12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

INPO: Komunat po digjen, Qeveria hesht

Më të lexuarat

Iniciativa për Progres – INPO, shpreh shqetësimin e saj lidhur me situatën e krijuar nga zjarret që kanë përfshirë zona të ndryshme të Kosovës. Pyjet të cilat janë kapluar nga zjarri kanë krijuar një situatë të rëndë dhe përderisa dëmet e shkaktuara janë të parikuperueshme është shumë shqetësuese heshtja e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin dhe normalizimin e situatës.

Situata të tilla si në Komunën e Deçanit ku nga zjarri janë përfshirë më tepër se 100 hektarë pyje, kryetari i komunës në momentin e parë që ka vlerësuar se kapacitetet lokale nuk mjaftojnë për fikjen e zjarreve është dashur të shpall gjendje emergjente dhe të kërkojë asistencë qendrore, pasi që mbi të bie përgjegjësia për sigurinë publike dhe mirëqenien e qytetarëve të komunës.
Është shqetësuese heshtja e Presidentes së Republikës, thuhet në një komunikatë, që duke parë neglizhencën e qeverisë, në bazë të nenit 84 të kushtetutës së Republikës së Kosovës të thërras mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe të ndërmarr masat e nevojshme për mbrojtjen e pasurisë kombëtare. Gjithashtu për INPO-n hezitimi i qeverisjes lokale në Deçan që të shpall gjendjen e jashtëzakonshme edhe pas përfshirjes nga zjarri tani e dy muaj, tregon paaftësi, raporton koha.
Qeveria e Kosovës si hartuese dhe përgjegjëse për implementimin e Planit të Reagimit Kombëtar, veçanërisht Ministria e Punëve të Brendshme si përgjegjëse për koordinimin e operacioneve qendrore brenda Kosovës për tu përgatitur dhe reaguar ndaj fatkeqësive natyrore, apo të shkaktuara nga faktori njeri, deri më tani nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për shuarjen e këtyre zjarreve dhe se këto zjarre po përpiqen t’i shuajnë dhe ndalojnë së zgjeruari në hapësira të tjera vetëm njësitet e zjarrfikësve komunave të kapluara nga zjarret dhe disa qytetarë.
INPO i bën thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që të ketë qasje gjithëpërfshirëse kombëtare për menaxhimin e incidenteve dhe emergjencave të kësaj natyre, të zbatojë mekanizmat ligjore dhe ndërinstitucionale të parapare edhe me Planin për Reagim Kombëtar dhe të ndërmarrë aktivitetet dhe veprimet e nevojshme për shuarjen dhe përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Duke pasur parasysh kapacitetet modeste të institucioneve të Kosovës për shuarjen e zjarrit, INPO kërkon nga kryeministri Thaçi që të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe t’i kërkohet vendeve mike që të na ndihmojnë me logjistikë për shuarjen e zjarreve./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit