Islamofobia dhe shumica e heshtur e myslimanëve shqiptarë

0

(Letrën e mëposhtme poeti Ervin Hatibi e nisi në një listë popullore on line, pas disa reagimeve të nxehta kundër akteve islamofobike të radhës në hapësirat shqiptare. Vendosëm ta botojmë me disa shkurtime, duke pasur edhe lejen e shkruesit. Titulli është i redaksisë. sh.r.)

 

Në një intervistë që kam dhënë para një muaj në një të përditshme, që në faqen e parë të gazetës, me shkronja posteri kam bërtitur qëndrimin tim në lidhje me implikimin në publik të çështjeve fetare: feja nuk do përmendur kaq shumë në publik, se hap probleme në një shoqëri ekuilibrash si kjo e jona, ku për më tepër edhe informimi për çka është fe e çka jo është minimal. Sigurisht, zëri im modest nuk kam pritur të merret si ndonjë urdhër apo këshillë kanonike. Ajo që shoh është se fatkeqë-sisht ka njerëz që kanë zgjedhur pikërisht të implikohen me çështje fetare, edhe pse nuk kanë njohuri mbi përmasat e efektet e tyre, edhe pse mbase janë të sigurt që cenojnë emocionalitete dhe prishin ekuilibra. Sigurisht që ka njerëz që nuk kanë ndjeshmërinë e duhur, për të mos thënë se ka sigurisht njerëz me agjenda të frikshme, të cilët shfrytë- zojnë cakun e papërgjegjshmërisë në lirinë e shprehjes. Histeritë që prodhojnë fobitë e vjetra irracionale perëndimore kundër Islamit, apo frikërat racionale ndaj terrorizmit, kanë armatosur me pushtet edhe zelltarë vendas antimuslimanë, të cilët herë me kujdes e herë me harbim, po tentojnë të prishin fibrat socialë të shqiptarisë.

 

Kriminalizimi sistematik, që pas vitit ’90 i prejardhjes apo përditshmërisë islame të shumicës së shqiptarëve, nuk ka sesi të mos prodhojë ndër ta trauma dhe tensione të cilat në fakt dëmtojnë gjithë shoqërinë. Është shumë e thjeshtë të kuptosh se kundërshtarët, kritikët, shpotitësit e Islamit në fakt, duan apo s’duan, janë varrmihës të shqiptarisë. Edhe sikur minoritet të kishte qenë 90%-shi ballkanik i muslimaneve shqiptarë, asnjë njeri që i thotë vetes shqiptar nuk mund të guxonte të kriminalizonte, delegjitimonte, nënvleftësonte, provokonte kështu si po ndodh ndër ne nga jo pak aktorë publike, qofshin këta politikanë, qeveritarë, klerikë, intelektualë a gazetarë. Kjo ndodh për here të parë në historinë e popullit tonë. Analogjia e trishtuar qe bënte Hysamedin Ferraj një dekadë më parë, tregon se nuk mjafton që një grup të jetë mazhoritar që të ketë peshën që meriton në skenë: afrikanët vendalinj ishin shumicë absolute ne Afrikën e Jugut, por në fakt pushtetin e kishte një grusht te bardhësh dekada me radhë. Kjo që po ndodh ndër shqiptarët, le të shpresojmë se do ndjekë edhe zhvillimin e mëtejshëm te parabolës: ashtu si te bardhët bënë paqe me vendalinjtë dhe ndanë me ta flamurin dhe res publica-n, edhe ndër shqiptarët, besoj, do të vijë një ditë kur shumica e kombit nuk do të ketë më një vend kaq disproporcional në përfaqësimin simbolik, kulturor-politik të shqiptarisë. Problemi është se unë nuk mendoj se fajin e kanë vetëm naivët, të papërgjegjshmit apo dashakëqinjtë që nuk shohin se duke mohuar apo sulmuar apo shpërfillur islamijetin e shqiptarëve, dëmtojnë kolonën ku mbështetet kombi. Problemi është se edhe përfaqësimi i islamijetit shqiptar, i shkon përbri gjendjes disproporcionale me të cilën ai trajtohet prej të tjerëve.

 

 

Profilizimi klerikalist apo komunitarist që ka marrë përfaqësimi islam ndër shqiptarët le pa mbuluar një shumicë të heshtur muslimanësh të thjeshtë të cilët nuk e gjejnë dhenuk mund ta gjejnë dot veten as në retorikat rigoriste-ritualiste të imamëve tanë të rinj, as në agjendat e politizuara globaliste të veprimtarëve të rinj komunitarë e aq më pak në inaktivitetin dhe inferioritetin e organizatave të Islamit “zyrtar”. Kur të pakësohen gjykatësit dhe të shtohen avokatët në minberet e xhamive tona, kur veprimtarët tanë të pushojnë së sjelluri si diasporë dhe të braktisin diskursin minoritar të konspiracioneve alarmiste i cili prodhon vetëm geto që nuk na nxënë dot, vetëm kur organizmat “zyrtare” të Islamit të braktisin profilizimin e tyre si anekse firmash ndërtimi, dhe t’i kthehen mecenatit të kulturës dhe mbrojtjes se traditës e natyrës në vend, vetëm atëherë mbase do të mund të shohim sesi shumica e heshtur muslimane e shqiptarisë vetvetiu do mbrojë dinjitetin e vet. Se feja dhe prejardhja janë dinjitet. Nuk mundet dot shumica e heshtur e muslimanëve shqiptarë të identifikohet me faktet e kryera që ofron retorika ekskluziviste e qarqeve të ngushta klerikalo-komunitariste, me stërhollimet frikësuese të detajeve që i ofrohen para thelbit të mëshirshëm të Islamit, nuk mund të pranojë shumica e heshtur e muslimaneve shqiptarë te rrezikojë duke u identifikuar në këto kohë të turbullta me një avangardë që shpesh duket se vepron për interes të të tretëve larg nesh duke shpërfillur historinë dhe çështjen kombëtare. Sa kohë që lokomotiva e imamllarëve dhe veprimtarëve muslimanë nuk do tregojë haptas një itinerar të përgjegjshëm e te besueshëm, nuk ka për t’iu lidhur ndonjë vagon prapa. Dhe për të vazhduar me metafora mjetesh transporti, po kujtoj edhe hadithin fisnik i cili thotë se kur ata që gjenden në kuvertë të anijes, nuk u japin ujë atyre që janë në hambar, ata poshtë në hambar do shpojnë anijen për të pirë ujë deti, e anija e gjitha do të mbytet. (…)

 

 

Unë besoj shumë fort se qëllimi më i madh i dashakqinjve të kombit tonë, është që të përzënë muslimanët nga identifikimi me vendin, gjakun dhe gjuhën e tyre. Provokimet këtë qëllim kanë. Ne e dimë mirë se kush thotë që muslimanët shqiptarë janë kolonë. (Kolonë te sjellë nga turku apo kolonë e pestë e terrorizmit aziatik.) Kjo është dëshira e armiqve tanë historikë. Por nuk munden muslimanët shqiptarë ta pranojnë këtë, ata që e bënë shqiptarinë shqiptari, ata që i dhanë emrin nga gjuha kur’anore kombit të tyre (kaum), ata që krenarisht i dhanë formë historisë globale duke qenë pjesëtarë superiorë në qeverisje perandorake, ata që mbajnë dëshminë më të madhe të Islamit në Evropë. Nuk ka president apo shkrimtar apo gazetar apo futbollist që të mundet të turpërojë dot bashkëkombësit evet, aq sa ata të turpërohen nga kombësia që kanë. Kam pasur fatin të njoh muslimanë anglezë, që ndonëse ultraminoritarë në një komb të krishterë, gjenin krenari islamike në kulturën dhe traditat e veta. Nuk e besoj dot se si ka mundësi që muslimani shqiptar të mërzitet me shqiptarinë, kur historikisht dhe aktualisht, t’i vijë mirë apo keq kujt të dojë, kudo në botë, përmendja e emrit “shqiptar” automatikisht nxjerr edhe mbiemrin “musliman”. Shqipëria nuk mund të ketë kuptim pa muslimanët e vet, e po ashtu edhe muslimanët këtu nuk mund të kenë kuptim pa Shqipërine (nënkupto edhe Kosovën e ç’ka mbetur jashtë).

 

Nëse dikujt nuk i besohet kjo le të shohë ku janë shqiptarët muslimanë të Greqisë sot. Edhe sot si në fillim të shekullit të XX-të alternativat e muslimanëve shqiptarë janë tre: ajo e rahmetlinjve shejh Nuh Nexhatit, ajo e Hafiz Ibrahim Dalliut dhe ajo e Haxhi Qamilit (nesë kjo e fundit meriton të quhet e tillë). Ata që janë të mërzitur për gjendjen e fesë në Shqipëri, le të emigrojnë si shokët e shejh Nuhut, (të atit të Nasirudin Albanit), dhe Zoti u dhëntë sukses, siç u jep bijve të hixhretit në rrugën e Tij. Problemi është se nuk i pret më njeri kurrkund. Alternativa e dytë është të durojnë sprovat e kohës dhe të kontribuojnë për mirësinë në rrugë të Zotit, si bë- në shokët e Hafiz Ibrahim Dalliut, komentuesit të parë shqiptar të Kur’anit, themeluesit të shkollave kombëtare, që u burgos nga të gjithë, që nga xhonturqit e deri nga komunistët për dashurinë ndaj fesë dhe popullit të vet. Besoj fuqimisht se nuk duhet quajtur alternativë ajo e Haxhi Qamilit, jo se ky i fundit është bërë sot në skenën shqiptare simbol i të keqes absolute, më shumë se Enver Hoxha, po për faktin se aventura e tij, dënuar nga dijetarët muslimanë të kohës, hapi rrugën për delegjitimimin e pandalshëm të muslimanëve në vend. Mjafton të lexojmë kujtimet e Hafiz Dalliut, të cilit ndjekësit e Haxhi Qamilit i shkulën dhëmbët, për të kuptuar sesi tiranasit e më gjerë banorët e Shqipërisë së Mesme morën stigmën e padrejtë si antikombëtarë e reaksionarë, duke u futur ne kategorinë e shqiptarëve te klasës B. Është e rëndësishme ta përmendim edhe joalternativën historike të fillimit të shekullit të kaluar, e cila demonstroi jo vetëm mosnjohje te ligjë- sive të reja, objektivisht obligative të modernitetit e shteti-komb, por edhe një mosnjohje teknike të balancës së forcave brenda e jashtë vendit. Këto kohët e fundit, toni i padurimit dhe gjuha e forcës është dukur. Zëra të tillë arrij t’i kuptoj se nuk bartin përgjegjësi deri në fund për çka kumtojnë, por nga ana tjetër prapë mbeten trishtues sepse në njëshkallë të zvogëluar deri në karikaturë më kujtojnë joalternativën aventureske që përmenda më sipër. Më shqetëson tolerimi qoftë edhe përmes heshtjes që i bëhet ideve të nxehta dhe gjuhës së forcës.

 

 

Këto lloj procedimesh që u ngjajnë atyre të tifozëve të futbollit tregojnë qartë sesa larg qëndrojnë projektet e minoritetit avangardist nga ato të shumicës së shoqërisë. Edhe një herë përsëris se ka arsye pse shumica e heshtur e muslimanëve shqiptarë nuk mundet dot të identifikohet me modele të tilla. Kur vihet re se ka njerëz që debatojnë me një seriozitet te habitshëm për tema nga ato akademike e deri tek cytjet personale, por harrojnë të reagojnë energjikisht ndaj papërgjegjshmërive, kjo kthehet në një fajësim për të gjithë.

 

Nëntor 2006 (Postuar fillimisht në listën alb-muslimstudents)

Ervin Hatibi