16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Kavaja, “Qyteti Islam i Shqiptarëve”

Më të lexuarat

Rrethi i Kavajësbën pjesë në Qarkun e Tiranës, me një sipërfaqe prej 395 km2 dhe me një popullsi prej 82.921 banorë (2010) të ndarë 38.369 banorë në qytet dhe 44552 banorë në fshat. Nën administrimin e këtij rrethi bëjnë pjesë 2 bashki, Kavaja dhe Rrogozhina, 8 komuna dhe 40 fshatra.

Sa herë që flitet apo dëgjohet diçka rreth qytetit të Kavajës direkt lidhja do bëhet me fenë Islame, pasi është i vetmi vend në Shqipëri ku Islami bie në sy më shumë se në cilindo rreth tjetër, me banorët e saj dashamirës të fesë dhe me praninë e xhamive gjithandej. Nëse dikush kalon në rrethin e Kavajës nuk mund mos vërejë minaret kryelarta që duken në horizont kudo, në çdo skaj të qytetit apo të fshatrave, madje në qytet dhe lagjet periferike (fshatrat rreth Kavajës që pothuajse janë bërë pjesë e qytetit) lartohen mbi 10 minare, që në raport me popullsinë i bie një (1) xhami për rreth 3500 banorë, si në asnjë qytet apo rreth tjetër të Shqipërisë[1].

Kavaja kontaktet me Islamin i ka patur që herët, madje thuhet edhe para osmanëve. Për herë të parë përmendet në dokumentet osmane në vitin 1431 si “Fshati Kavalia”që kishte 16 shtëpi, të gjithë të krishterë, raport i cili do të ndryshonte me rritjen e popullsisë dhe me ardhjen e osmanëve në trojet arbëreshe dhe në shekullin XVI fshati Kavajë kishte rreth 750 banorë pothuajse mbi ½ e tyre ishin myslimanë, por kontaktet me Islamin sipas të dhënave kanë qenë akoma më herët, ndërkohë që në vitet 1561-1562 myslimanët do të bëheshin komunitet (grup i konsiderueshëm) ku për nevojat e tyre është ndërtuar dhe Xhamia e parë në Kavajë.[2] Sipas kronikanit osman EvlijaÇelebiut, Kavaja gjatë viteve 1660-70[3] ishte një qytet i lulëzuar me 400 shtëpi banimi një dhe dy kate, dhe kishte 4 xhami me minare të vogla dhe 4 mesxhide, 2 medrese, 3 shkolla fillore dhe 2 teqe[4]. Dy shekuj më pas, në 1867 Kavaja u bë qendër kazaje, me hane, mullinj, furra, dyqane, punishte zejtarie dhe me një treg të njohur për drithërat. Sipas një statistike turke të vitit 1897, Kavaja kishte 3245 shtëpi, 415 dyqane, 22 magazina, 12 hane, 110 mullinj, 10 furra tjegullash, 1 postë0 xhandarmërie, 1 farmaci, 37 xhami dhe mesxhide, 42 teqe, 1 medrese, 1 shkollë ruzhdie, 10 shkolla fillore, 1 shkolle rume (greke) dhe 4 kisha. Sami Frashëri në “KamusulAlam” në po të njëjtën periudhë kohore na thotë se Kazaja e Kavajës në fund të shek. XIX, kishte 57 fshatra, me popullsi totale rreth 30.000 banorë nga të cilët 5500 banorë kishte vetëm qyteti.[5]

 

Regjistrimet e para të popullsisë të bëra mbas Pavarësisë (1912) nga Perandoria Austro-Hungareze e cila gjatë Luftës së Parë Botërore zotëronte rreth 70% të territorit Shqiptar na jep këto të dhëna mbi Kavajën. Në vitin 1918[6] rezulton se kishte një sipërfaqe prej 365 km2 dhe një popullsi prej 17778 banorë, 16253 prej të cilëve ishin myslimanë, 1525 të krishterë nga ku vetëm 1 katolik, të tjerët ortodoksë, e kthyer në përqindje kjo e dhënë përkthehet në mbi 91% e popullsisë myslimanë dhe më pak se 9 % e popullsisë i përkisnin besimit ortodoks, pasi hebrenj apo ateistë nuk ka në këtë regjistrim. Nga regjistrimi i parë i bërë nga Shtetit Shqiptar në 1923, në rrethin e Kavajës rezulton se kishte 55 fshatra, me 3354 shtëpi, 20159 banorë, prej të cilëve 18015 myslimanë dhe 2144 ortodoksë[7] ku vetëm në qytet banonin mbi 6000 banorë. Regjistrime tjera të popullsisë në Shqipëri janë bërë dhe gjatë viteve ‘30, ku përkatësia fetare për qytetin dhe për mbarë rrethin e Kavajës nuk do të rezultojë me luhatje të madhe, gjithmonë shumicë e theksuar kanë qenë Besimi Islam ku variojnë nga 80-90% e popullsisë të jenë myslimanë (bashkë me sektet islame si halveti, bektashi etj., pasi është e vështirë të bësh një ndarje ngaqë në regjistrimet që janë bërë thjesht janë deklaruar si myslimanë pa specifika të tjera, por normalisht që sunitët janë shumicë dërrmuese ashtu si në mbarë Shqipërinë).
Gjatë periudhës së komunizmit nuk kemi të dhëna të sakta mbi ndarjen fetare të popullsisë për vitet 1945, 1950, 1955, 1960, 1965 edhe pse në këto deklarime ka qenë e shënuar dhe përkatësia fetare, ndërsa në vitet 1967-1989 deklarimi i besimit fetar ishte i ndaluar me ligj. Gjatë 1990-2010 nuk janë bërë regjistrime mbi baza fetare, u deshën dy dekada deri sa të arrihej një gjë e tillë dhe të realizohej vetëm në Censusin e 2011, ku do të bëhej dhe regjistrimi mbi përkatësinë fetare, shumë e kontestuar nga qytetarët gjithashtu dhe nga bashkësitë fetare në Shqipëri, por që nuk janë publikuar sfecifikisht për qytete të caktuar. Ajo që konstatohet nga mbarë zyrtarët dhe opinioni publik mbi përkatësinë fetare të popullit së Kavajës, e shprehur në përqindje, myslimanët vazhdojnë të jenë shumicë, luhatja është nga 75-90% e popullsisë vetëdeklarohen myslimanë, pjesa tjetër ortodoksë, ku në gjithë rrethin janë vetëm 2 fshatra gjithashtu dhe një lagje në qytet, një pjesë fare e vogël mund të jenë dhe të sekteve tjera të krishtera të hapur rishtazi në vitet e fundit, gjithashtu dhe ateistë.

XHAMITË NË KAVAJË 1561-2013[8]

Historiku i Xhamive në Kavajë daton që herët, pikërisht që në periudhën të cilët kavajasit kishin përqafuar Islamin në një numër të konsiderueshëm aq sa kishin nevojë për një xhami. Disa nga xhamitë më të hershme të Kavajës janë:

Xhamia Plakë ose e AliHajdarit, e ndërtuar më 1561-62 e rikonstruktuar në vitin 1811 e cila do të prishej në vitin 1922 për ndërtimin e një rruge, dhe për ta zëvendësuar këtë, institucioni shtetëror i kohës ndërtoi një tjetër xhami të vogël jo shumë larg nga vendi i xhamisë së parë.

Xhamia e Myderrizit, e ndërtuar në vitin 1589, ka funksionuar deri në vitin 1914 më pas u rrënua vetvetiu për mungesë ndërhyrje dhe u shemb, pasi ishte ndërtuar prej guri qerpiçi.

Xhamia e Haxhi Alushit, e ndërtuar më 1625 dhe e rikonstruktuar në 1895. U prish në vitin 1964-65(ose 1967) dhe në të është ndërtuar një pallat në qendër të qytetit.

Xhamia e Kaikut, e ndërtuar më 1652, e rikonstruktuar disa herë gjatë viteve 1752, 1830, 1921,dhe e prishur në vitin 1967.

Xhamia e Dardhës, ndërtuar në vitin 1694 dhe e rrënuar në vitin 1917 për mungesë fondesh për ta rikonstruktuar apo meremetuar.

Xhamia Kubelije 1735/36. Kjo xhami do të ndërtohej pak më vonë nga të tjerat, në kohën kur Islami kishte depërtuar gjerësisht dhe ishte kthyer në shumicë në trojet shqiptare të zotëruara nga Perandoria Osmane, do të ndërtohej në qendër të qytetit aty ku sot është xhamia qendrore, në vitin 1963 do të rikonstruktohet dhe pak vite më vonë në 1967 kjo xhami do të pësonte fatin e hidhur si mbarë xhamitë e tjera në Shqipëri e do të prishej nga komunistët.

Xhamia e Ibrahim Beut, ndërtuar në vitin 1795 në lagjen Zguraj, e rikonstruktuar në vitin 1845. Kjo do të degradohej deri në shkatërrim në 1942 për mungesë rikonstruktimi dhe meremetimi.

Xhamia e Vjetër, e ndërtuar në vitin 1922 si kompensim mbas prishjes së Xhamisë së Parë të ndërtuar në Kavajë që e kemi përmendur më lart. Edhe kjo u prish në vitin 1967.

Këto janë vetëm disa nga xhamitë që Qyteti i Kavajës ka patur gjatë viteve 1561-1967 dhe që ka të dhëna të pakontestueshme për to, pra nga ndërtimi i xhamisë së parë deri në prishjen e dhjetëra xhamive në Kavajë e mbarë Shqipërinë.Por rrethi i Kavajës ka patur shumë e shumë xhami të tjera në fshatra, normalisht të gjitha të dokumentuara, të cilat nuk mund t’i përfshijmë në këtë përshkrim të shkurtër.
Gjatë viteve 1912-1927 në nënprefekturën e Kavajës sipas një studimi janë regjistruar 37 xhami, 100 hoxhallarë, por nuk është çudi që ky numër të jetë fare i vogël në krahasim me numrin real të xhamive që kanë qenë në mbarë rrethin, pasi kjo gjë konstatohet në mbarë Shqipërinë ku numri i xhamive para viteve ‘30 ka qenë shumë më i madh në krahasim me atë që do të ishte mbas këtij viti, pasi që në vitin 1931 do të fillonin të prisheshin shumë xhami si shkak i rrënimit apo mbylljes së tyre ngaqë nuk kishte hoxhallarë që të drejtonin në këto xhami, mbylljes nga vetë shteti, apo prishja e tyre si shkak i hapjes së rrugëve e ndërtimeve të tjera nga ana e shtetit një rast të cilin e kemi përmendur më lart.
Në 1967 kur xhamitë do të shembeshin masivisht, saqë në qytetin e Kavajës dhe mbarë rrethin nuk do të ruhej as edhe një. Nga kujtimet e kohës rezulton se kishte përpjekje për ta kthyer në muze Xhaminë Kubelije dhe t’i dorëzohej Institutit të Monumenteve të Kulturës, por nuk u pranua me preteksin se “Nëse bëhet kjo gjë, atëherë në Kavajë të mos flitet më për luftën kundër fesë”[9] dhe kështu që shkatërrimeve të komunistëve nuk i shpëtoi as kjo xhamai me vlera të mëdha arkitekturore dhe kulturore, pjese e së cilës sot kanë ngelur vetëm kolonat të vendosura para Xhamisë në qendër të qytetit të cilat u transferuan në Durrës dhe u rikthyen sërish në Kavajë mbas rënies së komunizmit.
Kavajasit do të prisnin 25 vjet që të riktheheshin sërish te besimi në Zot, kjo jo se në zemrat e tyre kush shterur besimi por se sistemi i pati ndaluar ta deklarojnë dhe ta praktikojnë besimin e tyre. Kavajasit qenë të dytët që morën nismën për rikthimin e praktikimit të fesë mbas Shkodrës, akoma pa u vendosur mirë demokracia, për herë të parë pikërisht në janar 1991 ku u zhvillua ceremonia madhështore e parë fetare mbas 25 vjetësh bllokimi të ritualeve fetare dhe ndalimit të besimit, me organizator kryesor Haxhi Xhaferr Shkodrën, i cili ka qenë iniciues i shumë nismave pozitive në Kavajë, si në këtë rast por dhe në ndërtimin e hapjen e xhamive të tjera në qytet dhe mbarë rrethin. Ai gjithashtu është iniciatori për rihapjen e Medresesë së Kavajës nga ku kanë dalë breza të tërë myslimanësh të edukuar në frymën islame, disa prej të cilëve vazhduan studimet e larta fetare në vende të ndryshme të botës islame si në Turqi apo vendet arabe, pothuajse të gjithë hoxhallarët e sotëm në rrethin e Kavajës kanë qenë dikur në vitet ’90 nxënës të kësaj medreseje.
Nga vendimet me rëndësi që do të merrnin organet drejtuese islame në Kavajë, saktësisht Këshilli i Bashkësisë Islame, do të ishte vendimi për ringritjen e xhamisë Kubelije aty ku kishte qenë më parë, pra në qendër të qytetit ku është dhe sot, dhe për të ndjekur këtë punë u caktua Muhamed Hoxha, myftiu i Kavajës dhe inxhinieri Ibrahim Sukaj. Kjo Xhami do të përfundonte së ndërtuari në vitin 1994 mbasi iu ndryshua disa herë projekti për tejkalim fondesh derisa u caktua ajo që ne shohim sot. Kjo xhami do t’i hapte rrugën ndërtimit, rindërtimit, rikosntruktimit të shumë e shumë xhamive të tjera në qytet dhe në mbarë rrethin dhe sot Kavaja mbas 20 e disa vitesh numëron 45 xhami në gjithë rrethin, 7 prej të cilave në qytet, nga ku 17 prej tyre hapen për 5 vakte, 8 hapen në disa vakte në ditë (5 ose më pak), dhe pjesa tjetër disa herë në javë ose detyrimisht për xhuma. Nga 45 xhami pothuajse të gjithë janë të reja (38), pra të ndërtuara mbas viteve ’90, dhe 7 të vjetra, të rikonstruktuara apo rregulluara të cilave iu ishte kthyer destinacioni në vitin 1967.
Në total në Kavajë në ditët e sotme janë në shërbim të komunitetit mbi 50 hoxhallarë, 16 prej të cilëve me arsim të lartë fetar, 3 hafizë Kur’ani, 8 me arsim të lart jo-fetar (5 prej të cilëve kanë mbaruar medresenë), 15 me arsim të mesëm, 5 me arsim 8 vjeçar, 9 autodidaktë.[10]

Historiku i medreseve në kavajë

Medresetë[11] në Kavajë kanë nismën e tyre ashtu si në mbarë Shqipërinë mbas depërtimit të Islamit në shumicën dërrmuese te shqiptarët, por si objekte arsimore ato nisin paralel me ndërtimin e xhamive të para, pasi shumica e xhamive të ndërtuara gjatë Perandorisë Osmane janë ndërtuar si ‘kompleks’ ose ‘minikompleks’ bashkë, xhami, abdes’hane/hamame, dhe një objekt edukativ që mund të ishte në varësi të madhësisë së tij, herë ngjitur me xhaminë, herë objekt më vete në të cilin mësohej besimi islam dhe këto objekte do të ktheheshin në shkolla masive në Perandorinë Osmane ku në mbarë trojet shqiptare të tilla mbas shekullit të XVI do të kishte shumë, madje kronisti i njohur osman EvlijaÇelebiu për vitet 1660-70 kur ka kaluar dhe në trojet shqiptare në Kavajë regjistron 2 medrese dhe 3 shkolla fillore. Pas dy shekujsh të dhënat na tregojnë se në Kavajë do të hapej mësonjëtorja e parë shqipe saktësisht në 1887, gjithashtu kishte 1 medrese, 1 shkollë ruzhdie (gjimnaz i përgjithshëm), 10 shkolla fillore, 1 shkolle rume (vllehe),[12] të gjithë këto shkolla do të ktheheshin më vonë mbas pavarësisë (1912) në shkolla shqipe. Në vitin 1927 nënprefektura e Kavajës kishte 15 shkolla fillore me 940 nxënës dhe një shkollë plotore me 60 nxënës[13], ndërkohë që të gjithë shkollat me karakter fetar, si, mektebet, medresetë, etj., do të funksiononin si shkolla me programin e miratuar nga Shteti Shqiptar mbas vitit 1925 dhe ky ishte fati i mbarë medreseve apo shkollave fetare në mbarë Shqipërinë, si medrese do të funksiononin vetëm 2, ajo e Tiranës dhe e Shkodrës.
Nga periudha e Mbretërisë deri në 1991 në Kavajë nuk ka patur shkollë fetare, ose më saktë medrese, por kavajasit e kanë mësuar fenë islame nga familjet e tyre, nga hoxhallarët në xhami apo kanë studiuar në Medresenë e Tiranës, apo dhe disa kanë studiuar jashtë vendit.

Medreseja e rihapur mbas 70 vitesh do të gjallëronte Qytetin e Kavajës

Mbasi ishin bërë hapat e para të veprimtarisë së lirisë fetare dhe ishin ngritur institucionet fetare me nismën e individëve myslimanë si Haxhi Xhaferr Shkodra, iniciatori kryesor që ka një meritë të padiskutueshme në këtë çështje, në shtator të 1991 do të hapej “fidanishtja prodhuese e hoxhallarëve” për Kavajën dhe mbarë Shqipërinë, ose ndryshe Medreseja e Kavajës, e cila në programin e saj do të kishte të gjithë lëndët e programit të shkollave shtetërore, me përjashtim të disave si Muzika, Edukata Qytetare, Edukata Shoqërore e të ngjashme, të cilat ishin zëvendësuar me lëndë të tilla si: Besim, Fikh, Moral, Histori Islame, Ilahi, Arabisht, etj., të cilat në total bëheshin rreth 8-10 orë mësim feje në javë. Realisht shkolla që u hap nuk ishte vetëm medrese por dhe mekteb, pra jo vetëm shkollë e mesme me program fetar dhe shkencor, pasi në të do të ishin edhe klasat më të ulta duke filluar që nga klasa e 5-të deri në klasën e 12. Haxhi Xhaferri u bë drejtori i parë i saj (1991-1998) dhe në shtator 1993, me iniciativën e tij, Medresesë iu dha emri “HafizAli Korça”. Në këtë shkollë, përveç lëndëve fetare, mësoheshin disa gjuhë të huaja, gjithashtu dhe lëndë shkencore. Nxënësit e saj, që kanë vazhduar studimet brenda dhe jashtë vendit, i kanë dhënë shkollës një vend të nderuar. Medreseja përgjatë 7 viteve (1991-1998) do të financohej nga shoqatat arabë gjithmonë në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, do të drejtohej nga myslimanët e Kavajës dhe i gjithë stafi do të përbëhej pothuajse 100% nga shqiptarët. Në vitin 1998[14] administrimi i Medresesë “HafizAli Korça” do të kalonte nënadministrimin e fondacionit SEMA (fondacion turk), të cilët eksperiencën e tyre në Turqi e aplikuan me shumë sukses në Kavajë dhe në mbarë Medresetë në Shqipëri, dhe kjo shkollë vazhdon të nxjerrë breza të tërë intelektualësh prej më se 15 vjetësh, me suksese të shumta në Shqipëri dhe jashtë saj nga nxënësit e kësaj Medreseje, duke zënë vendin e parë, të dytë apo të tretë, dhe duke përfaqësuar shkollën e tyre me shumë sukses, por gjithashtu dhe qytetin e Kavajës apo dhe mbarë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

________________________________________
[1] Në Tiranë ky raport është 1 xhami me mbi 70.000 banorë, ku në total qyteti ka 10 xhami dhe 2-3 mesxhide(vendfalje), dhe një popullsi banuese mbi 800.000 banorë.
[2]A. Meksi, Arkitektura e Xhamive të Shqipërisë (shek. XV – XIX), f.74, UEGEN – Tiranë 2007.
[3]Robert Elsie, ‘EvlijaÇelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje; Kosovë, Mali i Zi dhe Ohër’; f. 101, Shtëpia Botuese 55,Tiranë
[4]EvlijaÇelebi, Shqipëria para tre shekujsh, përkthyer nga SalihVuçiterni, f. 84, Botim i Plotë‘Besa’, TIranë 2000
[5]Sami Frashëri, Viset shqiptare në KamusulAlam, Vepra 3, f. 116, LOGOS-A, Shkup 2004.
[6]FranzSeiner, Numërimi i parë i popullsisë në Shqipëri (1916-1918), Botuar nga “Hylli i Dritës” Shkodër 1922-23
[7]Teki Selenica, Shqipëria më 1923, Tiranë 1923.
[8]Për më shumë mbi xhamitë e vjetra shih, “IsufSukaj, Urbanistika dhe arkitektura e qytetit të Kavajës”, f. 20-25,198-207.
[9]Rifat Hoxha, Kavaja në vitet 1945-1990; f. 273, Gutenberg, Tiranë 2003.
[10]Këto të dhëna janë marrë nga Myftinia Kavajës në Maj 2013.
[11]Medrese, Shkollë e mesme ose e lartë për të përgatitur hoxhallarë e myderrizë; në vendet Islame dhe në Shqipëri.
[12]Rifat Hoxha, Kavaja në shekuj; f. 83, Bota Shqiptare, Tiranë 1995.
[13]IsufSukaj, përmendur më lart, f.129
[14]Për tu njohur më mirë mbi veprimtarinë e Medresesë mbas vitit 1998 shiko në www.medresejakavaje.com

Edmond Sharka Revista Drita Islame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit