19.5 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

KDI: Në vend të ligjbërjes, në Kuvend bëhen shantazhe

Më të lexuarat

Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një institucion ku çdo ditë e më pak po përfaqësohen interesat e qytetarëve dhe se në të njëjtin organ, në vend të ligjbërjes bëhen shantazhe e linçime, është vlerësuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), të mërkurën. Në prezantimin e një analize për punën gjashtëmujore që KDI-ja ia ka bërë Kuvendit të Kosovës, ka dalë se kjo periudhë kohore është karakterizuar me një dinamikë jo shumë të lartë të implementimit të planit legjislativ të punës së Kuvendit. Në konferencën për medie, të mbajtur nga KDI-ja, drejtori ekzekutiv Ismet Kryeziu ka deklaruar se “në Kuvendin e Kosovës në vend të ligjbërjes bëhen shantazhe e linçime në vend të shkëmbimit të mendimeve shkëmbehen grushtet, në vend të përfaqësimit të qytetarëve bëhet shkelja e vullnetit qytetar dhe në vend të mbikëqyrjes së Qeverisë ai mbikëqyret nga Qeveria”.

Sipas Kryeziut, Kuvendi nuk është duke përfaqësuar interesat e qytetarëve.

“Kuvendi i Kosovës gjithnjë e më tepër po bëhet më pak përfaqësues duke injoruar dhe duke mos përfillur kërkesat dhe rekomandimet e qytetarëve, shoqërisë civile dhe grupeve tjera të interesit për disa nga ligjet tashmë të miratuara në Kuvendin e Kosovës, si: Projektligji për banka, institucionet mikrofinanciare, dhe institucionet financiare jobankare, Projektkodin penal, Projektligjin për fshatin Hoçë e Madhe dhe Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit”, ka kujtuar Kryeziu.

Ai e ka përmendur gjithashtu edhe aspektin e mbikëqyrjes parlamentare kundrejt Qeverisë së Kosovës, e cila sipas Kryeziut e ka shndërruar Kuvendin në institucion pa dinjitet.

“Mosrespektimi i akteve të Kuvendit nga Qeveria e Kosovës e zbeh rolin dhe rëndësinë e këtij institucioni me interpretimin se ato nuk janë të obligueshme, ndaj janë vetëm të karakterit fakultativ (këshillimor), dhe kështu e kanë shndërruar Kuvendin në një institucion pa dinjitet, pa integritet dhe pa pushtet”, është shprehur Kryeziu.

Menaxheri i këtij programi në KDI, Driton Selmanaj, e ka kritikuar Kuvendin siç ka theksuar për shkeljen e procedurave në miratimin e ligjeve.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës me insistimin e Qeverisë së Kosovës jo rrallë herë deri më tani ka shkelur rregullat e procedimit të projektligjeve. Rast eklatant është procedimi i plotësimndryshimit të Projektkodit penal të Kosovës, ende pa hyrë fuqi si dhe Projektligji për plotësim ndryshimin e 21 ligjeve të cilat janë në fuqi në Kosovë”, ka përmendur Selmanaj.

Sipas tij kjo është kundër praktikave juridike të ligjbërjes si dhe shkakton konfuzion dhe vështirësi te qytetarët për mundësinë e qasjes në ligjet të cilat bëhen të plotfuqishme. Me këtë rast Selmanaj ka folur edhe për punën e komisioneve parlamentare, ku sipas KDI-së, komisioni me numrin më të madh të mbledhjeve në këtë periudhë raportuese është Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor me 37 takime, ndërsa komisioni me më së paku mbledhje të mbajtura është Komisioni për Punë të Jashtme me vetëm nëntë takime të mbajtura. Ai e ka cilësuar si shqetësuese mungesën e dëgjimeve publike të cilat sipas tij u mungojnë komisioneve parlamentare.

“Shqetësues për punën e komisioneve mbetet numri jo shumë i madh i dëgjimeve publike dhe neglizhimi i procesit të monitorimit të zbatimit të ligjeve. Nga 16 ligje sa janë paraparë që të monitorohen nga komisionet parlamentare për vitin 2012, deri më tani vetëm tre prej tyre kanë përfunduar së monitoruari”, ka bërë me dije Selmanaj, derisa ka prezantuar punën e komisioneve parlamentare.

Përfaqësuesit e KDI-së gjithashtu e kanë përmendur edhe rastin e fundit të përjashtimit të deputetit Emin Gërbeshi nga AKR-ja, pasi ai kishte iniciuar mocionin për interpelancë të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, e cila mori vendim për taksën e çimentos prej 35 për qind. Këtë veprim, drejtori ekzekutiv, Ismet Kryeziu, e ka cilësuar si mungesë të demokracisë së brendshme partiake e cila po shfaqet në Kuvendin e Kosovës, me hakmarrje të deputetëve të cilët kundërshtojnë dhe mendojnë ndryshe.

“Nuk është habi çka ndodh me partitë politike, sepse Parlamenti i Kosovës dhe niveli i zhvillimit të tij është rezultat i këtyre subjekteve politike të cilat janë të gatshme që ta largojnë një deputet nga radhët e tyre për mendimet e tij që i shpreh në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur Kryeziu. “Ky është hendikep për zhvillimin e demokracisë kosovare, sepse aktorët kryesorë që e zhvillojnë demokracinë janë partitë politike. Nëse te ato mungon demokracia dhe kanë këso qasje ndaj deputetëve atëherë do të kemi institucione të cilat dalin me integritet të dobët dhe institucione servile e deputet servilë, të cilët u përgjigjen strukturave nga partitë politike dhe lidershipit e jo bindjes së tyre dhe elektoratit të cilit i ka votuar”, ka deklaruar Kryeziu.

Sipas tij, partitë politike në vend nuk janë të profilizuara dhe për pasojë Kuvendi i Kosovës ka këtë përbërje.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit