KATËR VITE BASHKË NË NJË BANGË NË MEDRESE ME HAFËZ JUSUF RAMADANIN
– In memoriam: në shenjë kujtimi për shokun tim të ngushtë dhe kolegun Hafëz Jusuf Ramadani, i cili dje ndërroi jetë në Shkup në moshë 49 vjeçare **😓
Dje isha duke bërë punë sizifi kur më erdhi papritmas në celular lajmi i trishtë për ndërrimin jetë të kolegut tim Hafëz Jusuf Ramadani. “Ngushëllime koleg, sot ka ndërruar jetë kolegu ynë i gjeneratës Hafiz Jusuf Ramadani!” – më shkruajti në inbox kolegu im ef. Muhamed Azizi. Nuk doja t’i besoja. Lajmi më shkaktoi dhimbje aq të thellë sa klitha zëshëm: Joooo…, ishalla nuk është e vërtetë! Sapo përfundova korrespondencën me haxhi Muhamedin, hapa facebookun. Ç’të shoh! Drejt në ballinë më doli lajmi i hidhur i hafëz Muharem Lokit: “Sot ndërroi jetë hafëz Jusuf Ramadani…namazi i xhenazes i falet pas dreke në xhaminë e Haxhi Junusit, ku ai ka qenë imam…” Aty për aty stepa në vend i memecosur, pa ndjenja, pa gjak, dhe u thellova në mendime duke u lutur përunjësisht për shpirtin e Hafëz Jusufit. Kujtesa më çoi largë në vitet 1982/83 kur pothuaj çdo ditë pikëtakoheshim me Hafiz Jusufin në xhaminë Allaxha të Shkupit. Atëbotë ai ndiqte me zell kursin e hifzit (memorizimit përmendësh të Kur’anit të shenjtë) në mejtepin e kësaj xhamie te Hafiz Idriz ef. Idrizi – myderriz, imam dhe një nga mualimët më të spikatur në Shkup dhe më gjerë në Maqedoni, ndërkohë që unë ndiqja mësimet themelore fetare në mejtepin e xhamisë Haxhi Qazim te myderizi dhe mualimi i mirënjohur Hafiz Adem ef. Idrizi. (vëlla i Idriz efendiut). Ishte periudhë kjo kohore e një zgjimi të përgjithshëm islamik ndër gjeneratat e reja në Maqedoni, ndërkohë që ndërtohej medreseja “Isa Beu” në Shkup. Në të vërtetë, unë dhe hafiz Jusufi parapërgatiteshim për t’u regjistruar në atë medrese. Vitin 1983 personalisht mora pjesë në promovimin e hifzit të Jusufit në shtëpinë e tij përpara komisionit provues: Mualimi Hafëz Idrizi, Hafëz Ademi dhe Hafëz Ismaili. Si sot më kujtohet që Jusufi mbrojti me sukses të shkëlqyeshëm titullin e hifzit. Mbamendja e tij memorizuese ishte fascinante. Atë ditë shtëpia e Hafëz Jusufit ishte e mbushur me dhjetëra hoxhallarë, myderizë e hafizë, veçanërisht me hafizët që takoheshim për çdo ditë, si: hafëz Isa, hafëz Mesudi, vëllezërit Bajrami dhe Adnani, Hafëz Ejubi, hafëz Imer Mustafa dhe kryenacionalisti Daim Hiseni, të cilin e konsideronim edhe si mësues tonin, meqë zotëronte njohuri të thella nga shkencat islame dhe nga historia jonë kombëtare, si dhe ishte një patriot me pedigre familjarisht (me baba, gjysh e stërgjysh nacionalistë denbabaden, të cilët kanë qenë halë në sy të regjimeve pansllaviste).
Veçmë vitin 1984 bashkë me Jusufin ishim nxënës të gjeneratës së parë në Shkollën e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu”.
ËSHTË INTERESANT E DHËNA QË PËR PLOT KATËR VITE (1984-88) ME JUSUFIN JEMI ULUR NË NJË BANGË NË KLASË. Madje, akoma më relevant është fakti tjetër që kurrë në jetë një fjalë të keqe nuk e kemi ndërruar mes vete. Jusufi ka qenë njeriu, shoku dhe familjari më i njerëzishëm, më i moralshëm e më i devotshëm që do kem takuar në jetë timen. Atë e karakterizonin vlera të tilla fisnike njerëzore sa ishte pasqyrë imja në rrafshin etik. Në mësime ishte shumë i zellshëm dhe skajshëm i disiplinuar, ndërkohë që në komunikim ishte fjalëpakë por punëshumë. Në çdo njësi mësimore dhe për çdo lëndë jemi konsultuar prore bashkërisht dhe kemi bashkëpunuar thellësisht. Duke qenë se për katër vite bëmë një jetë konviktore me një disiplinë të rreptë në medrese, ne kishim vetëm një “kontrast”: për çdo ditë, në kohën e pauzës pasditore 14.00-16.00, unë rëndomë flija, ai luante futboll në stadiumin e medresesë. Hafëz Jusufi ishte njëri nga lojtarët më të shquar të futbollit dhe përfaqësonte dinjitetshëm ekipin e medresesë në garat e futbollit me ekipet e shkollave të tjera, kudo që zhvilloheshin ato. Karakterologjia e tij, veç tjerash, ka folur dhe për një tipar tipik të gjenit tonë: ai ishte hijerëndë, skajshëm serioz dhe trim i vërtetë. Askush nga ne nuk ka guxuar të tallet me të, ndonëse ai nuk i jipte askujt shkas për diçka të tillë. Thjesht, edhe ata që nuk e njihnin mirëfilli, e nuhatnin nga largë trimërinë e tij.
Fati i rrugëtimit tonë të mëtejme në sudimet e teologjisë na ndau: unë u regjistrova në Fakultetin e Teologjisë në Sarajevë, ai në Universitetin e mirënjohur të Ezëherit në Kairo. Vitin 1991 banuam në një banesë afro gjashtë muaj në Kairo. Mbresat nga kjo kohë nuk do t’i harroj përjetë.
Gjatë periudhës sa unë punoja si referent i arsimit fetar në Këshillin e Bashkësisë Islame në Shkup, vitet 1994-97, Jusufi kryente detyrën e imamit në xhaminë “Haxhi Junus”. Si imam ai ka qenë në lartësinë e detyrës, duke e kryer këtë mision sublim me një përkushtim të thellë prej ligjëruesi shembullor. Vitin 1997 unë shkova me familjen në Berlin, Jusufi u inkuadrua në Këshillin e Bashkësisë Islame si referent i anëtarësisë. Punë kjo të cilën ai gjithashtu e kreu me shumë dinjitet…
Të mos harroj të theksoj dhe një fakt shumë sublim për shpirt timin: Hafëz Jusufi rrjedh nga një familje me traditë të pasur fetare dhe shumë të devotshme. Për çdo herë që vizitoja atë në shtëpi, babai i tij Haxhi Xhemali (me origjinë nga fshati Luboten i Shkupit) më priste zakonisht me atë buzëqeshjen e tij karakteristike prej myslimani të devotshëm. Së këndejmi më duhet të konstatoj një fakt krucial moralo-etik: Nuk ka ekzistuar bir shqiptari që ka mundur t’a korruptojë personalitetin e hafëz Jusufit, qoftë kur ka punuar si imam, qoftë kur ka qenë punëtor zyrtar në kështjellën e bashkësisë fetare (meqë administronte finansat e anëtarësisë aty), nga njëra anë, dhe në rrethana turbulencash e çarjesh në jetën administrative fetare ai ka qenë gjithnjë faktor stabiliteti e unjësimi në radhët e kolegëve të tij, nga ana tjetër.
Duke qenë se kishte kohë që Jusufi ishte katandisur në një sëmundje të rëndë, këtë verë (pra, këtë vit) nuk arrita t’i marr hallallin atij. Ktheva në Berlin me ndërgjegje të vrarë…
Dorën në zemër, me ndërrimin jetë të hafëz Jusufit , Shkupi, besimtarët, institucioni i Bashkësisë Fetare Islame, thjesht të gjithë ne kemi humbur një besimtar të devotshëm, një shqiptar me zemër të madhe, një imam të shkëlqyer dhe një hafiz e pishtar të arsimit islamik në trojet tona.
P.S. Duke qenë se jam larg në mërgim, në pamundësi për t’marrë pjesë në përshëndetjen lamtumirëse, mora abdest dhe ia fala namazin e xhenazes me lot e dhimbje në zemër dhe me shumë shpirt.
Allahu e mëshiroftë natën e varrit dhe në botën e amshimit! Allahu na takoftë në ahiret! Amin!
Shpirtërisht, shoku i tij:
Zekerija Idrizi
Berlin