Jeta pa Allahun është fatamorganë

0

Ditët kalojnë njëra pas tjetrës, jetës pak nga pak i afrohet fundi e koha ec së bashku me ne pa mos u ndalur asnjë çast. Dhe ja, kur sheh, fëmija është rritur, i riu është kërrusur nga pleqëria e plakun e ka mbuluar dheu. Jeta vërtet nuk është e amshuar, por një hije që kalon, një huazim që duhet kthyer. Ditët e saja harxhohen, lulet e saja

thahen, gëzimi i saj harrohet e mbetet vetëm vepra e njeriut, e mira dhe e keqja e tij. Pastaj, njeriu kthehet tek All-llahu për të dhënë llogari për punët e tij të mira apo të këqija.

Nuk është e drejtë që t’i harxhosh ditët tua të cilat janë të pakthyeshme, në diçka që do të sjell keqardhje e pendim. Pra, shfrytëzoi këto orë të pakta në përulje ndaj Allahut [subhanehu ve teala] se kjo është një thesar i çmuar, vlera e të cilit nuk mund të caktohet me pasuri. Njerëzit kanë harruar, nuk e dinë realitetin e kësaj bote dhe qëllimin e ekzistimit të tyre. Janë habitur dhe kanë humbur rrugën në këtë labirint.

Shpirtrat e tyre nuk zgjohen përderisa t’i rrëmbej Meleku i Vdekjes, e atëherë fillojnë të mendojnë, mirëpo, atëherë i kaplon dhimbja, keqardhja e pendimi ua shtrydh zemrat e tyre. Përkujtojnë jetën e kaluar në punë që s’ju bëjnë dobi. Fillojnë të këlthasin por këlthitja s’u ndihmon. Atëherë kuptojnë se jetën e tyre nuk e kanë shfrytëzuar.

Na lejoni t’i bëjmë vend të vërtetës në shpirtrat tanë, na lejoni ta njohim jetën e vërtetë se jeta që nuk është në rrugën hyjnore, jeta e cila nuk lidhet me Zotin e jetës, jeta e zhveshur nga rregullat islame është jetë e kotë. Pronari i saj gjen në vetvete vuajtje, në shpirtin e tij uri për shkak se ai jeton duke mos e jetuar të vërtetën dhe pa e ditur qëllimin e tij.

Njihe Zotin tënd do ta njohësh vetveten, do ta gjesh gëzimin, do të udhëzohesh drejt qëllimit tënd, e pa këtë jeta jote është si fatamorganë, shkëlqen në nxehtësinë e madhe të diellit dhe të duket se është diçka që të bën dobi dhe kënaqësi porse në realitet ajo s’është gjë, ajo është Fatamorganë.

Marrë nga libri “ Mevakif ve iber” Dr. Sulejman ibën Omer El Eshkar

Përktheu:Agim Bekiri

Publikimi i parë: 3.7.2001