13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Ja çfarë thotë Pandeli Majko për mardhëniet Turko-Shqiptare

Më të lexuarat

01 Shtator 2011

Ish-kryeministri Pandeli Majko, në një intervistë për “Shqip”, deklaron se shqiptarët nuk duhet të shqetësohen nga deklaratat e ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, në lidhje me çështjen e historisë, por duhet të kuptojnë mirë “kodin” e ri të politikës së jashtme të Ankarasë.

Në një intervistë për “Shqip”, drejtuesi i lartë socialist dhe deputet i Kuvendit analizon zhvillimet më të reja në lidhje me pozitën shqiptare në Ballkan, si dhe çështjen e shumëdiskutuar të regjistrimit të popullsisë. Për këtë çështje, ish-kryeministri shqiptar thekson se nuk i duhet fryrë një gjuhe urrejtjeje që na çon 100 vjet mbrapa…

Z.Majko, vizita e para pak ditëve më parë e ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, në Kosovë, solli impaktin në publik tek kërkesa tashmë zyrtare e Ankarasë për revizionimin e historisë së shqiptarëve në lidhje me Perandorinë Osmane. Çfarë po ndodh realisht, sipas jush, në marrëdhëniet me një vend mik?
Nuk po ndodh diçka që nuk pritej. Konteksti i vizitës se numrit një të diplomacisë turke mendoj se duhet lexuar si pjesë e një protagonizmi që politika turke ka dashur të luajë në rajonin e Ballkanit. Ky i fundit jo vetëm që mbetet dimensioni europian i politikës turke, por në thelb i shërben asaj për cilësinë e saj si porta e marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Lindjen. Boshllëku që la pas Lufta e Ftohtë dhe prishja e Jugosllavisë nuk kishte si të mos e risillte në fushën e lojës këtë fuqi ndërkombëtare për nga pesha dhe roli, në një terren që ajo e njeh si pak të tjerë…

Z. Davutoglu u kërkoi shqiptarëve të Kosovës të largohen nga trashëgimia e Titos dhe Enver Hoxhës. Po cilës trashëgimi do të duhet t’u referohen shqiptarët, pasi edhe Skënderbeu apo rilindësit quhen vetëm si mite të krijuara nga historianët?
S’di ç’të them, pasi nuk jam i qartë për mënyrën e referimit…por nuk besoj se deklarimi si tillë duhet parë si “fyes” apo “deshqiptarizues” apo edhe më keq, që të vijë si ftesë për të na larguar nga identiteti ynë europian drejt një “otomanizmi modern”…Jo! Turqit nuk para pëlqejnë të jenë naivë në mënyrën e të bërit diplomaci, dhe aq më pak që kjo pastaj të shërbente që shqiptarëve t’u lëviznin nervat e të ndiheshin të sfiduar nga miqësia turke. Së pari, Ahmet Davutoglu nuk përfaqëson sot “të sëmurin e Bosforit”, që ne dhe kalamajtë tanë kanë lexuar nga librat e historisë. Interesat turke, edhe për favorin e tyre dëshirojnë një faktor të rilindur gjeopolitik shqiptar, i cili do t’i shërbente stabilitetit rajonal, por edhe një protagonizmi turk në rajon. Trashëgimia që lanë Tito dhe Enver Hoxha në planin gjeopolitik fillonte nga rindarja e Europës në Versajë. Kuptojeni “kodin” turk ashtu siç është, se nuk ka ardhur të shpallë shqiptarët si “turqit e rinj” të Europës, por të bëjë një ftesë miqësore për të kuptuar e pohuar një realitet të ri në rajon. Ky realitet është i tillë ku faktori shqiptar nuk është dhe nuk mund të luajë më si “nënprodukt” i Beogradit, dhe as të “neutralizohet” nga subkoshienca e izolimit të mëparshëm…

Zoti Arbën Xhaferri, në një intervistë të botuar thekson se, kjo mund të shkaktojë një ndarje edhe më të madhe mes të krishterëve shqiptarë dhe atyre myslimanë apo mes shqiptarëve të vendit amë dhe atyre të Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi. Sipas jush, kjo qasje, a ka një mundësi reale?
Ah, me Arbën Xhaferrin më lidh miqësi dhe nuk i hyj asnjë lloj debati…Që Turqia të shihet si faktor ndarës i shqiptarëve?!…Kjo është e tepruar për nga influenca reale që ka Turqia mbi botën shqiptare. Fëmijët e mi studiojnë në një shkollë turke dhe si ortodoksë që janë them se u ka bërë shumë mirë dhe jo keq. (Qesh) Unë kam miq në Turqi, që nga Pandeli shkurt më thërrasin “Ali”…Bo bo, ç’duhet t’u them këtyre miqve të “pabesë” tani(?!) Turqisë dhe turqve, që për arsye të njohura dhe të panjohura ne “arnautëve” na duan…dhe ky nuk është as mëkat e as gjynah…

Në fakt, që nga vizita e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë në Ankara disa kohë më parë, diçka ka ndodhur me sjelljen e Turqisë me shqiptarët. Kemi një afrim mes dy vendeve, e më pas në Prishtinë u bë kërkesa për të ndryshuar librat. Sipas jush, në një mjedis ku nuk janë më ekuilibrat e vjetra (ku Greqia nuk është më kreu i grupit ortodoks të Ballkanit, pasi po laicizohet më shumë), si do të jetë pozita e shqiptarëve në rajon?
Do të më falni, por nuk jam dakord me formulimin e pyetjes suaj. Nuk ka ndodhur asgjë së fundmi. Ajo çfarë po shohim është një reflektim i dukshëm i asaj që ka kohë që ka ndodhur. Pas Luftës së Ftohtë, edhe Rusia i ka pranuar jo pa nervozizëm një rol të zgjeruar Turqisë edhe në ish-territoret e Bashkimit Sovjetik. Ndërkaq, politika e Turqisë është bërë sidomos “ekonomike” në marrëdhënien e saj me Moskën. Politika e Beogradit e di që Turqia nuk fillon dhe mbaron në interesat e saj në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni apo Shqipëri…Serbia po vlerëson statuskuonë ruso-turke, të rilindur me ose pa dëshirë, pasi një pjesë e rëndësishme e interesave të saja “europiane” mbulohen nga politika ruse. Është një histori interesante në vazhdim…Pastaj, loja nuk ka të bëjë me laicizmin e Greqisë etj., etj…Gabohet kushdo që mendon se kombi i Odiseut është në “rënie” dhe Serbia e “rilindur” po ja merr. Më lejoni të përdor fjalën “broçkulla” dhe fantazi të përkohshme, që tregojnë se Beogradit për arsye të pranueshme i rri ngushtë “kostumi” i Serbisë…dhe vjen vërdallë për të krijuar perceptim, por jo përmbajtje të një diplomacie “pa dalje në det”…

Si Kryeministër dy herë dhe ministër i Mbrojtjes keni prekur më afër relacionet shqiptaro-turke në dy periudhat, para dhe gjatë epokës Erdogan. A ka një ndryshim qasjeje politike në lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët?
Si e kuptoj unë, nuk ka ndryshime thelbësore…Turqit na njohin dhe na pohojnë në historinë e tyre me respekt, i cili do të vijë në rritje po të ketë një përgjigje partnerësh nga politika shqiptare. Ka dashuri, siç ka dhe interesa reciproke. Turqit dinë historikisht t’i ndajnë ndjenjat me interesat. Dhe interesat e tyre nuk mund të mbeten “karta rezervë” e interesave shqiptare, dhe as nuk mund të jenë një “tradhti” hipotetike e shqiptarëve ndaj Europës…Vizitat e turqve në Prishtinë dhe Tiranë i kam parë jo si pyetja: “A do vini me ne?”, por në kontekstin: “A jeni gati për një rol të ri”…Dhe, kanë të drejtë!

Doja t’jua bëj këtë pyetje, duke qenë edhe nga lidhja, por edhe impakti i madh që keni në Kosovë, por edhe në trevat e tjera shqiptare. Si e konsideroni një gjallërim të opinionit publik, kryesisht në Prishtinë, që kërkon të bëjë ndarjen me shqiptarë dhe kosovarë, apo edhe duke krijuar një opinion që ka një ndarje “me thikë” kulturore që nuk mund të krijojë një trung të përbashkët?
Nuk ja vlen të biem në nivelin e sherreve të identiteteve që “hëngri” Jugosllavia e vjetër dhe që nuk janë, për fat të mirë, një fenomen shqiptar…Gjergj Kastriot Skënderbeun nuk e bëjmë dot “kosovar” sa mund ta bëjmë koburen e Isa Buletinit “prodhim lab”…Por ama, pa diskutim që ka diçka tjetër e cila është e pashmangshme edhe si diskutim. Ky është identiteti i shtetit të Kosovës dhe fizionominë e tij, e cila nuk ka pse rri nën hijen e “neutralitetit” aktual naiv të shtetit të Shqipërisë. Prishtina po bëhet kryeqyteti i dytë i shqiptarëve në rajon, dhe ky është fakt. Kjo po prodhon fakte dhe balanca të pashmangshme, për të cilat të them jam i kënaqur, është pak!…

Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri ka hapur një polemikë, që me letrën e nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së drejtuar zonjës Topalli u bë edhe politike zyrtare. Si e konsideroni ju shqetësimin e disa qarqeve të opinionit publik, por edhe të qytetarëve, për rrezikun e deformimit të të vërtetës reale për gjendjen etnike në vend apo edhe atë fetare?
Unë jam shprehur disa herë për këtë çështje dhe nuk kam diçka të re për të shtuar. Ne jemi shtet gati njëshekullor dhe fqinj me grekët nga fillimi i kohës. Shteti shqiptar nuk po kryen regjistrimin e parë të vet në histori, dhe as të fundit. As dua ta vlerësoj më shumë seç duhet, dhe as ta anashkaloj regjistrimin e “postkomunizmit” dhe krizën e identitetit që prodhoi ai. Në Shqipëri, minoritetet njihen nga lindja e tij si shtet edhe si rezultat i rrethanave historike se si u monitorua ky proces nga fqinjët dhe fuqitë e kohës. Shqipëria nuk është shtet “multietnik” dhe askush nuk mund ta ndryshojë këtë fakt të njohur që nga dokumentet që Lidhja e Kombeve prodhoi për shtetin shqiptar, që nga njohja e tij si i tillë. Kombit dhe shtetit grek sot i duhet miqësia e Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe jo i individëve të cilët nuk dinë nga vijnë dhe ku shkojnë…Ka një realitet në marrëdhëniet fqinjësore të Shqipërisë, i cili nuk duhet të influencohet nga një proces kaq i dyshimtë dhe me ngarkesë të madhe emocionale siç është ai i regjistrimit të popullsisë. Shqipëria dhe Greqia nuk bënë marrëveshje për shkëmbim popullsish, siç bëri Turqia dhe Greqia…Dy fqinjë kaq të vjetër që s’kanë bërë një luftë të mirëfilltë midis tyre për shekuj me radhe e që janë martuar, gëzuar dhe vdekur krah njëri- tjetrit, ndryshe nga marrëdhënia e plasaritur të shqiptarëve me sllavët. Nga ky këndvështrim, mendoj se vlen të reflektohet për të mos përsëritur gabime të përkohshme dhe kosto pasionesh ballkanike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit