Jetojmë në qytetërimin e mijëra gjërave

0
64

Martín Caparrós

E mendova dje, pothuajse pa dashur, kur vendosa në murin e banjës së shtëpisë një varëse me autoadeziv, kallaj i pastër: as nuk e kisha idenë, as mundësinë për të patur një ide, mbi origjinën e saj. Nuk kisha mënyrë si ta dija se kush e kishte bërë, ku ishte prodhuar, si kish qenë puna dhe rrugëtimi i saj nga ndonjë qoshe e Kinës, deri tek kinezi në dyqanin tek cepi i rrugës. Ashtu sikurse pothuaj gjithçka që përdorim, ajo varëse vinte nga asgjëja, dhe kjo është diçka që as nuk na habit.

Për mijëra vite, gjërat që ne zotëronim kanë patur një histori – pak a shumë – të njohëshme. Zotëruesi i një çekiçi e dinte që e kish bërë Lope, ai i dyqanit në krah, djai i Trinit, kushërirës së dajë Pedros. Tani jo: dhe pastaj, kemi kaq shumë gjëra, saqë po të njihnim historinë e secilës, nuk do të kishim kohë për të bërë gjëar të tjera.

Jetojmë në qytetërimin e mijëra gjërave. Në SHBA (ku bëjnë llogari të tilla), një studim i kohëve të fundit ka nxjerrë se në një shtëpi ka mesatarisht 300 mijë objekte, “që nga kapëset, deri tek hekuri i hekurosjes”. Në Mbretërinë e Bashkuar, një fëmijë 10 vjeç ka mesatarisht 238 lodra, edhe pse luan me 10 apo 12 prej tyre. Dhe kërkimi i një kompanie sigurimesh britanike, thotë se kalojmë mesatarisht 10 minuta në ditë duke kërkuar gjëra që humbasim: në jetë mund të jenë 200 ditë të humbura në kërkim të diçkaje. Pothuaj hiçgjë, nëse i karahasojmë me 2 mijë minutat që kalojmë duke blerë gjëra.

Kemi mijëra gjëra dhe ka miliarda njerëz që nuk kanë pothuaj asgjë: ne, 12 % e popullsisë që jeton në Evropë dhe SHBA, konsumojmë 60% të mallrave të botës, ndërkohë që 33% më të varfërit, afrikanë dhe aziatikë, konsumojnë 3%. Disa vite më parë, shkova të shkruaj për Lëvizjen “Jemi Toka”, në një qoshe të Amazonës.

Një grua me emrin Gorette më huazoi kasollen e saj, dhe unë besova se përshkrimi më i mirë i varfërisë, është ndoshta të rrëfesh atë që mungon. “Në kasollen e Gorettes ndodhet një thikë, katër pjata alumini, tre shishe, pesë lugë, pesë vazo tunxhi, dy enë të mbushura me ujë, tre kanaçe me qumësht pluhur, kripë dhe sheqer, një kanaçe me vaj e mbushur plot, dy të tjera të boshatisura, tre peshqirë, një kuti kartoni me ndonjë veshje, dy kalendarë me peisazhe, një copë pasqyre, dy furça, një garuzhdë, një gjysmë thesi oriz, një radio që nuk kap pothuaj asgjë, dy gazeta të lëvizjes, fletorja e shkollës, një enë plastike për të marrë ujë tek pusi, një legen plastike për të larë pjatat dhe një kukull prej rrobe me një fustan të kuq dhe kësulë të çuditshme. Këto janë zotërimet e saj në botë, bashkë me tre stola për t’u ulur, një palë sandale me gisht, një llampë vajguri dhe asgjë më shumë”. / El País – Bota.al