Jeruzalemi kryeqytet, SHBA i vendos veto rezolutës së OKB

0
86

Shtetet e Bashkuara të hënën vendosën veton ndaj një projekt-rezolute të OKB-së që kundërshton vendimin e Presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Ndërsa të gjithë 14 anëtarët e tjetër të Këshillit të Sigurimit mbështetën masën. Vetoja e vendosur nga ambasadorja amerikane Nikki Haley, vuri në dukje izolimin e Uashingtonit mbi njoftimin e Trump se ambasada e SHBA do të zhvendoset nga Tel Avivi në Jeruzalem, duke injoruar pretendimet palestineze në qytet.

Aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara si Britania, Franca, Italia, Japonia dhe Ukraina ishin mes 14 vendeve në këshillin prej 15 anëtarësh që mbështetën masën duke pohuar se çdo vendim mbi statusin e Jeruzalemit “nuk ka efekt ligjor, është i pavlefshëm dhe duhet të anullohet”. “Asnjë vend nuk mund t’i thotë Shteteve të Bashkuara se ku mund të vendosim ambasadën tonë”, tha Haley pas vetos.

Egjipti parashtroi projekt-rezolutën që këmbëngul se Jeruzalemi është një çështje që duhet “të zgjidhet përmes negociatave” mes Izraelit dhe palestinezëve dhe shpreh “keqardhje të thellë në vendimet e fundit lidhur me statusin e Jeruzalemit”, pa përmendur në mënyrë specifike masën e Trump.

Shtetet e Bashkuara së bashku me Britaninë, Kinën, Francën dhe Rusinë mund të vënë veto ndaj çdo rezolute të paraqitur në këshill, e cila kërkon nëntë vota për miratim. Duke prishur konsensusin ndërkombëtar, Trump njoftoi më 6 dhjetor se njeh zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe do të lëvizë atje ambasadën amerikane nga Tel Avivi, duke shkaktuar protesta të dhunshme dhe dënime të forta.