8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Islami lufton dembelizmin dhe papunësinë

Më të lexuarat

Nga Sokol Kondakçiu

Feja islame është një sistem jetese dhe nuk është një fe me korniza të ngushta, të cilat kufizohen në konturet e faltores, ku ne kryejmë çdo ditë ibadetet më të rëndësishme faljen e namazit, ose ritet e tjera fetare. Feja Islame është një sistem i plotë jetese, i cili përfshin të gjitha sferat dhe rrafshët e jetës, që nga lindja e deri në vdekjen e tij. Feja Islame i nxit besimtarët e vet nëpërmjet ajeteve kuranore dhe porosive profetike të jenë të dobishëm në një shoqëri, duke u angazhuar në punë të ndryshme në profile dhe profesione të ndryshme. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Thuaj (o Muhamed) punoni, se punën tuaj do të dëshmojë për te Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët.” (Teubeh, 105). Ne nxitemi kështu për të punuar, për të kryer të gjitha punët dhe obligimet fetare, dhe gjithashtu punë prej të cilave ka dobi individi dhe shoqëria në të cilën jetojmë.

Sa i përket punës nëpërmjet së cilës ne kërkojmë rizkun tonë të premtuar nga Allahu i Madhëruar ai arrihet duke punuar dhe duke e kërkuar atë, e për këtë Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ai (Allahu) është krijuesi që tokën e bëri të nënshtruar ndaj jush (në shërbimin tuaj) ecni në gjerësinë e saj dhe hani prej të mirave të saj dhe tek Ai (Zoti juaj) do të jetë kthimi.” (El Mulk 15). Nëse do ta hedhim shikimin tek të parët tanë muslimanë ne do të shohim, se ata ishin të angazhuar në jetën e tyre si në adhurimin e Zotit, si dhe në punën e tyre në sigurimin e jetesës së tyre, edhe pse synimi i tyre ka qenë arritja e kënaqësisë së Allahut dhe fitimi i botës së amshueshme. Edhe pse ata sakrifikuan për këtë fe me jetën dhe pasurinë e tyre ata nuk harruan pjesën e kësaj dunjaje duke punuar dhe duke u përpjekur për të siguruar jetesën dhe rizkun e tyre. Ata ishin të frymëzuar nga mësimet dhe parimet e Fesë Islame të marra nga profeti Muhamed, të cilin e kishin pranë dhe kjo bëri që ata ta kuptonin drejt vërtetësinë e kësaj feje. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Nëse shikoni se erdhi Kiameti dhe në dorë keni një fidan mbilleni atë”. Feja Islame na nxit, që ne të punojmë dhe të jemi të dobishëm në jetën tonë për veten, familjen, si dhe shoqërinë pjesë e së cilës jemi. Papunësia është një fenomen negativ i shoqërisë dhe shkaqet e saj janë të ndryshme, prej tyre papërgjegjshmeria e shtetit dhe e politikanëve, të cilët nuk interesohen për përmirësimin e gjendjes ekonomike të vendit të tyre. Prej shkaqeve të papunësisë janë dhe krizat e ndryshme ekonomike, si kjo e ditëve të sotme, e cila vjen si pasojë e sistemeve bankare, të cilat në bazë kanë interesin dhe kamatën. Ato janë cilësuar në Kuran si diçka në të cilën nuk ka bereqet dhe e falimentueshme. (Allahu e rrit vlerën e sadakasë dhe e fshin vlerën e kamatës). Një nga shkaqet e papunësisë është dhe dembelizmi dhe mos-angazhimi në punë të ndryshme prej të cilave vjen dobia dhe sigurimi i jetesës, duke u argumentuar se Allahu është furnizuesi dhe vetëm në saje të devotshmërisë që kanë do t’i furnizojë ata. Është e vërtetë se ata që janë të devotshëm ndaj Zotit të tyre, duke qenë të bindur ndaj tij në obligimet fetare dhe duke u larguar nga çdo e keqe do të furnizohen me rizk prej Tij, por a mos do të thotë kjo, se ne nuk duhet të punojmë?… Nëse do të hedhim një vështrim mbi profetët, të cilët Allahu i dërgoi lajmëtarë për të vërtetën mbi popujt e tyre, ne do të shohim se ata kanë qenë të specializuar në një punë të caktuar. Disa prej tyre kanë qenë barinj, prej tyre marangozë, disa kovaçë, tregtare etj. Të gjithë profetët kanë qenë njerëzit më të devotshëm të kohës së tyre, ashtu siç ka thënë profeti yne Muhamedi (a.s.): “Unë jam më i devotshmi dhe më i frikësuari ndaj Allahut sesa ju”. Edhe pse të devotshëm ata kanë pasur profesion ose zanat me të cilin kanë punuar. Profeti Daud (a.s.) ka qenë farkëtar. Ai prodhonte veshje prej hekuri, që shërbenin për luftë, ndërkohë që ishte mbret. Ai ishte mbreti që nuk pranonte të përfitonte vetëm se nga puna e dorës së tij. Puna është e domosdoshme dhe duhet bërë një ekuilibrim midis përkushtimit tonë fetar ndaj Zotit dhe punës tonë për këtë botë. Dembelizmi dhe papunësia nuk është cilësi e muslimanit. I Dërguari i Allahut kur pa një burrë prej ensarëve, i cili lypte në rrugët e Medines i tha: “Çfarë plaçke ke në shtëpi?- Ai i tha: -Kam një shtroje. Atë e shtrojmë dhe me atë mbulohemi dhe një broke uji.- I thotë atij: -Shko merri dhe m’i jep mua,- e më pas kur ia solli i tha shokëve të tij: -Kush i blen këto të dyja,- e dikush tha unë i blej me një dërhem, profeti tha dikush tjetër që i blen më shumë! Dikush tjetër tha unë i blej me dy dërhem. Ai i mori dhe ia dha atij lypësi dhe i tha: -Me një dërhem bli ushqim për familjen dhe me një dërhem bli një sëpatë dhe eja tek unë.- Kur shkoi te profeti i vendosi një bisht dhe i tha: -Tani shko e bëj dru dhe mos të të shoh për 15 ditë,- dhe kur ai u kthye pas 15 ditësh kishte mbledhur 10 dërhem, dhe me to bleu rroba e ushqim për familjen…”.

Duke u nisur nga ky hadith ne kuptojmë, se Islami si sistem nxit punësimin dhe është kundër dembelizmit dhe papunësisë, ose t’i lesh pas dore punët e kësaj bote. Muslimanët e parë ishin besimtarë të devotshëm dhe punëtorë, dhe kërkues njëkohësisht. Ata arritën me këtë fe, me këtë Kuran të ishin të parët në kohën e tyre, duke arritur majat e diturisë, nga ku u bënë mësues dhe dhënës diturie për të gjithë Evropën në kohën e lulëzimit Islam andaluzian. Duhet që një besimtar musliman të jetë kërkues, të mësojë e të specializohet në një fushë të caktuar për të qenë pjesë plotësuese në shoqëri me punën dhe profesionin e tij. Nga ana tjetër muslimani duhet të jetë bashkëpunues; të pasurit që kanë pasuri të bashkëpunojnë me ata që janë të specializuar dhe të diplomuar në fusha të ndryshme për të hapur punë prej të cilave shpresojnë të mirat materiale të kësaj bote. Nga ana tjeter dikush që di ndonjë zanat të jetë kontribues për t’ia mësuar atë dikujt tjetër, nëse nuk mundemi që ta ndihmojmë dikë me pasuri të paktën me dituri të dobishme me ndonjë zanat dhe kjo është sadaka e rrjedhshme e njëkohësisht dhe sevapi i saj vazhdon me vazhdimin e punës edhe pas vdekjes. Për këtë i Dërguari i Allahut thotë: “Kush e ka ndonjë mirësi t’i japë të përfitojë prej saj dikujt që nuk e ka, e kush ka furnizim t’i japë të përfitojë atij që nuk ka.” Muslimi.

I Dërguari i Allahut thotë: “Allahu i Madhëruar e don robin e tij të jetë me profesion (i specializuar në një punë)”. Trasmeton Ashab Sunen.

Dua të them se fenomeni i papunësisë, ose i dembelizmit tek një pjesë e muslimanëve ndikon negativisht tek ata që nuk janë muslimanë, duke menduar se feja jonë është e tillë, ngase pasuesit e saj veprojnë kështu. Shumë njerëz mendojnë, se ata që shkojnë dhe falen në xhami nuk kanë punë tjeter veç kësaj dhe se ata janë dembelë dhe nuk e duan punën. Kjo na kujton atë që ka ndodhur në kohën e Omer ibn Hatabit, i cili gjeti ca djem në xhami që rrinin aty tërë ditën, dhe kur Omeri (r.a.) i pyeti, se pse vepronin kështu ata i thanë: -Ne adhurojmë Allahun,- e kur i pyeti se ku ushqeheni ju, ata i thanë: -Njerëzit tanë të afërm dhe fqinjët na ushqejnë,- atëherë u detyrua t’i nxjerrë nga xhamia duke iu thënë: -Dilni e kërkoni rizkun, se feja jonë nuk është keshtu.-

Një herë tjetër Omeri ka gjetur njerëz ditën e xhuma në xhami dhe kur i pyeti, se çfare jeni ata i thanë jemi të mbështetur tek Allahu. Ai iu thotë ju jeni dembela, mos rrini ulur dhe të thoni: O Zot më jep furnizim,- sepse qielli nuk lëshon, as ar, as argjend! A nuk e keni dëgjuar fjalën e Zotit, që thotë: “E kur të kryeni namazin e xhumasë, shpërndahuni nëpër tokë dhe përfitoni nga të mirat e saj.” (Xhuma, 10).

Gati çdo ditë ne përballemi me kritika, ku në qendër të vëmendjes janë ata besimtarë që shihen të qëndrojnë me orë të gjata në oborret e xhamive dhe nuk merren me ndonjë punë të dobishme për t’i ardhur në ndihmë vetes, familjes, si dhe për të qenë të dobishëm për shoqërinë. Ndodh që mund të bëjmë për këtë fe më shumë me punën dhe profesionin tonë, sesa me qëndrimin tonë, sesa me fjalët tona dhe davetin tonë.

Si mund të ndihmohet feja e Zotit, nese do të jemi të dobët dhe të pafuqishëm?

Në fund po e mbyll këtë shkrim me ajetin kuranor në të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “Bashkëpunoni në punë të mira dhe në devotshmëri e mos bashkëpunoni në punë të këqija dhe në armiqësi.” (Maide, 2).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit