6.6 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Islami është paqe dhe përkushtim ndaj Allahut

Më të lexuarat

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të Cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Salavatet, selami dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të dashur vëllezër besimtarë;

Allahu i Plotfuqishëm në Librin e Tij fisnik, Kuranin famëlartë, në fillimin e tij, e inkurajon lexuesin e ardhshëm dhe thotë:

“Ky libër, është i padyshimtë, udhëzues për të gjithë ata që frikësohen (nga dënimi i Allahut).” (el-Bekare, 2)

Allahu i Gjithëmëshirshëm e dërgoi Librin e të vërtetës, me përmbajtjen më fisnike, plot ngrohtësi të sinqertë, me dashuri dhe dëshirë – që njeriu, krijesa e nderuar me arsye, të jetojë një jetë të denjë me lartësinë dhe dinjitetin që ia ka dhuruar Zoti.

Për njeriun, Pejgamberi (savs), thotë se ai është aq i mbrojtur nga Zoti, saqë vetëm dëmtimi i nderit të njeriut është më i rëndë sesa rrënimi i Qabesë!

Allahu i Plotfuqishëm, kur e lartëson madhështinë e njeriut dhe jetës, në Kuran thotë:

{مَن قَتَلَ نَفْسًا بِغَيْرِ نَفْسٍ أَوْ فَسَادٍ فِي الْأَرْضِ فَكَأَنَّمَا قَتَلَ النَّاسَ جَمِيعًا وَمَنْ أَحْيَاهَا فَكَأَنَّمَا أَحْيَا النَّاسَ جَمِيعًا }

“Kush mbyt një njeri (pa të drejtë), i cili s’ka mbytur ndonjë tjetër, ose pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në Tokë, është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit.” (el-Maide, 32)

Nga aspekti gjuhësor, rrënja e fjalës “Islam” do të thotë: paqe, qetësi, drejtësi dhe mirësi; kurse fjala ‘muslim’, që është nxjerrë prej saj, do të thotë: dorëzim, mohim, bindje dhe nënshtrim. Prandaj, musliman është ai që i dorëzohet Allahut, duke ndjekur Udhëzimin e Tij. Në këtë dorëzim dhe bindje, ai e gjen paqen të cilën e posedon, të cilën e përhap rreth vetes dhe ua dhuron edhe të tjerëve.

Popuj të tërë muslimanë, me shekuj jetojnë në Islam, kurse jobesimtarët në mjedis musliman. Kjo është islame dhe kështu duhet të vazhdojë edhe më tutje, pa marrë parasysh sa është çmimi i paqes përmes vuajtjes dhe durimit.

Në favor të këtij pohimi shërbejnë shembuj të shumtë të muslimanëve, nëpër vende të ndryshme të botës, ku përkundër krimeve e gjenocidit të kryer ndaj tyre, ata nuk kanë vepruar në mënyrë të njëjtë, nuk janë barazuar me kriminelët të cilët kanë kryer krime mbi ta. Edhe kur kanë qenë në gjendje, muslimanët nuk kanë bërë llogore për tortura, rrahje, vrasje të civilëve, të sëmurëve, të moshuarve, të fëmijëve, të grave, madje as burgosje të ushtarëve të armikut, si dhe as hakmarrje të më vonshme.

Mirëpo, në dy dekadat e fundit kanë ndodhur ndërrime shumë të mëdha në botën muslimane, në të cilën është dominonte prania e manipulimit ideologjik të masave muslimane nga disa kuazi – dijetarë, të cilët janë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të qendrave të pushtetit brenda dhe jashtë mjediseve dhe vendeve muslimane. Këto ndryshime në interpretim, prezantim dhe shpërndarje të imazhit të shtrembëruar dhe të kundërt të Islamit, kanë arritur edhe deri tek ne në Ballkan, ku pasojat e tyre po i vuajmë edhe ne.

Muslimani mund të jetë i poshtëruar, i abuzuar, i burgosur, i torturuar, dhe madje edhe i vrarë, por ai kurrë, sipas mësimeve sublime të Islamit, nuk guxon ta kalojë atë vijën e ndaluar e cila thotë: “Ata të cilët nuk vrasin askënd”, dhe “ata që nuk bëjnë ndonjë shkatërrim në Tokë”, ata ndryshojnë nga të këqijtë, me pafajësinë e tyre dhe me dinjitetin njerëzor, edhe në kushte të luftës edhe në kohë të paqes, jeta e tyre duhet të mbrohet dhe ruhet.

Islami dënon fuqishëm çdonjërin, dhe të gjithë ata që dëshirojnë, përpiqen dhe veprojnë që të jenë jashtë dhe mbi rendin, ligjin dhe shtetin. Ata nuk ka mundësi të paralajmërohen, as të drejtohen, sepse janë njerëz me vetëdije të çrregulluar, për të cilët Kurani thotë:

{وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ لَا تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ قَالُوا إِنَّمَا نَحْنُ مُصْلِحُونَ }

“Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në Tokë”! – thonë – Ne vetëm mbajmë rendin.” (el-Bekare, 11)

Veprimin e atyre të cilët e prishin rendin dhe bëjnë çrregullime në Tokë, Kurani në dy ajete të sures el-Bekare, e cilëson si më të ‘rëndë’ dhe më të ‘madhe’, duke thënë:

{ وَالْفِتْنَةُ أَشَدُّ مِنَ الْقَتْلِ   وَالْفِتْنَةُ أَكْبَرُ مِنَ الْقَتْلِ }

“Fitneja është më i rëndë se vrasja.” Dhe “Fitneja është mëkat më i madh se vrasja.” (el-Bekare, 191 dhe 217)

Duke u kujdesur për vendosjen e paqes, rendit dhe disiplinës, Allahu i Plotfuqishëm në Kuran, në situata të ndryshme që i shfaq dhe për të cilat flet, në 58 vende e përmend ‘fitnen’, si shprehje me të cilën tregohet ajo që është mashtrim, dyshim dhe e dyshimtë, që do të thotë, përçarje, trazira dhe kaos.

Edhe Muhamedi (savs), duke ndjekur Udhëzimin, na këshillon: “Mos bëni fitne! Fitneja me fjalë është si fitneja me shpatë!” (Kurtubiu, në ‘Tedhkireh’), sepse pas fjalëve të neveritshme dhe shkatërruese pason vepra e neveritshme.

Duke i dënuar dhe duke u distancuar nga të gjithë ata që e përdorin petkun e Islamit, dhe i shqiptojnë fjalët e Kuranit, që në emrin e tij të bëjnë të këqija, ju themi se: Islami nuk është i keq, as muslimanët nuk janë kriminelë!

Mirëpo, sot, me të drejtë mund të flitet për njeriun që e ka braktisur lidhjen e tij themelore, bazike dhe të sinqertë me Zotin. Prandaj edhe po ndodhin të gjitha këto të këqija në botë. Gjithashtu, me të drejtë mund të flitet për njeriun që është larguar nga feja, për njeriun tradhtar, për atë i cili e ka lëshuar fenë në kuptimin e saj më thelbësor. Ky kuptim është që njeriu së pari me Zotin të lidhet me përkushtim të pastër ndaj Tij, pastaj të humanizohet dhe të rikthehet në njeri.

Një belg, ekspert për hetimin e terrorizmit, ka konstatuar kohët e fundit, se nga numri i përgjithshëm i akteve terroriste në botë, 95 % janë kryer në vendet muslimane dhe ndaj muslimanëve…

Në burimet e terrorizmit dhe aktet e sulmeve terroriste sot në botë shikohet dhe vlerësohet në mënyra të ndryshme. A është e drejtë për shembull, që Islami, i cili përfshin 1/5 e njerëzimit, të shpallet fajtor për terrorizëm?

Jo!, sikur që nuk është e drejtë të thuhet se për të këqijat dhe krimet e disa të krishterëve të fajësohet Krishterimi, për hebrenjtë Judaizmi, për budistët Budizmi, apo për brahmanët Brahmanizmi.

Për fat të keq, sot në botë po veprohet me dy standarde, kur për krimet e kryera nga individ apo grupe me prejardhje islame, fajësohet Islami, kurse për krimet e kryera nga pjesëtarë të besimeve dhe feve të tjera, jo që nuk fajësohet feja e tyre, por madje edhe vetë kriminelët amnistohen dhe shfajësohen.

Si edhe herëve të tjera, kështu ndodhi edhe me rastin e fundit, i cili ndodhi javën e kaluar, kur një terrorist hapi zjarr mbi besimtarët gjatë namazit të xhumasë në dy xhami në Zelandën e Re, dhe u vranë të paktën 50 muslimanë dhe gati po aq u plagosën. Edhe këtë kriminel, mediat kryesore botërore, nuk e cilësuan me emrin e tij të vërtetë si terrorist.

Ne muslimanët e Kosovës, BIRK-u, edhe xhemati ynë, e dënojmë fuqishëm këtë sulm terrorist të kryer me gjakftohtësi e paramendim ndaj besimtarëve të pafajshëm, të cilët në momentin e krimit ishin duke iu lutur Krijuesit të Gjithësisë.

Ekzekutimi i njerëzve që i përkasin një besimi apo një etnie tjetër, paraqet akt terrorist kundër njerëzimit, vlerave humane dhe atyre hyjnore. Tashmë terrorizmi është një nga sfidat kryesore të botës moderne, ndaj të cilit bota e lirë duhet të jetë unike dhe e pa kompromis, në luftën kundër kësaj të keqeje që ka marrë përmasa globale.

Me këtë rast, bashkëndiejmë dhembjen me familjarët e viktimave të cilave u shprehim ngushëllimet më të sinqerta, ndërsa të lënduarve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë.

Lusim Allahun e Plotfuqishëm, që viktimat e këtij akti terrorist dhe të gjithë të vdekurit e muslimanëve t’i mëshirojë dhe t’i shpërblejë me xhenet, ndërsa aktet të tilla të dhunës e terrorit të mos përsëriten askund në botë. Amin!

 

Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit