Ish-kryeministri Kosumi propozon krijimin e një “Konfederate” me katër shtetet e Ballkanit

0
46

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi ka propozuar krijimin e një “Konfederate” me katër shtetet rajonale, Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Ai ka thënë se një bashkim i tillë do të mund të ndodhte në fushën e diplomacisë, tregtisë, ushtrisë e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

“Pse mund të krijohet një konfederatë moderne kur shqiptarët janë pjesë përbërëse e secilit shtet dhe si komb shumicë? Sepse pikërisht shqiptarët kanë interes strategjik për të ruajtur pavarësinë dhe marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, mu për shkak të faktorit shqiptar në ato shtete dhe për shkak të apetiteve hegjemone të Serbisë dhe politikave ndikuese të të tjerëve”, ka shkruar Kosumi, në një tekst autorial, në konferencën ”Balkans Leadership Conference”, të organizuar nga Universal Peace Federation, Tiranë.

Sipas tij, bashkimi i katër shteteve të vogla do të mund të kursente shumë buxhetet e shteteve në fushën e diplomacisë, duke i përdorur të njëjtat mjete për fusha tjera.

“Me një marrëveshje të mundshme midis katër shteteve të vogla për politikat e jashtme dhe diplomacinë, në vend të 28 ambasadave sa ka Mali i Zi deri në 37 ambasada sa ka Shqipëria (Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë midis këtyre shifrave), mund t’i kishin 126 ambasada, me kusht që një ambasadë të prezantojë katër shtetet. Sa shumëfish do të zvogëloheshin shpenzimet për ambasada dhe sa shumëfish do të mbulohej bota me përfaqësimin e katër shteteve! Ushtritë e këtyre shteteve të vogla nisin nga 2500 sa ka Kosova dhe po aq Mali i Zi deri në 9000-10000 sa kanë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Asnjëra prej ushtrive të vogla të këtyre katër shteteve nuk mund të jetë garanci e sigurisë së vendit nga cilido shtet mesatar rajonal apo europian, natyrisht nëse Tramp hamendet se pse duhet NATO ta mbrojë Malin e Zi”, ka shkruar Kosumi.

Shkrimi i tij i plotë:

Katër shtetet e vogla të Europës Jug-Lindore mund të bëjnë një bashkësi të fuqishme

Shtetet e vogla të Europës Juglindore, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali I Zi, ende janë duke e ndërtuar themelin dhe vizionin për epokën e re të shekullit XXI. Unë do ta diskutoj jo një projekt për të ardhmen e tyre, së pakut ende jo një projekt, po vetëm një vizion personal, pak më ndryshe nga politika tradicionale.

Meqenëse do t’i përmendim shpesh këto katër shtete, me dashamirësi do t’i quaja me emërtimin “katër shtetet e vogla”.
NATO sigurisht që është faktori më i rëndësishëm i sigurisë për katër shtetet e vogla. Në anën tjetër, BE është një faktor strategjik për të ardhmen e tyre, sado procesi i integrimit të këtyre vendeve në BE po ecën me shumë vështirësi.

Pyetja e parë që shtrohet për katër shtetet e vogla është: a është kjo koniunkturë e tashme sigurie e politike e mjaftueshme për to? Pyetja e dytë është: a mund të bëjnë katër shtetet e vogla diçka më shumë për të ardhmen e tyre?

Përgjigja në pyetjen e parë është më e thjeshtë. Gjatë tranzicionit të gjatë në kapërcyell të shekujve XX-XXI në katër shtetet e vogla është fetishizuar roli i NATO-s dhe i BE. Muajit të mjaltit po i duket fundi. Në vitin 2018 presidenti Tramp pyeti për interesin e NATO-s ndaj shteteve të vogla në këtë pjesë të Europës, pyeti pse duhet t’i dërgojë trupat e tij në Mal të Zi nëse malazezët hyjnë në luftë me Rusinë, dhe kërkoi më shumë financa për ombrellën e sigurisë. Po në vitin 2018 Britania e Madhe filloi brexitin, ndërsa liderët europianë shfaqën pikëpamje deri edhe të kundërta për vlerat themelore të BE (si për politikat e migracionit, refugjatët e demokracinë), me çka vunë në dyshim themelet e BE.

Në këtë situatë katër shtetet do të duhej të fillonin një proces të përkufizimit të interesave strategjike. Pavarësisht prej disa hapave progresivë, si marrëveshja Greqi-Maqedoni, situata e brishtë, në radhë të parë e sigurisë, vazhdon të zgjasë në EJL dhe, po të mos ishte NATO, sigurisht situata do të merrte rrjedha tjera. Serbia vazhdon të ketë marrëdhënie armiqësore ndaj Kosovës dhe marrëdhënie të tendosura me tri shtetet e tjera, pa fshehur në asnjë rast apetitet pushtuese e hegjemone.

Rusia është duke provuar të depërtojë në politikat e katër shteteve në shumë mënyra, ashtu sikurse në gjithë këtë pjesë të Europës. Një faktor tjetër, gjithnjë e më kërcënues për botën, është edhe terrorizmi ndërkombëtar, për të cilin katër shtete të vogla janë terren i kërkuar.
Si mund t’u rezistojnë katër shtetet e vogla këtyre zhvillimeve? Përgjigja në këtë pyetje na qon në radhë të parë te pyetja: cili është potenciali i katër shteteve të vogla në këtë rrethanë të re?

Katër shtetet e vogla kanë një potencial të vogël njerëzor: nga 630 mijë banorë, sa ka Mali i Zi, deri në 3 milion banorë sa ka Shqipëria.
Ushtritë e këtyre shteteve të vogla nisin nga 2500 sa ka Kosova dhe po aq Mali i Zi deri në 9000-10000 sa kanë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Asnjëra prej ushtrive të vogla të këtyre katër shteteve nuk mund të jetë garanci e sigurisë së vendit nga cilido shtet mesatar rajonal apo europian, natyrisht nëse Tramp hamendet se pse duhet NATO ta mbrojë Malin e Zi.

Katër shtetet tona kanë territor të vogël, tregje të vogla, me një ekonomi jo shumë të zhvilluar. Bruto produkti i katër shteteve shkon nga rreth 5 miliardë dollarë sa e ka Mali i Zi, deri në 13 miliardë sa ka Shqipëria. Ekonomia e secilit prej katër shteteve mbetet në mëshirën e cilitdo shtet mesatar europian, apo si e tha kryeministri bullgar në Samitin e BE Sofje në vitin 2018, bruto produkti i të gjitha shteteve të vogla të EJL nuk bën sa ai i Çekisë (215 miliard dollarë).
Pjesa më e madhe e buxhetit të katër shteteve të vogla shkon në pagat e administratës shtetërore, të domosdoshme për çdo shtet, por barrë e madhe për secilin nga shtetet e vogla.

Dhe në fund, në çdo 100 kilometra pret radhën në një kufi! Një shkupjan kalon tre kufi për të mbërritur deri ne plazhet e Ulqinit, në një gjatësi ajrore jo më shumë se 200 kilometra. Një korçar duhet të kalojë dy kufij për të ardhur në Prishtinë në një gjatësi rrugore më pak se 200 kilometra. Edhe optimistët më të mëdhenj mund të zhgënjehen.

Atëherë, çka mund të bëjnë katër shtetet për një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe veten e tyre? Kjo është pyetja e dytë, përgjigja e së cilës nuk mund të jepet lehtë. Unë vetëm po përmend disa mundësi për të ecur përpara, por shpresoj që me kohë do të ketë një vizion më real dhe më progresiv.
Me një marrëveshje të mundshme midis katër shteteve të vogla për politikat e jashtme dhe diplomacinë, në vend të 28 ambasadave sa ka Mali i Zi deri në 37 ambasada sa ka Shqipëria (Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë midis këtyre shifrave), mund t’i kishin 126 ambasada, me kusht që një ambasadë të prezantojë katër shtetet. Sa shumëfish do të zvogëloheshin shpenzimet për ambasada dhe sa shumëfish do të mbulohej bota me përfaqësimin e katër shteteve!
Nëse këto katër shtete krijojnë një treg të përbashkët, pa barriera politike e doganore, bruto produkti i tyre do të bëhej 35 miliardë dollarë, i aftë për të konkurruar në tregun europian dhe në atë botëror. Do të krijohej një hapësirë me 78.783 kilometra katrore dhe me 7 milion e gjysmë banorë.
Supozo një marrëveshje për kalimet kufitare të njerëzve dhe të mallrave pa pika kufitare. Sa shpenzime do të uleshin dhe sa koha do të shpëtohej?
Supozo një marrëveshje për riorganizim e ushtrive të vogla të katër shteteve, nën ombrellën e NATO-s: do të krijohej një ushtri e koordinuar prej 30.000 ushtarëve.

Dhe kështu, plot marrëveshje të tjera.
Nuk do të thotë kjo që të krijohet një konfederatë klasike, madje pikërisht e kundërta, të krijohet një konfederatë moderne, ku secili shtet ruan sovranitetin e vet, por në çështjet ku mund të veprojnë si një trup, ta bëjnë këtë, fillimisht duke bërë marrëveshje katërpalëshe për çështje të caktuara..
Pse mund të funksionojë një konfederatë moderne, kur nuk ka funksionuar Federata Jugosllave?
Sepse në këtë bashkësi nuk ka asnjë shtet të madh e hegjemon, që do t’i kërcënonte të tjerët. Asnjëri prej shteteve nuk do të frikësohej prej tjetrit. Katër shtetet e vogla janë pak a shumë me potenciale të barabarta dhe nuk kanë asnjë ambicie hegjemone ndaj njeri tjetrit.

Pse mund të krijohet një konfederatë moderne kur shqiptarët janë pjesë përbërëse e secilit shtet dhe si komb shumicë? Sepse pikërisht shqiptarët kanë interes strategjik për të ruajtur pavarësinë dhe marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, mu për shkak të faktorit shqiptar në ato shtete dhe për shkak të apetiteve hegjemone të Serbisë dhe politikave ndikuese të të tjerëve.
Pse Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë interes për një konfederatë të tillë? Sepse që të dy shtetet do të krijonin një mekanizëm sigurie, pa rrezikuar asgjë, ndaj politikave jo qëllim mira të fqinjëve dhe të apetiteve ruse. Edhe Maqedonia e Veriut edhe Mali i Zi e kuptojnë se në një bashkësi të barabartë me shqiptarët (Shqipëria e Kosova) mund të jenë të pavarur e të sigurt, ndryshe, katër shtetet e vogla do të jenë pre e ambicieve të të tjerëve.

Po ashtu, në një bashkësi do të paqësoheshin më shumë mospajtimet nacionale të së kaluarës dhe do të eliminohej problemi Kosovë-Serbi. A nuk e kanë dëshmuar në dhjetë vjetët e fundit katër shtetet se kanë marrëdhënie shumë të mira me njëri tjetrin?
Në fund, pse një konfederatë moderne në raport me BE? Së pari, BE pas brexit-it ka hyrë në një rrugë të re të ri-përkufizimit. Së dyti, katër partnerë të vegjël një nga një nuk paraqiten si faktorë për BE, ndërsa një konfederatë moderne paraqet faktor shumë të rëndësishëm.

Me këto marrëveshje do të uleshin shpenzimet e mëdha administrative dhe paratë e kursyera do të investoheshin në shërbimet publike. Do të krijohej një mekanizëm i brendshëm i sigurisë dhe asnjë shtet fqinj e as më i largët nuk mund të sillet me kërcënim ndaj katër shteteve të vogla.
Nga një rajon i brishtë dhe gjenerim konfliktesh, do të krijohej një rajon i zhvilluar ekonomik, që gjeneron stabilitet, siguri dhe zhvillim ekonomik.
Natyrisht, ky është vetëm një vizion imi për rajonin tonë të trazuar me shekuj. Por, nëse liderët e katër shteteve të vogla përcjellin me vëmendje politikat e jashtme të Aleksandër Vucicit, të Milorad Dodikut, si dhe ambiciet ruse për EJL, ata duhet të veprojnë shpejt në këtë drejtim.

(Autori ka qenë kryeministër i Kosovës. Ideja është shpalosur në ”Balkans Leadership Conference”, organizuar nga Universal Peace Federation, Tiranë, 2019)