10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Isai (alejhi selam) midis vdekjes dhe jetës

Më të lexuarat

Transmetime të vërteta na vërtetojnë se i Dërguari i Allahut, Isai alejhi selam, do të zbresë në kohën e fundit, do të gjykojë me sheriatin islam, do t’ua largojë padrejtësinë njerëzve, do të përhapë drejtësinë mes tyre, do të përhapet mirëqenia dhe do të mbizotërojë siguria. Transmetimet lidhur me këtë kanë arritur shkallën tevatur dhe përgjithësisht dëshmojnë se ai është i gjallë.

Mirëpo një ajet kur’anor në shikim të parë tregon se Allahu i Lartësuar e ka vdekur atë dhe pastaj (pas vdekjes) e ka ngritur tek Ai. Ky ajet kur’anor është fjala e Allahut të Lartësuar:

“(Përkujto, o i Dërguar) Kur Allahu tha: “O Isa, Unë do të të vdes ty dhe do të të marr pranë vetes.” (Ali Imran, 55)

Ajeti në fjalë, në shikim të parë është në kundërshtim me ajetet e tjera kur’anore, të cilat theksojnë se Isai alejhi selam është i gjallë dhe furnizohet siç ka ardhur në këto ajete:

“Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda).” (Nisa, 157)

Ose fjala e Allahut:

“Nuk ka asnjë nga ithtarët e librit vetëm se ka për t’i besuar atij (Isait) para vdekjes së vet.” (Nisa, 159)

Sipas mendimit më të saktë të komentuesve të Kur’anit, përemri “atij” në këtë ajet kuranor ka për qëllim Isain alejhi selam. Duke shtuar edhe hadithe të shumta, të cilat tregojnë se Isai alejhi selam është i gjallë në qiell, ndër to mund të përmendim fjalën e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë:

“Do të zbresë Isai i biri i Merjemes si një udhëheqës i drejtë, do ta thyejë kryqin, do ta vrasë derrin dhe nuk do ta pranojë xhizjen. Do të shpërndahet pasuria, por askush nuk do ta pranojë, saqë një sexhde do të jetë më e dashur sesa krejt çfarë ka në këtë botë.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)

Kësisoj ne gjendemi para ajetit, i cili në pamjen e jashtme të tij tregon për vdekjen e Isait alejhi selam, e po ashtu jemi para ajeteve të tjera dhe haditheve, disa prej të cilave janë të qarta e disa jo të qarta, prej të cilave kuptojmë se Isai alejhi selam është i gjallë dhe nuk ka vdekur. Atëherë, si mund ta bëjmë përshtatjen mes fjalës së Allahut: “O Isa, Unë do të të vdes ty…,” dhe disa ajeteve dhe haditheve, të cilat tregojnë për të jetuarit e Isait alejhi selam?

Por, para se të japim përgjigje lidhur me këtë, duhet të theksoj se bashkimi mes argumenteve, që në shikim të parë duken se nuk përputhen mes tyre, është i patjetërsueshëm, sidomos kur ato janë të sakta dhe nuk lejohet marrja e disave prej tyre dhe lënia e disa të tjerëve.

Dijetarët i kanë shikuar të gjitha argumentet ekzistuese lidhur me këtë çështje dhe kanë konkluduar se argumentet e zbritjes së Isait alejhi selam janë argumente të sakta dhe të qarta, të cilat kanë arritur shkallën tevatur dhe se ato na bëjnë të ditur se Isai alejhi selam është i gjallë, se shpirti nuk është shkëputur nga trupi i tij.

Ata nuk kanë pasur rrugëdalje tjetër vetëm se të komentojnë fjalën e Allahut të Lartësuar: “O Isa, Unë do të të vdes ty”, se ka për qëllim vdekjen e gjumit, vdekje joreale.

Vdekja në Kur’an ka për qëllim dy kuptime. E para, vdekje reale, si fjala e Allahut të Lartësuar:

“Allahu ju krijoi, pastaj Ai ua merr shpirtin.” (Nahl, 70)

Gjithashtu fjala e Allahut:

“Thuaj: “Engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, ua merr shpirtrat, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj.” (Sexhde, 11)

E dyta, ka ardhur me kuptimin e gjumit, si fjala e Allahut të Lartësuar:

“Ai është që ju vë në gjumë natën dhe e di çka vepruat ditën.” (En’am, 60)

Gjithashtu fjala e Allahut:

“Allahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur…” (Zumer, 42)

Kësisoj, argumentet që vërtetojnë të jetuarit e Isait alejhi selam në këtë kontekst, qëllimi i “vdekjes” në fjalën e Allahut: “Unë do të të vdes ty”, kanë për qëllim gjumin. Prandaj komenti i ajetit do të ishte: Allahu e ka bërë Isain alejhi selam që të flejë e pastaj e ka ngritur tek Ai dhe se ai është i gjallë. Allahu do ta dërgojë në tokë për të zbatuar atë që hadithet na kanë lajmëruar.

Ky është mendimi i parë i komentuesve të Kur’anit rreth këtij ajeti. Ibën Kethiri thotë se ky është qëndrimi i shumicës së dijetarëve.

Kuptimi i dytë është se shprehja “vdekje” në këtë ajet ka kuptimin e “marr, kap”. Ndërsa kuptimi i ajetit do të ishte: Allahu do të të marrë nga toka të gjallë, pa vdekje dhe do të të ngrejë lart dhe do të të shpëtojë nga sherri i jobesimtarëve.

Gjithashtu kemi edhe një mendim të tretë, i cili e komenton ajetin në këtë formë: O Isa, Unë do të të ngre tek Unë, do të të shpëtoj nga sherri i jobesimtarëve dhe do të të vdes ty pas zbritjes tënde në dynja.

Këtë qëndrim e mban Katadeja nga tabiinët, dhe nga ky kuptim anon edhe komentuesi i njohur Kurtubiu.

Ndërsa disa komentues të tjerë mendojnë se ajeti nuk përcakton ndonjë kohë, por ka ardhur në mënyrë të përgjithësuar.

Ajo që është me rëndësi është se ajeti tregon për vdekjen e Isait alejhi selam, për ngritjen dhe për shpëtimin e tij duke mos përcaktuar kohë për ndodhjen e këtyre ngjarjeve, prandaj pjesëza “vav” në ajet nuk tregon ndodhjen e këtyre ngjarjeve njëra pas tjetrës, por e tëra është se ato do të ndodhin dhe aq. Duke u mbështetur në këtë mendim, nuk ka ndonjë argument që tregon në mënyrë të prerë se vdekja ka ndodhur, por vdekja do të ndodhë ndonjë ditë; se kur do të ndodhë dhe si, nuk kemi ndonjë argument në ajet. Kemi argumente të vërtetuara se ai (Isai) është i gjallë dhe është vërtetuar lajmi nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se ai ka për të zbritur, ka për të vrarë Dexhallin e më pas Allahu do ta bëjë të vdesë.

Sidoqoftë, gjithë ato komente rreth ajetit “Unë do të të vdes ty” kanë bazë dhe argumente që e përforcojnë. Kësisoj, bashkimi i këtij ajeti dhe i ajeteve të tjera është i mundshëm, gjë që tregon për të jetuarit e Isait alejhi selam. Kësisoj largohet mospërputhja dhe kontradikta.

Përktheu: Almedin Ejupi

Marrë nga: www.islamweb.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit