10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Këputja nga vapa dhe goditja nga dielli, shenjat si t’i dalloni

Më të lexuarat

Pranvera Kola – Dita

E ndërsa sinoptikanët lajmërojnë një tjetër rritje temperaturash, veçanërisht gjatë dy ditëve në vijim, bluzat e bardha të shëndetit publik bëjnë thirrje që të tregohet kujdes ndaj ekspozimit në diell dhe temperaturat e larta.

Sipas tyre, ditët e fundit është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve të vegjël dhe moshave të treta të paraqitura në urgjencat e spitaleve me ndërlikime të shpeshta shëndetësore të shkaktuara nga i nxehti.

“Goditjet nga i nxehti ndikojnë në keqësimin e gjendjes psikologjike, pakësim të djersitjes, neveri dhe të përziera, skuqje të lëkurës, frymëmarrje të shpejtë dhe të vështirësuar, rrahje të shpejta zemre, si dhe shfaqjen e dhimbjeve të papritura të kokës”, sqarojnë ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik.

Dy ndër gjendjet prej të cilave duhet të ruheni më shumë janë këputja nga vapa dhe goditja nga dielli. Kjo e fundit në çdo rast përbën edhe një urgjencë mjekësore, për të cilën me patjetër duhet të kërkoni ndihmën e menjëhershme mjekësore.

Shenjat dalluese

Ndërlikimet në shëndet të shkaktuara nga i nxehti nisin me shfaqjen e shenjave të para të këputjes nga vapa. Referuar kësaj gjendjeje, bluzat e bardha thonë se duhet të dyshoni për mbilodhje nga vapa, në rast trupi juaj fillon tё ndiejë vapën në rritje.

Shqetësimet vijojnë me shtimin e djersitjes masive, si dhe rritjes së temperaturës së trupit. Duhet të jeni të kujdesshëm në rastet kur filloni të ndjeni se frymëmarrja juaj bëhet më e shpejtë dhe vështirë, kur keni lëkurë të lagësht në prekje, vuani nga marrje mendsh.

Po ashtu goja është e thatë, keni këputje, dhimbje koke, zbehje të ngjyrës së lëkurës të përziera, pulsi është i dobët dhe i shpejtë, lëkura në prekje është e lagësht dhe e ftohtë, si dhe ndjeni të vjella të papritura. enja të mbilodhje, këputje dhe të vjella.

“Nëse keni apo shikoni një nga këto shenja të përmendura më lart, largohuni menjëherë nga ekspozimi në diell, apo ambientet që janë të nxehta. Personi i cili shfaq simptomat e përmendura, duhet t’i jepen të pijë shumë lëngje të ftohta dhe t’i fshihen djersët me një peshqir, apo bluzë pambuku. Nëse nuk shihni përmirësim të shpejtë pas kësaj duhet të thërrisni ndihmën mjekësore”, sqarojnë ekspertët e shëndetit publik.

Në rast se këputja nga vapa nuk trajtohet në kohë, ju rrezikoni që të përballeni me shenjat e gjendjes tjetër që njihet ndryshe si goditja nga dielli, e cila mund të shoqërohet edhe me pasoja të rënda për jetën. Shenjat dalluese të goditjes nga dielli janë: “Marrje mendsh, temperaturë e lartë e trupit (mbi 39 gradё celsius), dhimbje koke, mungesë djersitjeje, të përziera, pulsi është i shpejtë dhe i fortë, lëkura e kuqe e skuqur, e cila bëhet e nxehtë dhe e thatë (në të prekur).

“Duhet të bëni shumë kujdes në këto raste, pasi goditja nga dielli gjithmonë kërkon vëmendje nga mjeku. Nëse ju shikoni një nga shenjat e mësipërme, largojeni personin nga ekspozimi i mëtejshëm në të nxehtë dhe dërgojeni në qendrën më të afërt shëndetësore, apo telefonojini urgjencës”, vënë në dukje ekspertët e shëndetit publik.

Kategoritë e rriskuara

Sikundër e theksuam edhe më lar, të moshuarit, e veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundjet kronike janë ndër kategoritë më të rrezikuara për t’u përballuar me ndërlikimet e vapës. Por nuk mbeten pas as fëmijët apo kategoritë e tjera të pacientëve.

Si masa parandaluese për të moshuarit këshillohet që: “Mjediset e brendshme të banesës të mbahen në një temperaturë konstante rreth 26°, duhet që të moshuarit të mos dalin nga shtëpia nga ora 11:00-18:00. Gjatë gjithë kohës të konsumojnë lëngje jo shumë të ftohta, si dhe të vishen me veshje me ngjyra të hapura prej lini ose pambuku”.

Disa këshilla për një ushqim sa më të sigurt gjatë verës

Duke qenë se gjatë stinës së verës mikrobet rriten shpejt, ndaj kujdes maksimal duhet të tregohet edhe ndaj ushqimeve që konsumojmë, në mënyrë që të shmangim sëmundje të ndryshme.

Kjo veçanërisht në drejtim të higjienës. Për të parandaluar këto sëmundje, së pari duhet që të mbani sa më të pastër ushqimin. Higjiena nuk ka të bëjë vetëm me larjen e mirë të produkteve që do konsumoni, por edhe të duarve sa herë që merreni me gatimin e tyre. Së dyti duhet të dini se mishin e marinuar kur e nxirrni nga frigoriferi duhet që ta gatuani menjëherë.

Po ashtu edhe enët në të cilat përgatitet mishi duhet të jenë sa më të pastra dhe lara me kujdes para përdorimit. Gatuajeni mishin plotësisht. Këshillohet që të përdorni një termometër për të përcaktuar kohën kur mishi ka arritur temperaturën e duhur të gatimit.

Për mishin e pulës dhe llojeve të tjera të shpendëve kjo temperaturë arrihet në 75 gradë, për hamburgerët dhe qoftet temperatura duhet të jetë 72 gradë, ndërsa për peshkun dhe llojet e tjera të mishit temperatura e gatimit duhet të arrijë deri në 63 gradë. Po ashtu duhet të bëni kujdes që të mos e lini ushqimin jashtë frigoriferit për më shumë se sa 1, ose dy orë.

Shenjat e këputjes nga vapa janë:

Frymëmarrja është e shpejtë dhe e dobët

Marrje mendsh

Goja është e thatë, keni djersitje të tepërt

Këputje dhe dhimbje koke

Zbehje e ngjyrës së lëkurës

Pulsi është i shpejtë dhe i dobët

Lëkura në prekje është e lagësht dhe e ftohtë

Mbilodhje, të vjella, si dhe të përziera

 

Shenjat e goditjes nga dielli janë:  

Marrje mendsh

Temperaturë e lartë e trupit (mbi 39 gradë celsius)

Dhimbje koke

Mungesë djersitje.

Tё përziera

Pulsi i shpejtë dhe i fortë

Lëkurë e kuqe e skuqur e cila është e nxehtë dhe e thatë (në të prekur).

Debulesë e fortë trupore

ISHP: Disa rregulla që ndihmojnë për të mbrojtur shëndetin e të rinjve:

• Mos u largoni nga shtëpia gjatë orëve të nxehta dhe mbroni dritaret nga dielli.

• Pini një deri në dy litra ujë në ditë, lëngje frutash etj.

• Konsumoni ushqime të lehta të ndara në porcione.

• Konsumoni fruta të bollshme dhe perime të freskëta.

• Freskoni dhomat me ventilatorë apo kondicionerë, me temperaturë jo poshtë 25° C.

• Ajrosni makinën që është për një kohë të gjatë në diell, duke hapur dyert dhe vënë

• kondicioner para se të lëvizni me të.

• Përdorni pajisjet e ruajtjes nga dielli dhe mos i lini fëmijët vetëm në makina.

• Bëni banja dhe dushe, por jo nën temperaturat 25° C.

• Ruani ilaçet nga burimet e nxehtësisë dhe rrezet e drejtpërdrejta të diellit.

• Ruani në frigorifer të gjitha ilaçet që kërkojnë temperatura jo më të larta se 25-30° C,

• dhe të gjitha shishet e shurupeve apo ilaçet me pika, të cilat sapo janë hapur.

 Këshilla si duhet të mbrohen moshat mbi 65 vjeç

• Të moshuarit janë më të rrezikuar se grupmoshat e tjera, sa i ekspozimit në diell.

• Çdo njeri duhet të ndjekë disa rregulla bazë në mënyrë që të mbrohet nga vapa.

• Për të ruajtur shëndetin e të moshuarve duhet të kemi mirë parasysh udhëzimet në vijim.

• Vizitoni një pjesëtar të moshuar të familjes apo shok dy herë në ditë gjatë muajve më të nxehtë të verës.

• Këshillojini ata tё jenë në kontakt me komshinjtë apo të kenë telefonin e një të afërmi, pasi izolimi i të moshuarve bën që ata të jenë shumë më tepër të rrezikuar ndaj problemeve shëndetësore, që lidhen me të nxehtin deri me pasojë humbjen e jetës.

• Informojini ata në lidhje me problemet shëndetësore shkak-pasojë të të nxehtit.

• Gjatë orëve të nxehta të ditës, duhet tё qëndrojnë brenda. Nëse është e mundur të rrinë në ambiente me ajër të kondicionuar. Orët më tё nxehta janë nga 11 e mëngjesit deri në 4 pasdite.

• Të vishen sa më lehtë, me bluza të lirshme, të pambukta mundësisht.

• Të pinë sa më shumë lëngje. Nëse temperatura kalon 33 gradë celsius, është mjaft e rëndësishme të pini deri 3 litra lëngje në ditë (uji është më mirë). Për ata të cilët janë mbipeshë apo obezë mund t’u duhet tё pinë dhe më shumë.

• Evitoni konsumin e alkoolit dhe pijeve të gazuara apo që përmbajnë kafeinë, kur temperaturat janë të larta, pasi ato mund të shkaktojnë dehidratim të organizmit.

• Mbajini perdet e mbyllura ose mbyllini grilat, nëse keni të tilla nga mëngjesi deri pasdite vonë për të ndalur mbinxehjen e ambienteve në të cilat qëndroni.

• Kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë, nëse ju përzihet, nisni të villni apo keni ngërç muskulor.

• Përdorni një freskues ajri. Kini parasysh të mos ja drejtoni dritares, pasi kështu ju zhvendosni ajrin e nxehtë të dritares në dhomë, por drejtojeni atë nga dhoma.

• Mundësisht mos gatuani gjatë orëve të nxehta tava në furrë për të evituar mbinxehjen e ambientit ku jetoni.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit