16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Katër mënyra ku ndryshojnë bankat tregtare konvencionale nga ato islame

Më të lexuarat

Nga Falil Xhemaludin*

Megjithëse bankat tregtare islame kanë shumë produkte të ngjashme me ato të ofruara nga bankat konvencionale, këto dy entitete ndryshojnë konceptualisht. Një pikë kyçe është ajo se bankat konvencionale i fitojnë paratë e tyre duke i ngarkuar me interesa dhe tarifa për shërbimet, ndërsa bankat islame i fitojnë paratë e tyre duke e ndarë fitimin dhe humbjen së bashku, tregti, leasing, komisione për shërbimet e kryera dhe duke përdorur kontratat e shkëmbimit sipas ligjit islam.

Në vijim do të gjeni katër mënyra kyçe ku ndryshojnë bankat islame (apo bankimi hallall) nga bankat konvencionale.

Mbikëqyrja e një bordi sipas ligjit islam

Një bord i tillë përbëhet nga dijetarë muslimanë, të cilët janë të kualifikuar për të kontrolluar vlefshmërinë e kontratave tip të biznesit. Në një bankë komerciale bordi përfshihet në mbikëqyrjen e operacioneve bankare për të qenë të sigurt, se ato po kryhen sipas ligjeve islame.

Bankimi islam dhe institucionet e tjera financiare duhet të plotësojnë një varietet principesh përveç ndalimit të interesave. Financa islame përbëhet nga katër parime thelbësore:

Ndalimi i kamatës
Ndalimi i spekulimeve
Ndalimi i kumarit
Investime të moralshme
Interpretimi i secilit prej këtyre parimeve është shumë më i vështirë, se sa mund ta mendosh ti. Dijetarët shpenzojnë një jetë të tërë, duke mësuar gjithçka ata munden rreth qëllimit dhe interpretimeve të kaluara të ligjit islam, dhe shumë shpesh kanë opinione të ndryshme rreth tyre.

Të sigurohesh që bankat islame pajtohen me ligjin islam nuk është e lehtë- së këndejmi rrjedh nevoja e bordit mbikëqyrës. Ky bord është shtylla kurrizore e një banke hallall; ai luan një rol vital në stabilizimin dhe veprimtarinë e bankës.

Koncepti i parasë dhe bazat e transaksioneve

Të thuash se bankat islame janë të ndryshme nga bankat konvencionale, sepse e para nuk të ngarkon me interesa është e saktë, porse kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ky ndryshim është vetëm njëra nga ato mënyra ku bazat e bankimit hallall ndryshojnë nga ato të bankimit tregtar konvencional. Qëllimi themelor për ngritjen e një banke islame është të promovojë dhe nxisë parimet islame. Bankat konvencionale janë organizma fitimi, të cilat në përgjithësi nuk bazohen në parimet fetare. Të fitosh para është një nga funksionet parësore të një banke tregtare islame. Megjithatë banka e ka një qëllim specifik fetar, ajo nuk mund t’i shërbejë atij qëllimi përderisa nuk përputhet me objektivin për të fituar para.

Një bankë nuk shërben për asgjë, nëse ajo nuk mund të qëndrojë në biznes!

Bankat islame veprojnë sipas ligjeve islame të shitblerjes për transaksionet e tyre bazë, dhe ato gjithashtu ndjekin rregullat dhe ligjet financiare të vendeve ku ato veprojnë. Ngjashëm me to veprojnë bankat konvencionale të bazuara në rregullat dhe ligjet financiare të vendit, porse ato nuk kanë kontakte me asnjë trupë fetare.

Dijetarët muslimanë ia njohin vlerën parasë, por me kufizime. Për shembull, parasë nuk mund t’i rritet vlera thjesht sepse kalon koha. Gjithsesi vlera e parasë mund të rritet nëse ajo investohet në një projekt, i cili në vetvete rritet (në masë, në sukses e kështu me radhë).

Marrëdhëniet me klientët dhe blerësit

Kur ti e depoziton pagën tënde në një bankë konvencionale marrëdhënia jote me atë bankë është e kredituesit me debituesin; banka ka përgjegjësinë të kthejë mbrapsht paratë e tua me ose pa interes, sipas kontratës që keni bërë për llogarinë tuaj. Ngjashëm ndryshojnë rolet kur banka të furnizon ty me një borxh.

Marrëdhënia ndërmjet një blerësi dhe bankës hallall është krejtësisht e ndryshme; marrëdhëniet debitor dhe kreditor ekzistojnë në kohë në bankimin islam (kanë kohë të caktuar). Për të kuptuar marrëdhënien ndërmjet klientit dhe bankës islame ju duhet të dini kontratën mbi të cilën është bazuar marrëdhënia.

Investimi në banka

Investimet në bankat tregtare komerciale janë të bazuara në një principal të garantuar dhe në fitimin e një shume të fiksuar të ardhurash.

Për shembull, le të themi se një klient i një banke konvencionale depoziton 10,000$ për një afat depozitimi 6-mujor. Pas gjashtë muajve banka është e detyruar t’i kthejë mbrapsht klientit principalin plus përqindjet e interesave për gjashtë muaj. Edhe sikur banka t’i ketë humbur paratë në një investim, banka përsëri është e detyruar të kthejë mbrapsht të gjitha paratë që i detyrohet.

Në bankimin hallall koncepti i investimit është i ndryshëm. Megjithëse klienti depoziton para me qëllim të nxjerrë disa të ardhura ekstra për kursimet e veta, principali dhe kthimi i tij nuk janë të garantuara. Le të supozojmë që banka islame humbet paratë për shkak të një dështimi të papritur në biznes, në këtë rast banka nuk është e detyruar t’i paguajë paratë klientit.

Shënim: Dështimi i një investimi nuk është diçka e zakonshme në bankat islame, sepse banka vetë është e preokupuar për klientët e vet dhe t’i bëjnë zgjedhjet për investimet me shumë mençuri. Nëse nuk veprojnë kështu ata shumë shpejt do të mbeten pa klientë!!

* Autor i librit ‘Financat Islame për injorantët’.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit