13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Intervistë – Kawczynski: “Evropa në heshtje shurdhuese për 15 korrikun”

Më të lexuarat

Deputeti britanik, Daniel Kawczynski, paralajmëroi Evropën në lidhje me qëndrimin e saj ndaj Turqisë gjatë një interviste ekskluzive në Londër për “TRT World”, kanal informativ ndërkombëtar që transmeton në gjuhën angleze…

 

Daniel Kawczynski, anëtar i Parlamentit të Britanisë së Madhe dhe i Komitetit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme, organ anglez që po heton tentativën për grusht shteti të 15 korrikut në Turqi, dha një intervistë ekskluzive për kanalin informativ, “TRT World”. Kawczynski bëri vlerësime në lidhje me zhvillimet dhe qëndrimin e Evropës ndaj Turqisë pas 15 korrikut.

Kawczynski tha se kryeqytetet evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe, janë “në një heshtje shurdhuese” për atë që Turqia është duke kaluar, ndërsa nënvizoi rëndësinë e Turqisë për Evropën. I pyetur nëse Perëndimi apo Britania e Madhe mund të përballojnë humbjen e një aleati si Turqia, deputeti anglez u përgjigj se “çdo evropian i arsyeshëm duhet të trembet nga kjo mundësi”.

“Ne s’duhet të nënvlerësojmë stabilitetin e Turqisë dhe besnikërinë e saj ndaj NATO-s. E vetmja gjë në mes të DAESH-it dhe Evropës është Turqia. Të humbasësh Turqinë do të ishte katastrofike për Evropën. Pavarësisht tensioneve ndërmjet Turqisë dhe Rusisë pas rrëzimit të paqartë të avionit rus në kufirin turk, Presidenti rus bëri një përpjekje të shpejtë për marrëdhënie më të mira me Turqinë. Të dy vendet ishin në një pikë problematike, por Rusia e kuptoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira me Turqinë. Turqia nuk duhet të nënvlerësohet kurrë. Kjo do të çojë në pasoja shkatërrimtare për interesat perëndimore. Nëse kolegët tanë në Turqi ndjehen të izoluar nga Perëndimi, atëherë është me rëndësi absolute që ne t’i bindim dhe qetësojmë përsëri ata”, shtoi Kawczynski.

Deputeti britanik iu bëri thirrje vendeve evropiane, të cilat kritikojnë Turqinë: “Unë do të doja që ata të ndaleshin për një moment dhe të imagjinonin 241 qytetarë të Mbretërisë së Bashkuar, të masakruar nga forca që përpiqen të destabilizojnë Parlamentin tonë dhe përmbysin vullnetin demokratik të popullit britanik. Ata duhet të mendojnë se si do të reagonim ne në një situatë të tillë.”

“Ne admirojmë popullin turk”

Kawczynski theksoi se ishte inkurajuese kur Presidenti dhe Kryeministri i Turqisë ftuan popullin turk që të tubohej në rrugë e sheshe, pasi kjo gjë kërkon guxim. “Ne i admirojmë këta njerëz dhe popullin turk që ndaluan grushtin e shtetit”, u shpreh ai.

“S’ka dyshim që lëvizja Gulen është e implikuar rëndë në tentativën për grusht shteti”

Kawczynski nënvizoi gjatë intervistës se pavarësisht që hetimet janë në një fazë të hershme, nuk ka dyshim se lëvizja Gulen ishte implikuar rëndë në tentativën për grusht shteti. Ai kërkoi me ngulm që të bëjë edhe një paralajmërim: “Lëvizja Gulen ka një ndikim të caktuar në shumë pjesë të botës dhe vendet evropiane janë gjithashtu në rrezik!”

Anëtari i Komitetit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme në Parlamentin britanik u ndal gjithashtu mbi kërkesat e Turqisë nga SHBA-ja për ekstradimin e Gulenit.

“Unë shpresoj se presidenti amerikan do të marrë parasysh kërkesat e Turqisë, sepse Turqia luan një rol të rëndësishëm në mposhtjen DAESH-it në Irak dhe Siri. Në një takim të kohëve të fundit, ambasadori ynë në Irak më tregoi për gjërat e rëndësishme, që Turqia ka bërë kundër DAESH-it, një kërcënim për të gjithë rajonin dhe më gjerë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të dëgjojnë shqetësimet e Turqisë në rast se duan ta shohin Turqinë jo vetëm në luftën kundër DAESH-it, por njëherësh edhe përkrah tyre si një vend i rëndësishëm i NATO-s”, vijoi ai.

“Evropa duhet ta mbajë Turqinë si një partnere strategjike”

Daniel Kawczynski tha se Turqia ka bërë dhe po bën një punë të mrekullueshme për mbrojtjen e miliona refugjatëve sirianë dhe për t’u ofruar tyre shërbime shëndetësore, ndërsa vlerësoi se BE-ja ka dështuar në menaxhimin e krizës së refugjatëve. Ai tha se kriza është zgjidhur falë Turqisë dhe se Turqia duhet të mbahet fort si një partnere strategjike.

“Hope-hopet e Evropës për anëtarësimin e Turqisë janë turp”

Duke kujtuar vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga Bashkimi Evropian (Brexit), Kawczynski vuri në pah se hope-hopet e Evropës dhe qëndrimi hope-hope i saj për anëtarësimin e Turqisë janë turp.

“Turqit kanë qenë shumë të durueshëm me BE-në. Unë gjithashtu mendoj se disa burokratë në Bruksel nuk i kuptojnë presionet dhe problemet, me të cilat qeveria turke po përballet tani. Është e gabuar që Turqia nuk vlerësohet në të njëjtën mënyrë si vendet e tjera kandidate”, saktësoi ai.

Në fund të intervistës, Kawczynski njoftoi se në muajin janar kanë në plan të vizitojnë Turqinë për të thelluar hetimin e tyre në lidhje me tentativën për grusht shteti.

 

Burimi:TRT World

http://www.trt.net.tr/shqip/video/turqia/interviste-kawczynski-evropa-ne-heshtje-shurdhuese-per-15-korrikun

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit