16.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Islamofobia nuk është diçka e re

Më të lexuarat

Praktikisht, qëkurse kultura evropiane u takua me Islamin, filloi të lindte një frikë dhe armiqësi evropiane ndaj tij. Me kalimin e shekujve kjo frikë ka marrë forma të ndryshme. Situata nuk ka qenë gjithmonë e njëjtë, por duke u kthyer në shekullin e 19-të dhe më herët mund të rendisim shembuj të shumtë të shfaqjes së islamofobisë. Shembuj të frikës sistematike ndaj muslimanëve dhe Islamit, shembuj dhune, paragjykimi dhe fanatizmi që janë rezultat i kësaj frike. Disa shembuj historikë islamofobie janë përzënia e Murëve nga gadishulli Iberik në vitet 1400, pasi kishin jetuar për shekuj në paqe nën sundimin e muslimanëve si dhe pasojat e kruqëzatave të organizuara kundër muslimanëve; dëbimi sistematik dhe torturimi i muslimanëve dhe hebrenjve gjatë inkuizicionit, armiqësitë që zunë vend gjatë kohës së Osmanëve dhe krimet e kryera ndaj muslimanëve prej kolonizatorëve evropianë. Secili nga këto shembuj islamofobie ka karakteristikat e tij, pavarësisht se në fokus janë muslimanët dhe Islami. Megjithatë ato kanë edhe disa elementë të përbashkët.

Islamofobia moderne ka disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen dhe përhapjen e saj në Evropën e shekullit të njëzetë. Dikush mund të mendojë se islamofobia i ka rrënjët e saj në sulmet terroriste të 11 shtatorit ndaj Qendrës Tregtare Botërore në vitin 2001. E megjithatë, islamofobia i ka fillimet e saj në vitet 1960-të. Dy nga faktorët më të rëndësishëm që ndihmuan në zhvillimin e islamofobisë ishin rritja e popullsisë muslimane në Evropë dhe fuqizimi ekonomik i vendeve arabe falë rezervave të mëdha të naftës. Në vitin 1960-të në vendet evropiane jetonin rreth 15 milionë muslimanë. Në këtë periudhë historike perëndimi ndjente armiqësi ndaj kombeve arabe si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të naftës dhe nënprodukteve të saj. Përqendrimi i fuqisë ekonomike në Lindjen e Mesme u shndërrua në thirrje alarmi për Perëndimin.

Valët e terrorizmit të shpërthyera si reagim ndaj sjelljes së SHBA-ve kanë ndihmuar në ngurtësimin e ideve të gabuara rreth muslimanëve dhe kanë krijuar një ndjesi globale anti-muslimane. Në të gjitha periudhat historike të ekzistencës së saj islamofobia është karakterizuar nga injoranca në lidhje me Islamin dhe muslimanët. Në të shkuarën si justifikim kryesor për të sulmuar muslimanët ka shërbyer frika fetare, edhe pse arsyeja e vërtetë ka qenë politike dhe lidhej me dëshirën për sundime territoriale dhe fuqizim ekonomik. Edhe sot situata mbetet e njëjtë. Islamofobia moderne është gjithashtu e ngritur mbi injorancën. Gjithsesi, sot, frika kryesore mbi të cilën islamofobia ngjizet është frika nga terrorizmi dhe dhuna ekstreme. Megjithatë, motivet e vërteta nuk kanë ndryshuar dhe është mese e qartë se fuqizimi ekonomik i vendeve muslimane, sikurse në të shkuarën, luan një pjesë të rëndësishme në islamofobinë moderne.

Burimi: islamonline.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit