14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

KFOR-i Turk rinovon shkollën fillore “Naim Frashëri” në Vushtrri

Më të lexuarat

VUSHTRRI (AA) – Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) organizoi një ceremoni ku u bë përurimi i ndërtesës së rinovuar të shkollës fillore “Naim Frashëri” në Komunën e Vushtrrisë, raporton Anadolu Agency (AA).

KFOR-i Turk me projektin e mirëmbajtjes, riparimit dhe izolimit të jashtëm të objektit ka bërë rregullimin në tërë objektin dhe vendosjen e dritareve dhe dyerve të jashtëm të objektit si dhe vendosjen e rrjetit, suvatimin dhe izolimin termik të pjesës së jashtme të shkollës.

Rinovimi i cili është bërë në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Ushtarak-Civil të KROF-it Turk në Kosovë është financuar plotësisht nga Qeveria e Republikës së Turqisë. Njëkohësisht, Komuna e Vushtrrisë ka rinovuar dritaret dhe dyert e klasave të shkollës në koordinim me KFOR-in Turk dhe me administratën e kësaj shkolle.

Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç e cila ishte e pranishme në ceremoninë e përurimit tha se ndjehet shumë e lumtur që është finalizuar edhe një projekt nga KFOR-i Turk i cili ka të bëjë me fushën e arsimit.

Ajo u shpreh se investimi në institucionet arsimore mund të konsiderohet si investim për zhvillimin e një shteti mik të Turqisë, siç është Kosova.

“Qëllimi i vetëm i bashkëpunimit të Republikës së Turqisë me institucionet e këtij vendi dhe me miqtë tanë kosovarë është që ky shtet mik i yni të ketë një të ardhme të ndritshme. Unë besoj se nxënësit të cilët do përfundojnë shkollimin në këtë shkollë me kushte tashmë të përmirësuara do ta krijojnë një të ardhme të mirë për këtë vend”, tha ambasadorja e Turqisë.

Komandati i KFOR-it Turk, koloneli Cem Sinan Barım, tha se përmirësimi i kushteve në arsim dhe në shëndetësi kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin e Kosovës.

“Ne kur kemi filluar me këtë projekt nuk e kemi menduar kontributin e Komunës së Vushtrrisë por kemi krenarinë e veçantë që projekti u realizua së bashku me ta. Shpresoj që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Planifikojmë që në një të ardhme të afërt të përmbushim disa nevoja të tjera të vogla të kësaj shkolle me një projekt të ri. Duke patur parasysh se kjo shkollë është aktive që nga viti 1973 shpresojë që do të vazhdojë t’i arsimojë fëmijët edhe shumë vite”, tha Barım.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, theksoi se kanë patur kënaqësinë që bashkë me miqtë nga Turqia të promovojnë një projekt të përbashkët që ka për synim përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në qytetin e tij.

“Sot kemi Ushtrinë Turke që ka ndihmuar në rinovimin e kësaj shkolle dhe kjo tregon që Kosova ka një të ardhme të sigurtë sepse ka miq të mirë në të cilët mund të llogaritë në cdo kohë”, u shpreh Tahiri.

Ceremonia vazhdoi me një program të përgatitur nga nxënësit e shkollës fillore ‘Naim Frashëri’, ku kënduan këngë dhe recituan poezi të ndryshme ndër tjerash edhe Himnin e Turqisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit