15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Kasami thotë se çështja shqiptare në Maqedoni mbyllet kur të barazohen me maqedonasit

Më të lexuarat

Kreu i Lëvizjes Besa në Maqedoni, Bilall Kasami ka treguar për negociatat me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev për të votuar ndryshimet kushtetuese.

Politikani shqiptar i Maqedonisë, tha për “OraNews” se çështja shqiptare në Maqedoni nuk është mbyllur ende, për aq kohë sa shqiptarët nuk janë të barabartë me maqedonasit. Kasami tha se këtë gjë e ka pranuar edhe vetë kryeministri Zaev.

“Kjo nuk ishte një betejë e Lëvizjes Besa, ishte një betejë për çështjen shqiptare në Maqedoni. Çështja shqiptare në Maqedoni vazhdon të mbetet e hapur edhe përkundër faktit që disa parti shqiptare në qeveri për të mbrojtur pozicionet e tyre, e deklaruan çështjen shqiptare të mbyllur. Këtë tentuan ta deklarojnë edhe nga Uashingtoni, por ne arritëm që në një marrëveshje me qeverinë që kjo çështje të mbetet e hapur dhe më tutje të zgjidhet në procesin e klasës së Maqedonisë”, tha Kasami.

Ai shton se eksponentë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim në qeverinë e Zoran Zaevit udhëtuan menjëherë pas vizitës së delegacionit të Besës në Departamentin e Shtetit, ku thotë të kenë deklaruar shqetësimin e tyre se “çështja shqiptare në Maqedoni nuk guxon të mbyllet, sepse shqiptarët nuk janë të barabartë me maqedonasit dhe më tutje”.

“Pra shqiptarët këtu trajtohen si pakicë, ndërkohë që janë pjesa më e rëndësishme e shtetit të Maqedonisë, pas maqedonasve jemi populli shumicë në Maqedoni dhe si të tillë kërkojmë që dhe të drejtat tona të trajtohen si popull shtet-formues dhe themelues të këtij shteti. Pra deklaruam që me zgjidhjen e cunguar të çështjes së gjuhës shqipe të deklarojnë se çështja shqiptare nuk ekziston. Përderisa gjuha shqipe nuk futet në kushtetutë, e barabartë me gjuhën maqedonase, përderisa shqiptarët nuk përmenden në kushtetutën e Maqedonisë të barabartë si popull shtetformues të Maqedonisë, çështja shqiptare do vazhdojë të mbetet e hapur. Këtë e pranoi edhe kryeministri Zoran Zaev në dokumentin e nënshkruar bashkë me Lëvizjen Besa”, theksoi Kasami.

Edhe pse Marrëveshja e Prespës nuk kishte në thelb çështjen shqiptare në Maqedoni, ajo ka pasur një rol të rëndësishëm. Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se kjo forcë politike arriti që të mbrojë identitetin shqiptar.

“Marrëveshja në vetvete nuk kishte rregullimin e çështjes shqiptare në Maqedoni. Ajo kishte të bënte me një kontestim që kishte të bënte mes palës greke dhe identitetit maqedonas. Grekët e kontestonin dhe vazhdojnë ta kontestojnë identitetin maqedonas dhe ata nuk pranin që të kishte dhe një Republikë e quajtur Maqedoni, sepse një territor në Greqi e ka një emërtim të tillë”, tha më tej ai.

Me marrëveshjen e Prespës, Kasami thotë se Maqedonia riemërohet Maqedonia e Veriut, por ajo që është me rëndësi, që ne si Lëvizje Besa, të vetëm në këtë proces arritëm që të mbrojmë identitetin shqiptar. “Kishte tendenca që përmes rregullimit të identitetit maqedonas kjo të jetë në dëm të identitetit shqiptar, sepse tentohej që identiteti shtetëror i gjithë qytetarëve të këtij vendi të jetë identitet maqedonas. Tanimë me ndryshimet kushtetuese është futur që në ligjin kushtetues që për shqiptar identiteti nuk do jetë maqedonas, por do jetë identiteti shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit