeti: Burrat shqiptarë mbijetuan mbi shpinën e gruas

Më të lexuarat

Romani “Pusi” i Kim Mehmetit i sapo dalë në librari nga Mapoedition, sjell një vështrim ndryshe të mënyrës sesi gruaja shqiptare ka një rol të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen e shqipes, por dhe identitetit. Në një video të bërë publike, në një bisedë me Alda Bardhylin, Mehmeti shprehet se “Shqiptaria ka mbijetuar mbi shpinën e gruas shqiptare. Më së miri, unë mund ta dëshmoj te ne shqiptarët e Maqedonisë”.

Kim Mehmeti është këtë vit dhe kryetari i Jurisë së çmimit Kadare. A mund të jetë letërsia një mënyrë kritike ndaj mënyrës se si ne po e shohim atë “pusin” tonë të së shkuarës? Nëse e sheh nga këndvështrimi individual, atëherë njeriu është pus kujtimesh dhe shkallë shpresash, gjatë tërë jetës së vet, ai vetëm e thellon pusin e kujtimeve dhe shkurton shkallët e shpresës, aq sa një ditë i mbetet vetëm pusi dhe mbetet në pus.

Po edhe nga këndvështrimi i kolektivitetit, gjërat janë të atilla dhe neve nëse vëreni, shpesh na ndodh diçka e çuditshme, flasim për entitetin, po për entitet të ri kosovar, entitet të këtillë apo entitet të atillë, në të vërtetë ne harrojmë diçka se pusi më i thellë i të gjithë kohërave nuk është as Shqipëria, as Kosova, por është Shqiptaria, d.m.th. Shqiptaria i ka lindur Shqipërinë dhe Kosovën andaj ne duhet t’i përkushtohemi.

Duhet t’i përkushtohemi kujtimit, vëmendjes së asaj që është e para, që është bazament i çdo gjejë. Në këtë kontekst edhe romani im flet për një familje ku duhet të kujdeset, pra pusi tregon thellësi familjare, thellësinë e kujtesës dhe sa më i thellë është pusi i kujtesës aq më të gjata dhe më të largëta mund të jenë shkallët e shpresave, shkallët nëpërmjet të cilave duhet të ngjiten gjeneratat e reja.

Ne këtë kam përshtypjen që shpesh e harrojmë, prandaj nëse e vëreni te ne shqiptarët kjo shpjegohet në mënyrë shumë më prozaike, ne e para që bëjmë kur trashëgojmë diçka e prishim shtëpinë e prindërve, dhe i marrim gjithë vjetërsinë atij pusi që të sjellim çdo gjë të re nga Italia, nga Perëndimi dhe i hedhim të gjitha edhe unazën e gjyshes, ne e hedhim edhe atë karrige ku është ulur më parë gjyshi. Kudo në botë gjërat më të vlefshme janë këto, jo këto të rejat se të rejën gjithmonë mund ta blesh, ndërsa të kaluarën vetëm mund ta trashëgosh. Nëse nuk e ruan të trashëguarën, ti s’di ta çmosh edhe atë që mund ta blesh vetë.

Maqedonia, ashtu si shumë vende që kanë qenë nën ombrellën e Jugosllavisë, nuk e kanë bërë ende atë procesin e rindërtimit të kujtesës, në fakt komunizmi i gjatë në Shqipëri, ish-ombrella e Jugosllavisë në Kosovë edhe Maqedoni, sa e kanë dëmtuar të shkuarën tonë, historinë tonë. Sa e kanë ndryshuar historinë tonë? Unë jam njeri në moshë dhe fëmijë i socializmit jugosllav dhe unë e di që e para që donin të bëhej ishte shkatërrimi i arsimimit sepse një populli mund t’ia shkatërrosh arsimimin edhe pa përdorur asnjë plumb.

Sipas disa këndvështrimeve më e rëndë është t’ia devalgosh, t’ia prishësh arsimimin sesa t’ia ndalosh, se ti kur ia ndalon ke njerëz të pashkolluar, mirëpo njerëz të paprekur, kur ia devalgon, kur ia prish ti krijon të shkolluar të paditur dhe e dyta që donte të bënte ai sistem, donte të bënte ndarjen mes neve shqiptarëve atje dhe shqiptarëve këtu, me atë që neve na thirrnin Shqiptari dhe këtu Albanski, dhe e kanë bërë, për shembull në librezën time të punës shënohet redacia etnike shqiptar, d.m.th. bënin të ketë distinkcion, të mos jetë e njëjtë, pra të bënin prej një populli dy popuj, dhe mua prandaj më irriton pse në atë kohë ne jemi përballur me këtë lojë, kur ishim edhe të paarsimuar, e kur dëgjoj sot të flitet për identitet të këtillë apo të atillë them si është e mundur në këtë kohë, njeriu të bie në grackën e kësaj loje.

Ne mund të kemi edhe 10 shtete po ne jemi një popull, ne mund të kemi edhe 5 shtete po kemi një flamur shqiptar, ne kemi mund të s’di sa qendra kulturore, po ne kemi një Tiranë ku fillon e gjitha dhe mbyllet e gjitha, që nuk i adreson të tjerat, përkundrazi, edhe të tjerat e ushqejnë këtë. Kështu që ka shumëcka që mua si Kim, edhe pse nuk unë nuk jam ndonjë nacional-romantik, folklorik i tipit si Shqiptaria, jo, por ne duhet të përballemi me fatin tonë. Jemi shqiptarë dhe duhet ndershëm të përballemi me të, jemi shqiptarë dhe duhet ta çojmë përpara.

Është folur për një identitet të ndryshueshëm të shqiptarëve, kritikat për një rritje të islamizmit në Kosovë apo Maqedoni… kanë folur për një identitet të ndryshueshëm të shqiptarëve? Nëse shkoni në Shkodër, shqiptari i Shkodrës ka specifikat e veta po nuk është popull tjetër, shkoni në Sarandë ka specifika të tjera, ju ndjeni atë rrezatimin e Greqisë brenda por janë shqiptar.

Nëse vini në Maqedoni, është një mjedis shqiptar ku religjioni ka luajtur një rol të rëndësishëm sepse nuk ka pasur arsimim dhe ajo që neve na ka bërë të dallueshëm nga tjetri ka qenë gjuha dhe religjioni. Dikur shkonim në Kosovë, e donim atë dialektin që është kosovar po popujt e mençur bëjnë diçka tjetër, i ruajnë këto dallime dhe i kultivojnë sepse ajo megalomia është e bukur. Kopshti është i bukur kur i ka të gjitha lulet dhe ajo gjë dallohet në romanin tim kur aty thuhet, vuan pse nuk s’i ka të gjitha lulet dhe bukuria e një populli është kjo.

Ju a e dini se te populli kroat për shembull është rritur në rrafshin e gjuhës letrare, dhe neve ajo na trishton se nuk dimë ta kultivojmë. Normalisht çdo fshat i ka tiparet e veta, unë në Maqedoni, për shembull e dalloj dibranin sa e takoj, në të folur, në sjellje, janë pjesa më e arsimuar e Shqiptarisë në Maqedoni, unë tetovarin e dalloj përnjëherë dhe nuk mund të bëjmë aq fjalor sa kemi nëpër fshatra dhe nuk mund të bëjmë aq popuj sa kemi në rajon.

Një nga pyetjet që e bën natyrshëm çdo lexues ose do t’ia bëjë natyrshëm çdo lexuesi që do lexojë romanin tuaj “Pusi”, është pyetja për nënën. Duke imagjinuar nënën tënde kam imagjinuar nënën time, por do doja ta shtroja më tej këtë pyetje në mënyrën se si historia jonë shqiptare, kam parasysh trekëndëshin Shqipëri – Kosovë – Maqedoni, mënyrën se si historia është sjellë me femrat, kemi shumë femra të padukshme, por shumë të forta në histori.

A ka ndryshuar kjo qasje? Ka qenë dhe mendoj se ende është që Shqiptaria ka mbijetuar mbi shpinën e gruas shqiptare. Më së miri, unë mund ta dëshmoj te ne shqiptarët e Maqedonisë. Nënat tona, ato analfabete, të cilat jetonin të mbyllura në katër mure, e ruajtën gjuhën shqipe. Nëna ime nuk mundi të flasë asnjë fjalë maqedonase. Ndërsa me burrat ndodhi e kundërta, ngaqë u duhej të mbijetonin, të ruanin familjen. Ne burrat shpeshherë jemi bërë të ngjashëm me ata për të mbijetuar.

Kam një adhurim të veçantë ndaj gruas, posaçërisht ndaj gruas në Maqedoni, e cila edhe kur vinte polici te dera, ajo dilte që ta shpëtojë burrin duke thënë që nuk është këtu dhe polici nuk guxonte të hynte. Më shumë policia atje kishte frikë nga gratë sesa nga burrat sepse të bëje diçka ndaj gruas shqiptare nuk falej. Dua të them, normalisht njeriu s’duhet të shkojë në përgjithësime, por gruaja ishte ajo që i ruante fëmijët edhe kur burri shkon në kurbet, siç është edhe sot edhe në Shqipëri. E di atë fenomen të çuditshëm që burri e lë gruan dhe fëmijët në Shqipëri dhe vet shkon.

Andej, unë shpesh e them, në Shqipëri nëse ju i dëgjoni dhe këto emisionet ku del një fëmijë dhe thotë që unë e dua shumë mamin se mami më ka rritur, thuajse dalëngadalë babi mbetet diku aty në periferi të djalit. Pra, shkurt, Shqiptaria sipas meje boshtin e vet deri tani e ka pas të mbështetur te gruaja, te nëna shqiptare dhe ato kanë qenë dhe do mbeten heroinat e vetme. Ju jeni këtu edhe si kryetar i jurisë i edicionit të katërt të “Çmimit Kadare”.

Do doja të flisnim pak për këtë përvojë edhe mbi nevojën tonë për të pasur sa më shumë konkurse apo ngjarje të tjera letrare? Unë e kam ndjekur këtë konkurs prej fillimit, prej themelimit, e di që këtu dorëzohen dorëshkrime, unë ndonjëherë në tallje them që nuk jam njeri që marr çmime, por jam njeri që marr pjesë te grupet që ndajnë çmime. Jam anëtar edhe i jurisë “Veton Surroi”, për mua është nder të jem pjesë e kësaj jurie.

Është mirë që të ketë konkurse të tilla sepse në njëfarë mënyre, çdo juri, çdo çmim është një peshore, të jep orientimin ç ‘është e vlefshme në fund të fundit si lexues. Dua të përsëris pak atë që tha edhe Henri Cili. Mua më shqetëson fakti që tek ne nisin konkurse dhe për dy tre vjet zhduken. Ne duhet të ndërtojmë diçka që të jetë e përjetshme, që ta shohim tek rritet e na lidh me gjeneratën që vjen.

Jo vetëm sa për sy e faqe të ndajmë disa çmime dhe pastaj ky konkurs nuk ekziston. Prandaj dëshiroj që ky konkurs i rëndësishëm të jetë jetëgjatë, pasi çmimi ka dhe një emër të çmuar dhe do ishte e pandershme dhe turp të ndërpritej. Dua që ky çmim të mbetet edhe pas Kimit, që kur ta lexojnë njerëzit çmimin të kuptojnë edhe kush ka qenë nëpër juri, d.m.th. të ketë vazhdimësi pasi kalaja ndërtohet gur-gur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit