5.6 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Jessen-Petersen: Kosova ka udhëheqje jashtë kohe dhe jashtë realiteti

Më të lexuarat

Ish-kryeadministratori i OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen, i tha Radios Evropa e Lirë se lidershipi në Kosovë është i jashtëkohshëm dhe jashtë realitetit.

Ai tha se Kosova ka nevojë për “një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë”, meqë siç tha “liderët e sotëm nuk po tregojnë asnjë vizion përveç vullnetit për të qëndruar në pushtet”.

Në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, Soren Jessen Petersen, tha se Kosova vazhdon të përballet me të njëjtat probleme sikur edhe shumë vite më parë; me krimin e organizuar, korrupsionin dhe ndërlidhur me këtë edhe mungesën e zhvillimit ekonomik.

Ai tha se BE-ja duhet të jetë më e qartë ndaj Serbisë duke ia bërë me dije se nëse ajo do “që të ecë drejt integrimeve evropiane duhet të ndalojë destabilizimin e Kosovës, posaçërisht përmes ndalimit të veprimeve në veri”.

Jessen Petersen ka qenë Përfaqësues i Posacëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, ndërmjet viteve 2004 dhe 2006, në kohën kur kanë filluar edhe bisedat në Vjenë për statusin politik të Kosovës, me ndërmjetësimin e Presidentit Ahtisaari.

Radio Evropa e Lirë: Zotëri Jessen-Petersen, viti 2016 ishte një vit përplot me zhvillime në Kosovë. Ku i shihni ju të arriturat dhe ku ngecjet?

Soren Jessen Petersen: Fillimisht dua të them se më duhet të jem i kujdesshëm, sepse nuk jetoj më në Kosovë dhe nuk kam qenë në Kosovë këto dy-tri vitet e fundit. Por, unë provoj ta përcjellë situatën përmes raportimeve të medieve dhe në kontaktet me miqtë atje. Dua të them se ne që nuk jemi brenda, gjithnjë duhet të jemi të kujdesshëm sepse nuk dimë shumëçka që ndodhë. Këto prandaj janë përshtypjet e mia të përgjithshme dhe mund të them se në fushën e përparimeve, unë ende besoj se përkundër të gjitha mangësive, dhe për këtë do të flas, por çdo vit që nga pavarësia, mendoj se ajo si e tillë është konsoliduar.

Mendoj se Kosova, jo vetëm se është pranuar zyrtarisht, por edhe në realitet, nga të gjitha ato shtete që e kanë njohur atë. Kosova po merr pjesë në ngjarje ndërkombëtare gjithnjë e më shumë. Prandaj mendoj se përkundër mangësive pavarësia është konsoliduar dhe kjo është e arritur. Nga ana tjetër, më duhet të them se jam shumë i dëshpëruar kur shoh ngecjet dhe në veçanti jam i dëshpëruar sepse e shoh se të gjitha problemet me të cilat përballet Kosova sot janë ato që unë i kujtoj nga koha kur u largova nga Kosova më 2006 dhe ishin të njëjtat kur Kosova u pavarësua; pra kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin dhe natyrisht të ndërlidhur me këtë edhe mungesa e zhvillimit ekonomik.

Ekonomia është shumë e dobët dhe papunësia është ende shumë e lartë. Problemet atje janë reflektuar nga një fakt i dhimbshëm se më shumë se 70 mijë qytetarë nga Kosova kanë provuar që të kërkojnë azil në Evropë. Kjo tregon se njerëzit po largohen nga Kosova dhe kryesisht të rinjtë po largohen, sepse nuk kanë një shpresë se udhëheqësit politikë po e kuptojnë se duhet të adresohen korrupsioni dhe krimi i organizuar, jo vetëm përmes fjalëve të bukura, por në realitet.

Kjo është një çështje e njohur mirë për politikanët për arsye të qarta. Prandaj, deri sa nuk ka vende të punës, të rinjtë nuk kanë shpresë dhe si do të duket Kosova pa të rinjtë?! Prandaj, mendoj se problemet janë të njëjta dhe do t’i dëgjoni sërish nga disa miq të Kosovës. Ambasadori britanik, ambasadori i SHBA-së, vazhdimisht flasin për rëndësinë e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe politikanët thonë ‘po e kuptojmë, por në fakt asgjë nuk ndodh’.

Radio Evropa e Lirë: Meqë ju e përcillni situatën në Kosovë; është kjo një ​mungesë e lidershipit në Kosovë?

Soren Jessen Petersen: Mendoj se po. Mendoj se fatkeqësisht Kosova ka gjeneratën e njëjtë të udhëheqësve politikë që ishin në pushtet ose afër tij, madje edhe para pavarësisë. Janë të njëjtit. Shikojini fotografitë e tyre dhe janë të njëjtit. Këta udhëheqës politikë, unë besoj, janë jashtë kohe dhe jashtë realitetit. Dhe prandaj për mua Kosova, dhe kjo ndodh edhe me vendet e tjera në Evropë, por në veçanti Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë.

Është Vetëvendosja, me ndoshta gjeneratën e re por, me keqardhje e them se Vetëvendosja shumë shpesh vepron si rrënuese në vend të ndërtueses së shoqërisë. Prandaj, udhëheqja politike është jashtë realitetit dhe ata ende nuk po i kuptojnë porositë se çfarë duhet të adresojnë për të ecur përpara, p.sh në çështjen e liberalizimit të vizave.

Gjithë atë që e bëjnë është se kur kthehen nga Brukseli qytetarëve ua shpërndajnë thashethemet e rreme se liberalizimi i vizave do të bëhet brenda një muaji, ose fjalë të tjera, dhe natyrisht ne të gjithë e dimë se kjo nuk do të ndodh.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Soren Jessen Petersen, ju e njihni këtë udhëheqje në Kosovë që prej vitesh kur ende keni qenë këtu. Pse e ka të vështirë Kosova t’i tejkalojë dallimet brenda skenës politike?

Soren Jessen Petersen: Sepse, mendoj unë, ata udhëheqës politikë që sot janë në pushtet dhe edhe ata në opozitë janë udhëheqës të një pakice të vogël – më thjeshtë të votuesve të tyre – dhe në disa raste madje as edhe të të gjithë votuesve të tyre. Pra, nuk ka një lidership të Kosovës që mund ta bëjë bashkë Kosovën, në të cilin popullata e Kosovës do të kishte besim dhe mbështetje.

Ata nuk po tregojnë asnjë vizion përveç vullnetit për të qëndruar në pushtet, ata që janë në pushtet, por nuk ka një vizion se si të lëvizet Kosova përpara. Ata thjeshtë nuk janë një model për qytetarët dhe për gjeneratat e reja. Pa vizion, pa qëllime të qarta, pa dikë që e bën vendin bashkë është shumë e vështirë që të lëvizë vendi përpara.

Radio Evropa e Lirë: Qytetarët e Kosovës edhe njëherë kanë pritje të mëdha nga bashkësia ndërkombëtare. Këtë radhë me Gjykatën Speciale. A do ta ndihmojë kjo Gjykatë shoqërinë e Kosovës që të ndërtojë sundimin e ligjit?

Soren Jessen Petersen: Fillimisht dua të njoh si të them meritat. Mendoj se përgjithësisht udhëheqësit politikë kanë bashkëpunuar në krijimin e Gjykatës, megjithëse e di se ka pasur edhe shumë kundërshtime. Prandaj është mirë, sepse Kosova e kupton se pavarësisht nëse pajtohen ose jo, kjo Gjykatë do të krijohet dhe ajo tani është krijuar.

Prandaj, do të them se meqë udhëheqësit politikë nuk po bëjnë përpjekje për të ndërtuar sundimin e ligjit nga brenda Kosovës edhe njëherë duhet të bëhet nga jashtë saj. Pothuaj të imponohet nga jashtë. Prandaj mendoj se Gjykata, me shpresë, edhe njëherë do t’i tregojë Kosovës, udhëheqjes politike dhe shoqërisë, se vendi nuk mund të ecë përpara, nuk mund të arrihet përparim nëse nuk bazohet në sundimin e ligjit.

Radio Evropa e Lirë: Le t’i kthehemi edhe njëherë udhëheqjes politike. Ishte një vit i vështirë me kundërshtime të forta ndaj proceseve, siç ishte ai i ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. A mund të përballet Kosova me, ta quaj, “dënim” ndërkombëtar për mos respektim të marrëveshjeve ndërkombëtare?

Soren Jessen Petersen: Mendoj se kemi parë një shembull me liberalizimin e vizave. Mendoj se është shumë e dhimbshme për qytetarët e Kosovës se nuk i gëzojnë të njëjtat liri nga të gjitha vendet e tjera në Evropë. E kam theksuar edhe më herët se ky është rezultat i mungesës së përparimit, mungesës së vullnetit politik që të adresohen krimi i organizuar, korrupsioni, por njëkohësisht është edhe reflektim i faktit se ende janë 5 shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Është e dhimbshme, por mendoj se gjithashtu është edhe një porosi e fuqishme nga BE-ja, megjithëse ju e quajtët dënim. E them sërish se kjo porosi është përcjellë sërish nga udhëheqësit e BE-së në Bruksel, zyrtarët e BE-së që kanë udhëtuar në Kosovë, se ‘ne duam të shohim që Kosova do ta marrë liberalizimin e vizave’ por ju në Kosovë duhet të kryeni ‘detyrat e shtëpisë’. Veç tjerash, duhet të adresoni krimin e organizuar dhe luftën kundër korrupsionit.

Pra, Kosova do të vazhdojë të jetë e privuar nga ajo që duhet ta ketë. Sepse Kosova duhet ta gëzojë atë liri të lëvizjes si çdo shtet tjetër. Por, ka detyra që duhet kryer dhe me sa duket BE-ja ende nuk është e kënaqur me punën e bërë nga establishmenti politik në përmbushjen e kushteve.

Radio Evropa e Lirë: Dhe a e besoni se ky lidership mund të kryej këto detyra?

Soren Jessen Petersen: Duke e parë atë që është bërë ose më mirë atë që nuk është bërë, unë e kuptoj se pse kaq shumë njerëz po e humbin besimin në aftësinë apo vullnetin e lidershipit politik që të bëjë atë që kërkohet për ta marrë, atë që tani është më e rëndësishmja, liberalizimin e vizave.

Radio Evropa e Lirë: Ka një tjetër çështje që ka shkaktuar problem në Kosovë. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. A po e ndan Kosovën mbi baza etnike sërish? Serbët e cilësojnë si një gjë që u mundëson mbijetesën në Kosovë, shqiptarët thonë se do ta ‘minojë shtetin e tyre’. A do të ndihmojë Asociacioni në rritjen apo uljen e e tensioneve?

Soren Jessen Petersen: Të gjithë e dimë se kjo është një çështje e vështirë. Plani Ahtisaari, që ishte një bazë për pavarësi, flet për një shkallë të caktuar të autonomisë në veri. Mendoj se pjesa e dhimbshme e kësaj është, dhe këtu BE-ja nuk ka qenë e qartë për palët, pra pjesa e dhimbshme është se pa dyshim se Serbia po bën ç’është e mundur që të destabilizojë pavarësinë e Kosovës.

Mendoj se BE-ja duhet të jetë shumë më e qartë ndaj Serbisë. Nëse Serbia do që të ecë drejt integrimeve evropiane duhet të ndalojë destabilizimin e Kosovës dhe një prej mjeteve të saj për ta bërë këtë është përmes veprimit në veri. Sërish, unë ndjej keqardhje për njerëzit që jetojnë në veri, pra për serbët atje.

Ndjej keqardhje për dy arsye; njëra, sepse ata janë përdorur si mjet nga Qeveria e Beogradit dhe e dyta, nga pjesa e Kosovës dhe sërish mendoj se udhëheqësit e Kosovës nuk kanë qenë të qartë sa duhet në përpjekje për t’ju qasur serbëve të Kosovës që ende jetojnë atje. Po e shoh se ka nisma të ndryshme nga politikanë të ndryshëm, por ka ende një ndjenjë se kjo po ndodh sepse BE-ja ua ka kërkuar që ta bëjnë, megjithëse mendoj se duhet të jetë më reale. Mendoj se problem kryesor i BE-së që duhet ta adresojë këtu është vazhdimi i përpjekjeve destabilizuese nga Serbia.

Radio Evropa e Lirë: Por, ka një dialog që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e BE-së. A është përdorur apo shpërdorur ai?

Soren Jessen Petersen: Mendoj se nga njëra anë natyrisht janë arritur disa gjëra. Por gjithashtu mendoj se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, dhe në veçanti kam përshtypjen Serbia kanë hyrë në këtë gjë sepse BE-ja i ka thënë ta bëjë. Dhe e dyta, ka hyrë për të insistuar në të ‘drejtën e saj’, gjendjen e saj. Por, mendoj se nuk ka një vullnet të vërtetë për t’u ulur dhe provuar që të zgjidhen këto çështje në interes të të dyja shteteve, në interes të stabilitetit të të dyja palëve dhe në interes të stabilitetit rajonal.

Mendoj se dialogu është shumë i rëndësishëm dhe siç e thash ka pasur edhe të arritura. Megjithëse ai është i bazuar, pothuaj, në një pikë fillestare të frikës – heqje dorë nga çkado apo nga diçka më shumë. Mendoj se dialogu duhet të vazhdojë, por gjithashtu mendoj se BE-ja duhet të jetë e qartë për marrëveshjet e arritura dhe që nuk janë zbatuar. Sërish porosia për Serbinë duhet të jetë shumë e fuqishme. Por, natyrisht se edhe Kosovës duhet t’i thuhet se ka përgjegjësi në dialog me qasje konstruktive dhe zbatim të asaj që është arritur. (REL)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit