9.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Ka aq shumë para sa që nuk mund t’i harxhojë deri në fund të jetës, ka dashur t’i falë të gjitha për bamirësi – njihuni me Abigail Disney

Më të lexuarat

Abigail Disney, 59-vjeç, është regjisore e filmave dokumentar dhe njëherit njëra nga gratë më të pasura në botë. Përpos që është një filantrope dhe fituese e çmimit Emmy, ajo është e bija e Roja Edwards Disney, që dikur ishte në krye të shtëpisë së famshme filmike Disney që e kishin krijuar daja dhe babai i saj Walt dhe Roy Oliver.

Si 20-vjeçare ajo kishte fituar nga gjyshi rreth 70 milionë dollarë, kurse gjatë një interviste dhënë këto ditë për The Cut, ka folur për atë se si është të jetosh në pasuri dhe luks të pafund, të cilat nuk mund t’i shpenzojë deri në fund të jetës. Kur ishte e re, ajo as që e dinte se sa e pasur është familja e saj.

“Kur isha e vogël prindërit e mi janë munduar të mos bëjnë jetë luksoze. Paraja nuk i ka ndryshuar ata. E di se tingëllon si klishe, por vërtetë bënin jetë modeste. Dëshironin që mua dhe vëllezërit e mi të na rrisin në frymën që nuk jemi më të mirë nga të tjerët, dhe se nuk duhet të dallojmë nga të tjerët”, ka shtuar ajo.

Megjithatë shtëpia e tyre ishte aq e madhe sa që për festën e Halloween-it, fëmijët trokisnin nga dy herë në dyert e shtëpisë, një herë në pjesën e pasme dhe më pas para saj, pasi sipas saj ishin të bindur se bëhet fjalë për dy shtëpi të ndryshme.

“Aeroplanët privatë erdhën më vonë”, thotë Abigail duke pranuar se shpesh i thoshin miqtë: “Oh zot, duhet të jesh shumë e pasur”.

“E dini se qysh në takimin e parë me dikë nuk mund t’ia ndryshoni përshtypjen për ju. Por sa herë ua tregoj mbiemrin, ata menjëherë e dinë se kush jam. Megjithatë ka raste edhe kur nuk më njohin menjëherë, kështu që më jepet hapësirë e mjaftueshme që të lëvizi pa ndonjë problem nëpër lokale apo rrugë, më bën të ndihem si çdo person tjetër. Ky fakt më gëzon shumë, por kur e kuptojnë edhe ata persona për pak sa nuk e humbin vetëdijen”, thotë Abigail.

“Është e çuditshme. Unë gëzohem shumë kur takoj njerëz të rinj, por gëzimi im është shumë i vogël krahasuar me ata që më takojnë mua. Unë i përkas Nju Jorkut, Manhattanit, intelektualëve. Ata zakonisht urrejnë Disney pasi mendojnë se është gjëja më e tmerrshme në botë. Sigurisht se edhe unë do të mendoja ashtu, po të mos kisha lidhje familjare me atë emër”, ka shtuar Abigail që konsideron se mbiemri i ka sjellë përparësi në veçanti në njohjen e personave të rinj.

“E gjitha çfarë më duhet është të aktivizoj zilen në llogari të hirushës dhe kështu i bëj të qeshi të gjithë. Aty menjëherë më dashurojnë. Nganjëherë mjafton mos të jem mendjemadhe. Njerëzit ndoshta mendojnë se do të shkoj në shtëpi me karrocë me kuaj”, shtoi ajo.

Ajo tregoi se si babai i saj me kalimin e viteve “humbi busullën” nga pasuria e madhe.

“I përkisnim klasës së mesme, kur befasisht babai im bleu aeroplanin privat. Aty e kuptova se ai filloi të humb busullën. Për këtë arsye jam e vetëdijshme se çfarë pasuria mund t’i bëjë njeriut. Si fëmijë jam rritur në një familje, kurse ndër vite e kuptova se po shndërrohet në diçka krejt tjetër”, shtoi Abigail.

“Të kesh aeroplan privat është diçka e pazakontë. Po të isha mbretëreshë, do t’i ndaloja aeroplanët privatë, pasi ata i largojnë njerëzit nga realiteti. Atëherë nuk keni nevojë të kaloni nëpër aeroport, të komunikoni me të tjerët, të prisni në radhë apo të ndiheni në siklet. E pikërisht këto situata na kujtojnë që jemi njerëz. Babai ka pasur Boeing 737 dhe konsideroj që ka qenë një veprim i çmendur. Ka pasur shtratin të ngjashëm me atë të mbretit. Por, nuk mund të them që nuk e kam përdorur aeroplanin e tij në raste të jashtëzakonshme, pasi i kam pasur katër fëmijë dhe e kam pasur më të lehtë në atë mënyrë të udhëtojë me ata, por dikur i thash vetes: ‘Mjaft. E gjithë kjo është e panevojshme për ne”.

Megjithatë ajo konsideron se sasia e madhe e parë “është rruga për në ferr” pasi i largon njerëzit nga njëri-tjetri.

“Nuk është gjë e vogël kur në aeroport nuk keni nevojë të prisni në radhë së bashku me të tjerët. Me automatizëm paraqet diçka që ju bën të jeni më të mirë se ata. Në 40 vitet e ardhshme të gjitha këto vetëm sa e kanë forcuar bindjen time për kulturën amerikane. Në shpesh themi: ‘Ndërmarrësit janë njerëzit që e bëjnë Amerikën të madhe’. Ekzistojnë njerëz që mendojnë vetëm pse janë të pasur, që patjetër duhet të jenë më të mëdhenj dhe që po e bëjnë ‘Amerikën të madhe’. Mendoj se është e rëndësishme ta kuptojnë që jemi pjesë e racës njerëzore sikur të gjithë të tjerët, dhe se nuk ka asgjë që paraja ju bën më të mirë nga tjerët. Nëse këtë nuk e dini dhe keni para, është rruga për në ferr, pavarësisht faktit se sa gjëra keni përreth jush”, thotë Abigail.

Ajo thotë se qysh para 20 viteve kishte hequr dorë nga përdorimi i aeroplanit privat, kur i është dashur të udhëtojë për takime në lindje dhe perëndim të Amerikës.

“Tërë natën e kaloja duke udhëtuar më aeroplan nga njëri cep të tjetri me atë aeroplan gjigant, dhe mendoja për dyoksidin e karbonit që e prodhon, kurse stjuardesat dhe pilotët jemi detyruar t’i thërrasim në çdo kohë dhe kisha kokëdhimbje koka kur e mendoja koston. Por kur u flisja prindërve për këtë qeshnin me mua, me kalimin e kohës edhe ata filluan të ndihen keq”, shtoi regjisorja amerikane.

Megjithatë thotë se prindërit e saj kanë marrë leksione sa i përket parasë, e ëma e saj thotë Abigail ka pasur shumë shije dhe i pëlqenin gjërat e bukura dhe shpenzonte shuma të majme të parave. Gjithashtu ka ditur të ia tepron duke veshur rroba të çuditshme, por që ishin të shtrenjta.

“Shumë pasanikë shpesh ‘lundrojnë’ nëpërmjet identiteteve të ndryshme. Jeta financiare e prindërve të mi ka filluar të ndërrojë gjatë viteve të 80-ta. Atëherë kam qenë e rritur dhe e kuptova se si po e shijojnë pasurinë. Ishin në të 50-at dhe kënaqeshin me ato që mund t’iu ofronin paratë. Është e vështirë t’i thuhet shumë gjërave ‘jo’. Por, kur babai im filloi të ketë probleme me alkoolin, askënd nuk e pati afër vetes për t’i treguar. Askënd nuk e pati afër vetes për ta paralajmëruar – ‘duhet të kërkosh ndihmë’”, zbuloi problemin familjar Abigail.

Ajo deri më sot ka dhënë shuma të majme të parave për qëllime humanitare, dhe thotë se shumat e parave kanë qenë më të mëdha nga ato që i kanë dhënë prindërit e saj, sa që në një moment ia kishin bërë me dije se po i vë në pozitë të papërshtatshme.

Ndërkaq e pyetur se sa para i ka, ajo është përgjigjur: “Shikoni, po të kisha dashur të jem miliardere, sigurisht se do të bëhesha. Është një shumë jashtëzakonisht e madhe sa që nuk mund të përshkruhet. Por, unë nuk dua të jem miliardere. Sekreti qëndron në atë se është lehtë të fitoni shumë para nëse filloni punën me shuma të majme. Shumë persona e përshkruajnë veten si shumë të mençur vetëm pse kanë fituar shuma të majme, por e vërteta është që ata nuk e thonë të vërtetën dhe se nuk janë aq të mençur sa pretendojnë ata”, ka shtuar Abigail duke pranuar se gjatë 30 viteve ka dhuruar mbi 70 milionë dollarë.

“Jam krenare për këtë. Jam në gjendje të mirë financiare sa që mund të dhurojë para deri në vdekje”, thotë Abigail që kishte filluar të dhurojë para për qëllime bamirësie gjatë të 90-ve, duke shtuar se në një moment ka menduar që gjithë pasurinë e trashëguar ta falë, por në fund një gjë të tillë nuk e kishte bërë nga frika e madhe.

“Mendoja se nuk do të mund të mbijetojë. Jam frikësuar dhe ndihesha si lule në vazo, nuk e dija nëse do të mbijetojë pa para. Por, nuk ishte një vendim i qëlluar, pasi ato para sot janë shumëfishuar, kështu që mund të japë edhe më shumë për bamirësi. Gjithashtu dua të them se nuk është paraja ajo që e prish njeriun. Paraja është neutrale, dhe nuk mund t’iu bëjë njeri të keq”, tha për fund Abigail. /tg

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit