21.7 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Inovacionet e halifit Omer ibn Hattabi r.a.

Më të lexuarat

Ai është i pari që i ndërtoi me plan qytetet muslimane. Gjatë qeverisjes së tij, u themeluan qytetet Kufa dhe Basra në Irak, si dhe Fustati në Egjipt.

Ai është i pari që e vendosi sistemin legjislativ në qytetet muslimane dhe caktoi kadij (gjyqtarë) në to.

Ai është i pari që e bëri regjistrimin e popullsisë, pronës, ashtu që në kohën e tij gjithçka ishte e evidentuar.

Ai është i pari që e themeloi Darud-dekik (Shtëpinë e miellit), e cila i përfaqëson ato që sot ne i quajmë institucione sociale dhe të sigurimeve, prej të cilave, personave të rrezikuar materialisht ju është ndarë miell, kripë, hurma, rrush dhe artikuj të tjerë jetësor.

Ai është i pari që e rrëzoi xhaminë e Pejgamberit (savs), e zgjeroi dhe ia bashkoi hapësirën e shtëpisë së Abbasit (Darul-Abbas). Ai e largoi Mekami Ibrahimin nga Qabeja, për ta zgjeruar hapësirën për tavaf dhe për t’ua mundësuar muslimanëve që prapa tij të bëjnë tavaf.

Ai është i pari që e shtroi me gurë të vegjël xhaminë e Pejgamberit (savs), në të cilën deri atëherë bënin sexhde mbi pluhur i cili ngjitej në ballët e tyre, dhe në një farë mënyre ua largonte vëmendjen nga namazi. Kur Omeri (r.a.) e shtroi xhaminë e Pejgamberit (savs), në këtë mënyrë, muslimanët ishin në gjendje që më plotësisht t’i përkushtohen namazit.

Ai është bamirësi (vakifi) i parë në Islam. Ai e la në pronësi të përhershme për muslimanët parcelën e tokës, të cilën e posedonte në Hajber.

Ai është i pari që e profesionalizoi shërbimin shtetëror. Në kohën e Pejgamberit (savs), nuk ishte i njohur sherbimi i komandantit të ushtrisë ose oficerit, por njerëz të ndryshëm emëroheshin në raste të ndryshme për detyra të caktuara, por zyrtarisht nuk ekzistonte ndonjë pozicion ose pozitë e tillë. Ebu Bekri (r.a.), pas vdekjes së Pejgamberit (savs), deshi të emëronte gjyqtarë. Njerëzit vazhdimisht i kërkonin që t’i gjykonte në mosmarrëveshje të ndryshme, ndërsa ai nuk kishte kohë për këtë, për shkak të kujdesit të tij të përditshëm për muslimanët, për shkak të braktisjes, dhe të gjithave që u përmendën kur u fol për obligimet shtetërore të Ebu Bekrit (r.a.). Prandaj, Omerin (r.a.), e emëroi gjyqtar suprem të muslimanëve. Kështu, Omeri (r.a.), ishte gjyqtari i parë në Islam. Me atë rast, Ebu Bekri (r.a.), e urdhëroi atë: „Gjykoji njerëzit, sepse unë, me të vërtetë, jam i zënë me obligime të tjera.“

Omeri (r.a.), ishte i pari që e themeloi Bejtul-malin (Arkën shtetërore). Deri atëherë ishte praktikë që me procedurë të shpejtë t’u jepej një ndihmë e caktuar atyre që e kërkonin dhe e meritonin. Omeri (r.a.), i pari e vendosi sistemin sipas të cilit veprohej me rastin e ndarjes së mjeteve materiale shtetërore.

Ai është i pari që e vendosi llogaritjen e kohës sipas Hixhretit. Përkatësisht, muslimanët e asaj kohe u përballën me problemin e definimit të kohës për ngjarjet e caktuara. Në halifat mbërrinin letra nga e gjithë bota. Shpesh ndodhte që letrat që janë dërguar më vonë të mbërrinin para atyre letrave që ishin dërguar para tyre. Tek llogaritja e zekatit lindën keqkuptime, nëse zekati është paguar për këtë ose për atë muaj, për vitin e kaluar apo për vitin para tij.

Muslimanët ranë dakord se duhej ta vendosin një kalendar unik për llogaritjen e kohës. Disa propozuan që të merrej si model llogaritja romake e kohës. Omeri nuk pranoi ta bëjë këtë, për shkak se po flitej për historinë muslimane, jo për historinë e dikujt tjetër. Të tjerët propozuan llogaritjen e kohës sipas kalendarit persian, të cilin Omeri (r.a.), gjithashtu e refuzoi.

Muslimanët kërkuan një zgjidhje të pranueshme për të gjithë ata, derisa Aliu (r.a.), propozoi që fillimi i historisë së muslimanëve të llogaritet me fillimin e Islamit. Propozimi i tij ishte ngjarja e Hixhretit. Disa muslimanë për fillim të llogaritjes së historisë së Islamit propozuan datën e lindjes së Pejgamberit (savs), e disa të tjerë, madje propozuan që kjo datë të jetë vdekja e Pejgamberit (savs), kurse Aliu (r.a.), propozoi që kjo të jetë data e Hixhretit. Pastaj ata u përballën me problemin se Hixhreti nuk ishte në muajin e parë – muharrem, por në muajin rebiul-ahir. Gjithashtu ishin në dilemë, nëse do ta fillojnë llogaritjen nga muaji muharrem, nga muaji ramazan, nga muaji rebia, apo nga haxhillëku. Osmani (r.a.), propozoi që fillimi i llogaritjes së kohës të jetë nga data kur njerëzit u kthyen nga haxhillëku, përkatësisht me fillimin e muajit muharrem.

Omeri (r.a.), është i pari që mori zekatin për kuaj. Deri atëherë nuk merrej zekat për kuaj, sepse kuajt u përdorën kryesisht për xhihad. Kur u fillua të bëhej tregti me kuaj, Omeri (r.a.), këtë e konsideroi tregti fitimprurëse, dhe mbi këtë bazë, urdhëroi që të merrej zekati për kuaj.

Ai është i pari që vendosi dënimin me kryqëzim (ekzekutim). Pejgamberi (savs), kur dëshironte ta vizitonte Ummu Vereka el-Ensarijjen (r.a.), u thoshte sahabëve: “Ejani të shkojmë ta vizitojmë shehiden (ajo që do të vdes si dëshmore).“

Sahabët u befasuan dhe nuk u ishte e qartë se si një grua e moshuar që nuk shkonte me ta në xhihad do të bëhej dëshmore. Ata e vizitonin atë me Pejgamberin (savs), duke mos e ditur, por duke besuar Pejgamberin (savs), se ajo do të bëhej dëshmore. Ata vepruan kështu deri sa ajo arriti një moshë të thellë. Ajo kishte pasuri të madhe, kishte një shërbëtor lakmitar dhe një shërbëtore, të cilët vendosen ta vrisnin plakën dhe ta fshihnin pasurinë e saj nga trashëgimtarët e saj, kurse më pas ta merrnin atë pasuri për vete. Mirëpo, qëllimi i tyre u zbulua, dhe Omeri (r.a.), duke u përpjekur të parandalojë shfaqjen që skllevërit t’i vrasin pronarët për t’ua marrë pasurinë e tyre, vendosi t’i ndëshkojë të dy shërbëtorët me dënimin me vdekje me kryqëzim. Ai e bëri këtë me qëllim që askush tjetër, as të mos mendojë për një krim të tillë, e lëre më ta kryejë atë.

Ai është i pari që i bashkoi muslimanët për ta falur namazin e teravisë me xhemat në xhami. Në atë kohë njerëzit faleshin individualisht ose në disa xhemate më të vogla në xhami. Omeri (r.a.), u tha atyre: “Do të ishte më mirë që të faleni në një xhemat. Pejgamberi (savs), kishte frikë se mos po u bëhej detyrim (farz) namazi i teravisë, dhe për këtë arsye nuk ju lejonte të faleni në një xhemat. Tani më kjo frikë nuk ekziston, dhe tani ju mund ta falni namazin e teravisë në një xhemat.” Namazin e teravisë, si imam ua fali Ubej b. Ka’b.

Omeri (r.a.), pra, shumë vepra bëri para të gjithë muslimanëve të tjerë.

Ne kemi përmendur këtu vetëm ato që konsiderohen më të rëndësishmet.

Një nga veprat e tij jashtëzakonisht të dobishme është edhe shtrirja e Mesxhidul-Haramit në Mekke. Në atë kohë rreth Qabesë nuk kishte asnjë xhami. Ishte vetëm Qabeja, një pjesë tokë e shkretë, pastaj shtëpitë. Njerëzit gjithnjë e më shumë filluan t’i afrojnë shtëpitë afër Qabesë. Omeri (r.a.), kishte frikë se në këtë mënyrë do të tkurret hapësira përreth Qabesë. Ai urdhëroi që të blihen ato shtëpitë, pastaj të rrënohen, dhe më pas të ngritët një mur rreth hapësirës së caktuar për Qabenë. Muri ishte i lartë sa njeriu. Në fillim nuk kishte asnjë ndërtesë, ishte vetëm muri i ndriçuar me llamba.

Ai është i pari që e mbuloi Qabenë me një pëlhurë egjiptiane të quajtur katat. Qabeja, para Islamit, ishte e mbuluar me lëkurë, kurse Pejgamberi (savs), e mbuloi me pëlhurë jemenase. Mbulesa e saj nuk ishte e zezë, por ishte e bardhë ose jeshile. Mbulesa e zezë, lidhet me sundimin abasid, e cila edhe sot është praktikë.

Ekstrakt nga vepra: Tarik Al-Suvejdan, Ebu Bekri dhe Omeri, fq. 138-140.

Redaktuar nga: Resul Mehmedović (Dialogos)

Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit