iPadi është bërë biberon. Smartphone-t janë lojëra për të rriturit. Na duhet një alfabetizim i ri

0
21

Kur lexojmë një tekst në ndonjë pajisje dixhitale, truri jonë nuk arrin ta kapë kompleksitetin, të provojë simpati apo të perceptojë bukuri. Duhet një alfabetizim i ri.

Maryanne Wolf

Herën tjetër kur të hipni në avion, hidhni një sy përreth. iPad është biberoni i ri për të sapolindurit dhe fëmijët e vegjël. Ata që tashmë shkojnë në shkollë lexojnë nëpër smartphone; meshkujt më të të mëdhenj nuk lexojnë aspak, por do t’i shikoni të përkulur mbi videolojërat e tyre. prindërit dhe pasagjerët e tjerë lexojnë në Kindle ose kalojnë me shpejtësi emaila dhe lajme. Në padijen e pjesës më të madhe prej nesh, një ndryshim jo i perceptueshëm, por epokal, i bashkon të gjithë këta njerëz: në cirkuitin neuronal që ndodhet në themelin e aftësisë trurit për të lexuar po ndodh me shpejtësi një transformim që do të ketë pasoja për të gjithë, nga fëmijët ne çerdhe deri tek të rriturit.

Siç e dimë nga kërkimet e neuroshkencëtarëve, më shumë se 600 vite më parë, alfabetizimi i ka imponuar trurit të species tonë nevojën e një cirkuiti të ri. Ky cirkuit është zhvilluar, duke kaluar nga mekanizmi i thjeshtë që shërbente për të dekodifikuar informacione elementare, si numri i dhive në një tufë, në trurin jashtëzakonisht kompleks dhe në gjendje të lexojë që kemi sot. Nga kërkimet e mia kam kuptuar se truri i aftë të lexojë mundëson zhvillimin e disa prej proceseve tona mendore dhe afektive më të rëndësishme, të tilla si brendësimi i dijes, arësyetimi analogjik dhe aftësia deduktuese; përvetësimi i një pikëpamjeje të ndryshme nga e jona është në origjinën e simpatisë; analiza kritike dhe intuita. Kërkime të tjera në zhvillim e sipër na paralajmërojnë mbi rreziqet që hasin të gjitha këto procese thelbësore të lidhur me “leximin e thellë” me modalitetet e reja të leximit dixhital.

Nuk bëhet fjalë për një kundërvënie të thjeshtë midis leximit në letër dhe atij dixhital. Siç ka shkruar Sherry Turkle, studiuesja e Massachusetts Institute of Technology (MIT), shoqëria nuk gabon kur fut një novacion, por nuk mban parasysh dëmet që mund të shkaktohen. Në këtë moment kalimi nga kultura e shtypit në letër në atë dixhital, shoqëria duhet të përballojë problemet që dalim – dëmet që po i shkaktohen cirkuitit memorial të leximit ekspert, aftësive që fëmijët dhe studentët tanë nuk po zhvillojnë – dhe të mendosh se çfarë mund të bëhet lidhur me to. Dijmë nga studime të ndryshme se qeniet njerëzore nuk e fitojnë aftësinë e të lexuarit me rrugë gjenetike, siç fitojnë të shikuarit dhe të folurit. Për t’u zhvilluar, cirkuiti i të lexuarit ka nevojë për një mjedis të veçantë dhe u përshtatet kërkesave të këtij mjedisi, nga sistemet e ndryshme të shkrimit tek karakteristikat e mjeteve që përdor. Nëqoftëse mjeti predominues favorizon procese të shpejta, mundëson që të bëhen shumë gjëra njëkohësisht dhe të menaxhohet një sasi e madhe informacioni – si mjeti aktual dixhital – cirkuiti i të lexuarit përshtatet.

Siç shkruan Patricia Greenfield, psikologe e University of California Los Angeles (UCLA), rezultati është që truri do t’i kushtojë më pak kohë dhe vëmendje këtyre proceseve të leximit të thellë që kërkojnë më shumë kohë, si për shembull arësyetimi deduktiv, analiza kritike dhe simpatia, por që janë të domosdoshme për t’u kuptuar në çdo moshë. Është kjo që mbështesin gjithnjë e më shumë edukuatorë dhe ekspertë psikologjie e lëndësh humaniste. Mark Edmundson, studiues i Letërsisë Angleze dhe pedagog universitar, ka vërejtur se shumë studentë refuzojnë të lexojnë klasikët e ‘800 dhe të ‘900, pasi nuk kanë më durim që të përballojnë tekste të gjata, të vështira dhe të dendura me domethënie. Por ky “mosdurim konjitiv” i studentëve duhet të na preokupojë më pak se ajo që qëndron në themelin e tij: paaftësia potenciale e një numri të madh studentësh për të lexuar në një nivel analize kritike të mjaftueshme sa për të kuptuar kompeksitetin e mendimit dhe argumentimin e teksteve impenjues, qoftë nëse kemi të bëjme me libra literature dhe shkence në universitet, për një testament, për një kontratë apo për pyetje qëllimisht të deformuara të cilave do të duhet t’u përgjigjen kur si qytetarë të thjeshtë do të thirren për të marrë pjesë në një referendum.

Studimet të ndryshme kanë demonstruar edhe se tek studentët e shkollave të mesme dhe të universiteteve përdorimi ekranit mund të ketë një seri efektesh preokupuese mbi aftësinë e të kuptuarit të asaj që lexojnë. Në Stavanger të Norvegjisë, psikologia Anne Mangen dhe kolegët e saj kanë provuar që të verifikojnë se në çfarë mënyre gjimnazistët e kuptojnë të njëjtin tekst të lexuar në pajisje të ndryshme, duke ju bërë atyre një seri pyetjesh lidhur me një tregim, tema e të cilit mund t’i interesonte çdo adoleshenti (një histori dashurie dhe seksi), i titulluar “Jenny mon amour”. Gjysma e tyre e kishte lexuar në Kindle dhe tjetra në letër. Ka rezultuar që studentët të cilët kishin lexuar versionin letër e kishin kuptuar më mirë se ata që e kishin lexuar në dixhital, në mënyrë të veçantë qenë më të aftë të kujtonin detaje dhe ta rindërtonin tregimin në mënyrë kronologjike.

Ziming Liu i San Jose State University ka kryer një seri studimesh në të cilat rezulton se “norma e re” është që të kalohet një tekst në vend që të lexohet, duke u ndalur vetëm mbi disa fjalë. Tashmë shumë njerëz përdorin skemën F o a Z, lexojnë rrjeshtin e parë dhe e kalojnë pjesën tjetër të tekstit duke kërkuar fjalë kyçe. Kur kryhet ky operacion, truri ynë e redukton kohën e kushtuar proceseve të leximit të thellë. Me fjalë të tjera, nuk kemi kohë që të kapim kompleksitetin, të kuptojmë ndjenjat e të tjerëve, të perceptojmë bukurinë dhe të formulojmë mendimet tona.

Karin Littau dhe Andreë Piper kanë vërejtur një dimension tjetër të fenomenit: atë fizike. Grupi i formuar prej tyre dhe nga Anne Manger nënvizon se duke lexuar në letër prekja shton një faktor të rëndësishëm bollëku informacioneve, një lloj “gjeometrie” fjalëve, dhe një “realitet” hapësinor tekstit. Siç vëren Piper, qeniet njerëzore kanë nevojë të dinë se ku janë të vendosur në kohë dhe në hapësirë, pasi një gjë e tillë ju mundëson që të kthehen tek gjërat dhe t’i rishqyrtojnë, domethënë të përdorin atë që quhet “teknologjia e përsëritjes”. Si për lexuesit e rinj, ashtu edhe pë rata më të rritur, përsëritja është e rëndësishme pasi kërkon aftësinë e të kthyerit prapa, të verifikojë e të vlerësojë kuptimin e vet të një teksti. Në këtë pikë, problemi është se çfarë ndodh me të kuptuarin kur i drejtohesh një ekrani, mungesa e realitetit hapësinor të të cilit i shkurajon që të kthehen prapa.

Ekspertët e mjeteve amerikane të informimit Lisa Guernsey e Michael Levine, gjuhëtarja e American University Naomi Baron dhe konjitivistja Tami Katzir e Haifa University kanë studiuar efektet e mjeteve të ndryshme të informimit, në mënyrë të veçantë tek të rinjtë. Nga kërkimi i Katzir ka dalë se efektet negative e leximit në ekran duken të qarta qysh nga klasa e 4-ët apo e 5-të, me pasoja jo vetëm mbi kuptimin, por edhe mbi zhvillimin e simpatisë. Mundësia që analiza kritike, simpatia dhe procese të tjera të leximit të thellë të bëhen “dëme kolaterale” të pavullnetshme të kulturës tonë dixhitale nuk është një problem që ka të bëjë vetëm me kundërvënien midis leximit në letër dhe leximit dixhital.

Është çështje sesi fillojmë të lexojmë në çdo pajisje dhe sesi kjo influencon jo vetëm mbi atë që lexojmë, por edhe mbi qëllimin për të cilin lexojmë. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me të rinjtë. Atrofizimi gradual i analizës kritike dhe i simpatisë na dëmton të gjithë. Influencon mbi aftësinë tonë për të dredhuar nën një bombardim konstant me informacione. Na inkurajon që të tërhiqemi në botën më familjare të informacioneve jo të kontrolluara, që nuk kërkojnë asnjë analizë, duke na ekspozuar ndaj rrezikut të fake neës dhe të demagogjisë.

Në neuroshkencë ka një rregull të vjetër që vlen për të gjitha moshat: nëqoftëse nuk e përdor, e humb. Është një concept mjaft i dobishëm nëse i aplikohet mendimit kritik, pasi implikon një zgjedhje. Historia e ndryshimit të trurit që lexon nuk ka mbaruar akoma. Posedojmë si diturinë, ashtu edhe teknologjinë për ta korrigjuar mënyrën tonë të ndryshme të të lexuarit përpara se të bëhet mjaft e rrënjosur. Nëqoftëse mendojmë për atë që rrezikojmë të humbasim, përveç fitimit të aftësive të reja të jashtëzakonshme që na ofron bota dixhitale, atëhere kemi motiv për të qenë entuziastë, por edhe për të qenë vigjilentë. Duhet të kultivojmë një tip të ri truri: një tru të “bialfabetizuar”, në gjendje oër firma mendimi më të thella, duke përdorur si mjetet dixhitale, ashtu edhe ato tradicionale. Nga këto varen shumë gjëra: aftësia e qytetarëve të një demokracie për të përqafuar pikëpamje të ndryshme dhe për ta dalluar të vërtetën nga gënjeshtra; aftësia e fëmijëve dhe nipërve tanë për të vlerësuar e krijuar bukuri dhe aftësia jonë për të shkuar përtej urisë aktuale të informacionit për të fituar dije dhe urtësinë e nevojshme në krijimin e një shoqërie të mirë.

(Maryanne Wolf është John DiBiaggio Profesor e Qytetarisë dhe Shërbimit Publik, Drejtore e Qendrës për Leximin dhe Kërkimin Gjuhësor dhe Profesore në Departamentin Eliot – Pearson të Studimit të Fëmijëvedhe Zhvillimit Njerëzor në Tufts University)