Jahjaga në Abu Dhabi për energjinë e ripërtërishme

0
101

Politika globale dhe liderë biznesesh, përfshi nëntë liderë shtetërorë e kryeministra, do të marrin pjesë të shtunën e ardhshme në Abu Dhabi për Javën e Qëndrueshmërisë Abu Dhabi 2016 (ADSW), një tubim ky që është edhe më i madhi i këtij lloji në Lindjen e Mesme.

ADSW, që për nikoqir ka kompaninë “Masdar” – kompania për energji të ripërtërishme në Abu Dhabi – do të tërheq më shumë se 33,000 delegatë, përfshi mbi 80 ministra dhe vizitorë nga 170 shtete.

Në këtë ngjarje, ku do të adresohen sfidat e ndërlidhura të energjisë dhe sigurisë së ujit, ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, raporton Koha.net.

Veç saj, të pranishëm do të jenë edhe Enrique Pena Nieto, President i Meksikos; James Michel, President i Seychelles; Tommy Remengesau, President i Palaut; Tomislav Nikoliq, President i Serbisë; Muhammadu Buhari, President i Nigerisë; Henry Puna, kryeministër i Ishujve Cook dhe Abdelilah Benkirane, kryeministër i Marokut.

ADSW 2016, ngjarje e cila ka nisur dje (16 janar) dhe do të përfundojë më 23 janar, bazohet në katër shtylla kyçe: politikë, biznes, lidership dhe vetëdijesim/hulumtim.

Në këtë samit, një fjalë rasti do të mbajë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

Konferenca ka për qëllim në futjen në praktikë të synimeve ambicioze të arritura në Marrëveshjen për Klimën në Paris dhe të Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030.

Kjo ngjarje do të organizojë edhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve të edicionit të tetë të “Zayed Future Energy Prize” dhe “Abu Dhabi Global Action Day”.