Izrael, vazhdojnë kërkimet për agresorin e Tel Avivit

0
72

Në Izrael, forcat e rendit vazhdojnë kërkimet e atentatorit që një ditë më parë sulmoi me armë zjarri një bar në qendër të Tel Avivit, duke vrarë dy persona.

Autori, sipas të dhënave, është një arabo-izraelit dhe rezulton mendërisht i paqëndrueshëm dhe pa asnjë lidhje me Shtetin Islamik.

Lajmin e ka bërë të ditur një avokat, njëkohësisht i afërm i të dyshuarit, Sami Melhem për televizionin izraelit.

“Ky person nuk është i shëndetshëm mendërisht dhe mesa di unë, që nga koha që e përfaqësoj, ai ka qenë nën kujdesje mjekësore dhe është akoma. Së fundmi kishte filluar të endej rrugëve si një i sëmurë mendor”, ka thënë Melhem.

Sulmi ndodhi në lokalin “Hasimta”, në rrugën Dizengoff, në qendër të Tel Avivit dhe në orarin e pikut. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se, agresori kishte veshur një xhaketë gri dhe një maskë të zezë. Ai qëlloi rreth 30 plumba me një armë automatike, duke goditur klientët që po festonin një ditëlindje.

Sipas bilancit të përditësuar, përveç dy personave të vdekur 7 të tjerë rezultojnë të plagosur. Ndërkohë, pas sulmit autori u largua në këmbë dhe kërkimet vijojnë në ndërtesat përreth, në rrugën Reines.

Banorët kanë marrë urdhër nga policia që të qendrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre, ndërkohë që motivi i sulmit, siç tha kryebashkiaku Ron Hulday, nuk është ende i qartë.