11.5 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

KFOR-i neutral, por i gatshëm për zgjedhjet serbe

Më të lexuarat

Pjesëtarët e KFOR-it do të jenë neutralë kundruall zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe në të njëjtën kohë do të jenë në gjendje gatishmërie për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt në gjithë territorin e vendit, ka bërë të ditur të mërkurën komandanti i këtyre trupave, gjenerali gjerman Erhard Drews. Sipas tij, në pjesën dërrmuese të vendit në ditët në vijim përgjegjës për sigurinë do të jenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ndërkohë që KFOR-i do të ofrojë mbështetjen e duhur atje ku është e nevojshme.

“KFOR-i do të veprojë me dy parime. Parimi i parë është se as nuk do të jetë mbështetës i zgjedhjeve e as nuk do të jetë pengues i zgjedhjeve, por do të jemi neutralë në aspektin e zgjedhjeve. Ndërsa sa i përket parimit të dytë, ne do të jemi në gjendje gatishmërie dhe do të përqendrohemi që ta mbajmë një situatë të qetë dhe të sigurt, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Kosovës kanoset rreziku për situatën e sigurisë dhe pavarësisht nga ajo se kush do të jetë shkaktar i përshkallëzimit të situatës. Por po ashtu dëshiroj të potencoj se në bazë të gjitha informatave që kemi gjendja e sigurisë në pjesën dërrmuese të vendit do të sigurohet nga forcat policore dhe duhet të kemi besim të plotë”, ka thënë Drews, pas takimit me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja. Paraprakisht ai ka takuar përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, të Kishës Katolike dhe të Kishës Ortodokse Serbe, duke çmuar kontributin e tyre për tolerancë jo vetëm etnike por edhe fetare.

Gjatë paraqitjes para medieve ai ka përkujtuar se aktualisht përgjegjësinë për sigurinë në vend e kanë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përderisa “KFOR-i qëndron si shtyllë shtesë, si garant, për rrethanat në të cilat organet e tjera të rendit nuk mund t’ia dalin” dhe sipas tij kjo vlen si për pjesën veriore të vendit ashtu edhe për atë jugore.

Në këtë drejtim Drews ka pohuar se përkrahje do të japin edhe trupat shtesë, që tashmë janë stacionuar në Kosovë dhe janë në gjendje gatishmërie për të vepruar atje ku ka nevojë. Gjenerali gjerman ka pranuar se do të ishte e logjikshme që në rrethanat aktuale të Kosovës ato trupa të vendosen në pjesën veriore, por ka theksuar se “këto trupa do të jenë të përqendruara në pjesën jugore dhe qendrore të Kosovës”.

“Pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për pjesën veriore apo jugore, KFOR-i do të përkujdeset në përgjithësi për një ambient të qetë dhe të sigurt”, ka shtuar Drews.

Për shkak të situatës në prag të zgjedhjeve serbe, KFOR-i gjatë ditëve të fundit është përforcuar me 700 ushtarë gjermanë dhe austriakë. /koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit