11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Ish-gjyqtari dyshohet për 260 akte kriminale

Më të lexuarat

Kolë Puka mund të hyrë në librin e rekordeve botërore “Guinness” për numrin e veprimeve kriminale që dyshohet se ka kryer ndër vite si gjyqtar. Rreth 260 veprime të tilla “mbajnë nënshkrimin e tij”, e që supozohet se i ka kryer për gati një dekadë sa ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale të Klinës.

Për këso veprimesh, Puka është dënuar javën e kaluar nga një kolegj penal i Gjykatës së Qarkut të Pejës për 16 mijë euro të përvetësuara në mënyrë të paligjshme. Për rreth 100 vepra tjera është nën hetime dhe për po kaq duke u gjykuar në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës. Një numër i madh i këtyre akteve kriminale tashmë janë parashkruar.

Ish-gjyqtari që ndodhet në paraburgim prej muajsh ka dalë të jetë “minierë” për hetuesinë dhe prokurorin special, Ali Rexha. Gjatë dhjetë vjetëve të veprimtarisë si gjyqtar në Klinë, ai supozohet se ka përfituar mbi dy milionë euro nga vendimet gjyqësore të paligjshme që ka nxjerrë. Vite të tëra prapa hekurave e presin nëse vërtetohen të gjitha.

“Ky konsiderohet si bos i krimit dhe strumbullar i krimit të organizuar nga kompensimet e dëmeve të cilat i ka përfituar vetë me bashkëpunëtorë”, thotë Ali Rexha, prokuror special në Prokurorinë e Republikës së Kosovës. “Qe tre vjet po merrem me të dhe do të vazhdoj edhe sivjet”.

Kolë Puka është njëri nga gjyqtarët që ka përfituar në emër të qytetarëve të dëmtuar në komunikacion. Shumica prej tyre as që dinë se çfarë ka ndodhur, e ku kanë shkuar paratë që duhej të merrnin për kompensime. Ka të tillë që kanë mbetur në karrocë, derisa paratë kanë përfunduar në llogaritë bankare të Kolë Pukës e të bashkëpunëtorëve të tij.

Për përgjegjësinë e tij kriminale, Kolë Puka është shpallur fajtor javën e kaluar për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autoritetit. Fajtor janë gjetur edhe bashkëpunëtorët e tij, avokati Lon Palushaj dhe Bedri Bakalli për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.

Prokurori Ali Rexha i ka numëruar veprimet e paligjshme që ka kryer ai. I kanë dalë rreth 260. Shumë veprime të tilla klasifikohen si një vepër penale siç është shpërdorimi i detyrës zyrtare apo nxjerrja e vendimeve të kundërligjshme. Një numër i madh veprimesh të kualifikuara si falsifikim tashmë janë parashkruar. Megjithëkëtë kanë mbetur boll për t’u zbardhur.

Më 25 maj të këtij viti ka nisur gjykimi i tij në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Deri nga fundi i korrikut, Rexha pret që të përfundojë edhe ky rast.

Për veprime të tilla prokurori ka ngritur aktakuzë në shkurt të këtij viti kundër dhjetë avokatëve. Ata po akuzohen se kanë mashtruar dhjetëra klientë të tyre duke përfituar në mënyrë të paligjshme në kurriz të tyre.

Sadik Tanyol nga Prizreni, Shefqet Ibrahimi nga Lubaveci i Skenderajt, Prenk Pepaj nga Gjakova, Bedri Godanci nga Klina, Mustafë Musa nga Gjilani, Xhafer Maloku nga Malisheva, Fahrie Kabashi nga Prizreni, Muharrem Ramadani nga Mitrovica, Xhavit Kreku nga Gjakova dhe Haxhë Nikçi nga Peja akuzohen për disa vepra penale (gjerësisht në “Kohën Ditore”).kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit