10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Katër (krizat e dala nga Blloku)

Më të lexuarat

Nga Endri Tafani

Ngjarja e rëndë tek ish-blloku është një pasqyrë e qartë e problemeve të rënda në Shqipëri.

1.Strukturat e rendit

Është shumë e qartë që policia shqiptare është inekzistente në luftën ndaj krimit. Që persona ne kërkim, bredhin të armatosur në zemër të Tiranës, vetëm 100 m nga institucione të rëndësisë të veçantë si Kryeministria, selia e Kuvendit dhe më keq akoma, 150m afër një mbledhje të nivelit të lartë europian ku kishte me qindra policë të angazhuar rrethe rrotull, është e pafalshme.

Dhe nuk është hera e parë që ndodh, pasi janë me dhjetëra rastet kur persona në kërkim nga policia, vriten në mes të qytetit nga bandat rivale mu nën hundën e policisë.

Sot për një kriminel s’ndryshon asgjë fakti nëse është në kërkim apo jo nga policia. Praktikisht është e njëjta gjë, askush s’të kërkon. Bile kjo puna e shpalljes në kërkim nga policia mesa duket thjesht rrit vlerën e tij si kriminel në treg. Problemi është akoma më i rëndë nëse marrim parasysh faktin që dy nga pjesëmarrësit në ngjarje kanë qenë persona të përfshirë në forcat e rendit dhe forcat e armatosura.

Kjo të frikëson me tepër, pasi seriozisht vihet në dyshim dhe materiali njerëzor që rekrutohet per këto struktura. Janë policë me ideale apo kriminelë me pushtetin e ligjit në pritje të okazionit për të përfituar.

2.Strukturat e drejtësisë

Njëri nga të plagosurit është dënuar me një vit burg për pjesëmarrje në vrasje. Të filmuar në video! S’ka asnjë justifikim për një dënim aq të ulët. Gjykata skandaloze. Por dhe Prokuroria nuk ngelet pas.

Janë plot kriminelë që kanë vënë pasurinë me veprime kriminale dhe e pastrojnë nëpër biznese. Jemi vend i vogël. Të gjithë e njohim njëri- tjetrin.

Përveç prokurorisë. Ajo jeton në një botë paralele ku nuk ekziston asnjë provë e madje asnjë dyshim ndaj tipave të tillë.

3.Struktura ekonomike

Blloku është një vend ku demonstrohet pasuria dhe fuqia ekonomike e individëve. Midis atyre që qarkullojnë me X6, Porsche etj sa janë inxhinierë, fizikante, kimistë, IT, mjekë, financiere, juristë, artistë, etj të diplomuar shkëlqyeshëm, të punësuar në biznese të profesionit që kanë shumë fitimprurëse, apo që mund të kenë ngritur vetë bizneset e tyre?

Mos u lodhni se nuk keni për të gjetur ndonjë. Pasuria në Shqipëri është përqendruar në duart e njerëzve që kryejnë veprimtari antiligjore. Duke filluar nga ata që e kanë vënë me prostitucion, drogë, shantazhe e duke vazhduar dhe me ato biznese “ndërtimi” që korruptojnë politikanë për leje ndërtimi në qendër apo koncesione PPP.

Struktura ekonomike e Shqipërisë është e kriminalizuar deri në palcë. I vetmi produkt që kemi për tregun ndërkombëtar është droga. Asnjë biznes shqiptar nuk ka një produkt të vetin që mund të çajë në tregun e jashtëm sepse produkti i tyre është pasojë e një vjedhjeje apo korruptimi, dhe jo i bazuar në logjikën ekonomike.

Dhe të gjitha këto më sipër na çojnë tek kriza e katërt.

4.Kriza morale

Në Shqipëri duhet të bësh një krim nëse do të bëhesh i pasur, apo qoftë dhe nëse do të jetosh mirë. Një fëmijë sot në shkollë shikon të gjithë këta tipa që sillen vërdallë dhe e demonstrojnë sheshit pasurinë e tyre. Pa frikë. Askush nuk u bie në qafë përkundrazi, nderohen.

Rrinë me ministra, deputetë, njerëz të famshëm. Atyre dhe mënyrës së jetesës së tyre u dedikohen këngë, emisione në TV, artikuj në gazeta, revista, etj. Ndërkohë nga krahu tjetër fëmijët shohin ata njerëz që mësojnë në shkollë, dalin shkëlqyeshëm, sillen mirë, nuk vjedhin dhe rezultati?

Në shumicën e rasteve të ardhura sa për të mbajtur frymën gjallë. Dhe një pjesë e mirë e fëmijëve e bëjnë zgjedhjen e tyre. Të ndikuar nga sistemi. Të gjithë pjesëmarrësit në ngjarjen e bllokut skane patur eksperiencë edukimi në komunizëm por janë brez i demokracisë. Ka ca që thonë le të vriten me njeri tjetrin. Një kriminel me pak. S’më vjen mirë për këtë.

Sot më mijera të rinj shqiptarë do ishin gjallë, shumë më tepër me dhjetëra mijë të tjerë nuk do ishin të burgosur në burgjet e gjithë botës nëse sistemin do e kishim ndërtuar ndryshe. Dhe jo vetëm këta por dhe të tjerët që nuk kanë bere atë zgjedhje, do ishin më mirë nëse sistemi do ishte ndryshe.

Dhe bashkë me ta dhe prindërit e tyre dhe gjithë shoqëria. Kjo është sfida e të ardhmes nëse duam të funksionojmë akoma si shoqëri, shtet, komb.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit