Jashar Salihu, luftëtari dhe diplomati i përkushtuar për lirinë e Kosovës

0

Që në fillim të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë, në vitin 1990, ndër personat e parë, ish-të burgosur politikë, ku do të drejtoheshim për ndihmë, do të ishte Jashar Salihu.

Ashtu siç kishim pritur, ai nuk do të ngurronte aspak për të na ndihmuar, dhe, në këtë mënyrë edhe për të na dhënë forcë që ta tejkalonim shijen e hidhur që na e kishte shkaktuar refuzimi “diplomatik” që kishim marrë nga radha e disa ish-të burgosurve tjerë, më të moshuar, të trevës së Dukagjinit.

Anëtari i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), i angazhuar në Komitetin e Deçanit, kështu, pas 4 vitesh të kaluara në burgjet serbe, po ridëshmonte bindjen e tij se rruga e çlirimit të Kosovës dhe viseve të saj, në radhë të parë duhet të kalojë përmes pajtimit dhe bashkimit të shqiptarëve, se çlirimi, në mos i pamundur, do të jetë një proces tejet i vështirë po qe se do t’i gjente shqiptarët në hasmëri me njëri-tjetrin.

Dhe, kështu, po e nderonte edhe drejtuesin dhe bashkëveprimtarin Jusuf Gërvalla; zgjedhja që i kishte bërë për bashkëpunëtor sërish po ridëshmohej e qëlluar.

Prandaj, duke e përvetësuar si moto jetësore thënien e Jusufit: “Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli”, Jashar Salihu do të jetë i pandalshëm. Ai do të troket në sa e sa dyer të odave të shqiptarëve dhe do t’i lus ata me tërë qenien e tij që të mbyllnin hasmëritë, të falnin njëri-tjetrin, ta shtrinin dorën e pajtimit-të bashkoheshin.

 

Jashar Salihu (1953 – 2000)

 

Faktikisht kjo lutje dhe lutjet tjera të natyrës së tillë, ishte lutja e vetme që njihte në tërë jetën e tij. Dhe, ai dinte se kur duhej edhe të dilte në ballë. Jo rastësisht, më 1 maj të vitit 1990, do ta drejtojë tubimin te Verrat e Llukës, ku kishte më se 500 mijë të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, ku do të arriheshin 106 pajtime; 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.

Njeriu që në çantë kishte milionat, bukën e hante me domate 

Një fakt që s’duhet harruar me këtë rast: tubimi, fillim e mbarim ishte vrojtuar nga policia serbe, e cila për të demonstruar forcën e vet kishte ardhur edhe me një mori autoblindash. Prandaj, për t’ia kujtuar se nuk e kishin harruar “fajin” që kishte bërë Jashari, në fund të këtij viti e arrestojnë dhe e torturojnë tmerrësisht, barbarisht. Por, asgjë nuk përfundon me kaq; ndjekja e tij do të vazhdojë edhe më tutje, në çdo hap, gjer aty sa ta detyrojnë të marrë rrugën e mërgimit. Mirëpo, Jashari nuk ishte nga ata djem të Kosovës që largësia nga atdheu do t’ia zbehte apo shuante dashurinë dhe përkushtimin për lirinë e tij.

Përkundrazi, veprimtaria e tij politike, në kuadër të ish-LPK-së, vetëm se do të shënojë ngritje dhe do të marrë dimensione të reja, të shumanshme; duke qenë paraprakisht në hierarkinë më të lartë drejtuese të saj, me nismën e tij në vitin 1993, do të formohet Fondi “Vendlindja thërret”, fond i cili fillim e mbarimin ka qenë në funksion të formimit të vetëfinancimit të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Që nga ky vit, pra që nga koha e themelimit, Jashar Salihu ka qenë kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”. Porse, ai nuk ishte njeri i zyrës, nuk dinte dhe nuk ia ka lejuar kurrë vetes që ta kalojë kohën vetëm në të; në kontakte të vazhdueshme me bashkatdhetarë ka derdhur të gjithë energjinë tij, në mënyrë që fondi të fuqizohej me mjete; që, kështu, për ushtarët e UÇK-së të siguroheshin sa më shumë armë dhe pajime të luftës. Dhe, fjala e tij, dhe shembulli i tij, kanë gjetur gjithnjë përkrahje. Ndryshe nuk mund të mendohet të ndodhte me një njeri të devotshëm gjer në vetëmohim, siç ishte Jashar Salihu, i cili me ditë dhe net të tëra, për shkak të aktivitetit në shërbim të luftës në Kosovë, nuk mund të kthehej dhe të shijonte ngrohtësinë familjare, ta pushonte qoftë vetëm për pak çaste trupin e dërrmuar nga torturat nëpër burgje.

Ai as nuk kishte makinë e as nuk dinte si ishte të ulej në restorante a hotele, për ta ngritur një gotë apo për ta ngrënë një kafshatë bukë. Janë të panumërta netët kur Jashari kthehej tejet vonë nga tubimet me bashkatdhetarët, nga takimet me diplomatë perëndimorë apo përfaqësues të mediave, dhe në Redaksinë e “Zërit të Kosovës”, ku ishte edhe zyra e Fondit, merrte për të ngrënë një kafshatë bukë, shpeshherë të sa e sa ditëve më parë, me një domate a me peshk të konzervave (ushqimi më i lirë në Zvicër) dhe pinte ndonjë gotë ujë nga uji natyral apo, po të ndodhej, i gazuar, ndërkaq që çantën e kishte përplot me para. Thjesht, ishte e paparamendueshme që në radhë të parë të mos ndodhte për të na u afruar dhe pyetur se si na shkojnë punët me gazetën, a kemi informata nga fronti i luftës në Kosovë, dhe, duke qenë edhe në kontakt të vazhdueshëm me luftëtarët e lirisë, të na sillte informata të dorës së parë. Para opinionit ndërkombëtar i thoshte troç aspiratat e Kosovës

Këtë privilegj nuk e ka gëzuar vetëm “Zëri i Kosovës”. Janë të panumërta mediat perëndimore, të cilat duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me të, për lexuesit e tyre plasonin top informata nga lufta në Kosovë, duke përhapur kështu edhe të vërtetën e kësaj lufte, ashtu siç janë të shumtë gazetarët dhe reporterët që kanë hyrë në Kosovë përmes tij, për të raportuar prej andej. ”Shqiptarët e Kosovës janë evropianë dhe nuk kanë lidhje me terrorist. Ata janë të vendosur të luftojnë deri në fund”, i ka deklaruar Jashar Salihu gazetës amerikane “The Christian Science Monitor” të datës 16 prill 1998, duke mbrojtur kështu dhe përhapur të vërtetën për shqiptarët dhe vlerat civilizuese perëndimore, të luftës së UÇK-së, njëkohësisht duke demantuar propagandën antishqiptare të regjimit kriminal të Milosheviqit dhe satelitëve të tij.

Prandaj, në sensibilizimin e opinionit perëndimor me të vërtetën për luftën e drejtë të Kosovës kundër forcave kriminale të Milosheviqit, roli i Jasharit është i pazëvendësueshëm, dhe, rrjedhimisht, po dëshmohej se jorastësisht në kuadër të Drejtorisë Politike të UÇK- së, ishte anëtar i Grupit për Marrëdhënie me Jashtë, ndërkaq që më vonë do të jetë përfaqësuesi i parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në Zvicër. Ana tjetër që e shquan atë, që nuk do duhej harruar për asnjë çast,është ajo se Jashar Salihu, ishte, siç thotë një fjalë, edhe i gishtit: këtë e ka dëshmuar sa e sa herë duke qenë krah për krah luftëtarëve të lirisë edhe në frontin e luftës, në detyra të karakterit të veçantë.

Jashari nuk dinte të moralizonte në raport me bashkatdhetarët. Gjithnjë printe me shembullin personal, dhe, me të drejtë, gjërat I thoshte troç: kërkonte prej tyre të përmbushnin gjithanshëm obligimin ndaj UÇK-së dhe lirisë së Kosovës, dhe e quante për fyerje që ky të degradohej duke u cilësuar si ndihmë. ”Kosova nuk ka nevojë për lëmoshë”, – thoshte ai, ndaj saj kemi obligime, vetëm borxhe. Troç i thoshte edhe para opinionit ndërkombëtar aspiratat e Kosovës, dhe tregonte rrugën që do të çonte në zgjidhjen e çështjes së saj: “Të vetmet bisedime të pranueshme midis shqiptarëve dhe Beogradit janë ato që do të përcaktonin kufijtë midis Serbisë dhe Kosovës”, do të shprehej për të njëjtin numër të gazetës “The Christian Science Monitor”.

Prandaj, o njerëz të mirë, duke qenë i brumosur me pikëpamje të tilla progresiste – duke e konsideruar borxhin ndaj Kosovës si diçka që kurrë s’mund të thuhet se tani është përmbushur, Jashari s’kishte se si të vdiste ndryshe, vetëm se me sy çelë. Ajo që ngjau me të më 17 dhjetor të vitit të shkuar, në spitalin kantonal të Araut të Zvicrës, e ka fillesën që në pranverën e vitit 1981. Që nga burgu i Pejës, pastaj ai i Foçës. Mos e kërkoni askund tjetër shkakun. Mos të humbet kot kohë në këtë drejtim. Në vend të kësaj të vazhdohet dhe të çohet përpara ideali i tij dhe i brezave të tëra me radhë. Dhe, të mos harrohet ai dhe bashkëluftëtarët e tij dëshmorë, përkujdesi dhe nderimi i familjeve tyre./Kumti.com