12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Ka njerëz që as virusi nuk mund t’i shërojë

Më të lexuarat

Redi SHEHU

Hiçgjëja dhe asgjëja, sot, më shumë se kurrë, po grinden jashtë mase sepse numri i atyre që i përkasin këtyre dy kategorive është rritur aq shumë, saqë nuk mund të përcaktohet kufiri ndarës se sa i përkasin kategorisë së hiçgjësë dhe sa kategorisë së asgjësë. Duke pasur si kriter bazë zeron, hiçgjëja dhe asgjëja, si dy binjake rebele, po tentojnë t’i grabisin njëra-tjetrës pasuesit vet. Por, ekziston edhe një kategori jo e vogël njerëzish që nuk i përkasin as njërës dhe as tjetrës. Ata, janë parkuar në rehati të plotë brenda një kategorie tjetër, asaj të kurrgjësë, e cila në ndryshim nga “hiçi“ dhe “asi“ që përgjithësi nuk bëjnë ndonjë gjë, këta të kurrgjësë, janë kurrë në raport me gjënë. Për ta sqaruar konceptin themi, nuk mjafton që të mos bësh gjë apo kurrë të bësh ndonjë gjë, por mundesh që të bësh gjëra të cilat kurrë përbëjnë ndonjë gjë. Dhe pikërisht ata të kurrgjësë të cilët janë kurrë në raport ne gjënë, përpiqen të prishin çdo gjë.

Në mesin e një pandemie ku i gjithë globi faktikisht është spostuar nga demokracia në karantinokraci, ku jeta e njerëzve tashmë është kthyer në tabelë shifrash me ngjyrat e semaforit, të cilat në formë të përshpejtuar orë e çast rasportojnë sëmundjet dhe vdekjet, në gazetën “Tema”, e cila rastësisht m’u shfaq gjatë scroll-it të përditshëm, më tërhoqi vëmendjen një lajm rreth vdekjes së artistit dhe humoristit të njohur, të ndjerit Gëzim Kruja. Gazeta në fjalë, nuk kishte përtuar të shqetësohej, në vetëm pak rreshta, për faktin se si mbi arkivolin e artistit ishte hedhur “një copë jeshile me mbishkrime arabe”. Pra, këta të kurrgjësë nuk i shqetëson ndjeshmëria e familjarëve për humbjen e njeriut të dashur të tyre, as edhe halli i madh që i ka gjetur në këtë pandemi për pamundësinë e përcjelljes së tij për herë të fundit, por në këndin e tyre të anti-teizmit, fuqizuar me një cocktail injorance, shqetësohen për besimin e elitave kulturore të vendit.

Unë vij nga një qytet si Shkodra, e cila ka qenë dhe është krenaria kombëtare në fushën e kulturës, artit, mendimit dhe fesë së këtij vendi. Nga ky qytet kanë dalë dhe vazhdojnë të dalin, kolosë dhe referenca të vetëdijes shqiptare. Këta njerëz, gjithë aktivitetin e tyre krijues e kanë të ndërthurur me një farë dimensioni transhendent, i cili u jep kuptim kontributit të tyre. Pra, lidhja e tyre me transhendencën, krijimtaria e tyre, gjithsesi ka qenë dhe është një dimension personal që i ka garantuar dhe garanton lidhje me besimin, çka e ka bërë produktivitetin e tyre kaq të veçantë dhe kaq unik.

Me guximin injorant të zeros, në përpjekje për të zeruar realitete  në Shqipëri, me shkrime të cilat zerojnë nënshkruesin dhe organin që i boton, këta individë kundrojnë plot mllef të kundërtën e tyre. Këta të kurrgjësë me vetëdije të plotë kanë vendosur të ngelen një zero e shkëputur në raport me shoqërinë duke mbartur mbi vete kurrgjë vlera. Ajo “copë jeshile me mbishkrime arabe” e cilet sillet nga media e tipit “ tunde para përdorimit”, nuk janë veçse vargje kuranore të cilat u vendosën të vdekurve sipas pëlqimit të tyre dhe familjes, si një konfirmim i lidhjes mes krijimtarisë së individit me Krijuesin Suprem. Një ndjeshmëri që të paktën duhet nderuar dhe respektuar nga çdokush  në lidhje me familjarët për të dashurin e tyre që nuk është më. Pra, domethënë, sot mjafton të jesh pjesëtar i denjë i kurrgjësë dhe të projektohesh në mediat e hiçgjësë për të sulmuar fare kollaj një popullsi të tërë e cila si bartëse e virtyteve në sajë të besimit të vet, përpiqet të jetë një vlerë e shtuar larg zbrazëtirës. Në raste të tilla sfida më e madhe e secilit, është se si të përballet me përbindëshin  pa u bërë vetë një i tillë.

E gjitha niset nga premisa e nacionalizmit kundër çdo gjëje që përbën kulturë të importuar, qëllimisht duke i bërë by-pass, faktit që nacionalizmi shqiptar zanafillon pikërisht nga shpirti i besimit dhe klerikëve të këtij vendi. Por, e veçanta e nacionalizmit të kurrgjësë është se ky nocion, në ndryshim nga nacionalizmi klasik ku fetë kanë qenë pjesë thelbësore në forcimin e tij, nacionalizmi i kurrgjësë sulmon njërën nga fetë e shqiptarëve, atë më të madhen, në emër të shpëtimit të identitetit nacionalist. Tek ne nuk ka një kod të nënkuptuar konsensual, siç ndodh me qytetërimet e tjera, ku e kaluara historike përbën vlerë dhe krenari për rrjedhojë ajo përdoret nga elitat për të forcuar konstruktin social të brezave të rinj. E kundërta ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë me ne në Shqipëri, ku e kaluara jonë historike shpërfillet dhe keqserviret duke shpërbërë strukturat dhe thurrjet sociale ndërmjet brezave dhe duke prodhuar sisteme mostra siç qe ai i pas çlirimit.

Këta të kurrgjësë së bashku me këta të hiçgjësë, duket se nuk e kanë kuptuar akoma që sa më shumë presion të ushtrojnë ndaj virtytit, aq më lart ai ngrihet. Ne nuk jemi një shoqëri që papritmas erdhi nga bota e kurrkundit dhe u instalua pa një profil të sajin. Vlerat e konsoliduara në ndërgjegjen shqiptare edhe pse të luhatura, sot janë thellë në vetëdijen e secilit. Pandemitë si kjo e Covid-19 vijnë jo vetëm për të na lënduar. Ata janë shanse, që në momente të ndryshme historike u jepen shoqërive, për të vetreflektuar. Janë momente për të rikonfiguruar mendimet dhe praktikat e secilit prej nesh, drejt një qasjeje më të përmirësuar. Por, siç duket ka akoma njerëz apo media të cilët as virusi nuk mund t’i shërojë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit