6.5 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Inkurajimi teknologjik i ligësisë

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Platoni ishte i mendimit se regjimet politike dhe shpirtrat qytetarë janë pasqyra të njëra-tjetrës. Për pasojë, ai nuk e shihte politikën të aftë për t’u vetëkorrigjuar për sa kohë qytetarët shihnin te politika vetveten apo të përafërtën e asaj që do të bënin edhe vetë, po të ishin në vend të atyre që drejtojnë. Ky mendim i Platonit duket se ka mundur të pasqyrohet më shumë se kurrë në raportin e sotëm politik, përmes show-t teknologjik. Politika sot, sidomos në Shqipëri, ka zgjedhur demokracinë e drejtpërdrejtë, populiste, duke sajuar përmes denoncimeve një shfaqje ligësie, që çdo ditë e më shumë e largon qytetarin nga problemet reale e për pasojë, edhe qeveritë nga dhënia e llogarive ndaj akteve që ndërmerr.

Shtimi i ushtrisë së atyre që shajnë e fyejnë përmes rrjeteve sociale, duket si një tapet për atë që ndodh më së shumti në politikë, ku në vend të një debati real, qytetarët mbeten nën jehonën e sharjeve që tashmë janë në konkurrencë se kush e shpreh më banalisht mendimin e vet. Dhe për këtë tapet sharjesh hidhen në lojë të gjitha ngjyrat, të gjitha kanalet e komunikimit, duke e bërë denoncimin dhe fyerjen si thelbin e vetëm të debatit dhe shqetësimit qytetar.

Po pse pikërisht është kaq e dashur tashmë kjo gjuhë ligësie dhe denoncimi për politikën?

Më së pari, përmes miklimit të turmës si pjesë e debatit, ku gjithkush thotë gjithçka pa asnjë përgjegjësi, politika arrin të vihet nën rolin e dirigjentit të emocioneve, pra edhe të frikërave që shoqërojnë qytetarët në përditshmërinë e tyre. Edhe armikun politik, që i duhet turmës për ta lançuar, është sërish shteti dhe gjithë mjetet e komunikimit qeverisës që ua sugjerojnë qytetarëve, që ata lirisht të ushtrojnë artin e vetëm që shkakton jeta e dominuar nga emocionet dhe frika- ligësinë ndaj tjetrit. Në Shqipëri, në fakt, ky art është lehtësisht funksional edhe për shkak të kulturës së fortë të dyshimit mbi tjetrin që mbolli sistemi komunist për gati 50 vite, ku tjetri ishte vetëm dikush që mund të të spiunojë apo dikush që mund të ishte armiku yt.

Përmes inkurajimit të hapur të ligësisë, që përgjithësisht vjen nën petkun e denoncimeve në emër të pjesëmarrjes së qytetarit në jetën politike, qeveria e bën shumë më të lehtë kontrollin e jetës publike, pasi gjykimet nuk janë më nën pushtetin e arsyes dhe gjykimit objektiv, por nën pushtetin e instinkteve, zemërimit dhe të urrejtjes. Ajo që mbetet me rrezik në këtë inkurajim që i bëhet ligësisë, është fakti se mjete të tilla, siç janë sot rrjetet sociale, e kthejnë shumë shpejt në kulturë mbizotëruese komunikimi. Kjo ndihmohet nga fakti se qytetari e konsideron veten të përfillur nga pushteti, pasi i është dhënë liria të denoncojë – pra, të denigrojë publikisht këdo. Është pikërisht ky vetëmashtrim që i fut qytetarët në një rreth vicioz, pa mundur dot të ngrenë zërin e të kërkojnë realisht atë që do t’u shërbente atyre për përmirësimin e jetës.

Por kjo gjuhë e ligësisë, e shumëfishuar edhe nga teknologjia, ka rrezikun që të mbajë gjithnjë e më larg debatit ata që mund të japin rrugëzgjidhje. Në një situatë të tillë, inkurajohet ajo që filozofi amerikan, Noam Çomski, e konsideronte “vetëfajësimi i qytetarit” – pra, një situatë ku qytetari beson se nuk duhet të fajësojë qeverinë për keqqeverisje, por të fajësojë vetveten se përse nuk i shfrytëzoi rastet që iu dhanë për të marrë diçka nga prona publike apo prona e tjetrit, pa marrë parasysh gjykimet morale për të tilla veprime. Sipas Çomskit, kjo prirje për vetëfajësim nga ana e qytetarit paraprihet nga inkurajimi që i bëhet çdokujt që të mos ndihet keq nga ligësia apo injoranca e tyre. Inkurajimi i tyre për të mos u ndierë keq nga injoranca që shfaqin në debate të ndryshme, e mbush jetën publike me urrejtje e denoncime, duke e fshehur kështu tiraninë politike përmes gënjeshtrës se janë qytetarët, ata që e kërkojnë këtë realitet dhe se është vullneti i tyre që po vihet në zbatim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit