12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Industria fitimprurëse e Islamofobisë (pj.3)

Më të lexuarat

Pas narrativës islamofobe të mediave dhe liderëve aktivistë të grupeve raciste fshihet një industri e madhe, e cila shpenzon me miliona dollarë në vit për të ushqyer idenë e një Islami të dhunshem, e për rrjedhojë edhe të muslimaneve si terroristë të mundshëm, të cilët meritojnë të mbikqyren/monitorohen nga autoritet dhe të kenë një trajtim diskriminues vetëm për faktin e të qenit muslimanë.
 
Kjo është pjesa e tretë e intervistës së Fair Observer me Nathan Lean rreth arsyes pse po rritet sIslamofobia në perëndim dhe si po zmadhohet frika ndaj muslimanëve nga mediat e korporatave.
 
Ziabari: Në librin tuaj, të vlerësuar ndërkombëtarisht, ju e keni quajtur Islamofobinë industri. Vërtetë medoni se Islamofobia po promovohet si një industri? A po punohet në mënyrë të vazhdueshme për të propaganduar një frikë joreale ndaj muslimanëve, për t’i bërë ata gogolin dhe armikun, i cili është përgjegjës për të gjitha të këqijat që po ndodhin sot?
 
Lean: “Industria” e Islamofobisë nuk është si ajo e automobilave: nuk ka kompani të mëdha, konglomerate, apo linja prodhimi. Por, është industri në një kuptim më organik. Ekziston një grup – që lidh me dhjetra individë dhe grupe nga kontinente të ndryshme. Fondacione të mëdha me një kapital prej dhjetra miliona dollarësh (Donor’s Capital Fund, Scaife Foundation, Bradley Foundation, etj.) japin para për think-tanke, pseudo studiues, organizata dhe projekte (Clarion Project, Middle East Forum, Horowitz Freedom Center, Center for Security Policy), të cilat pasqyrojnë prirjet ideologjike të donatorëve të tyre.
 
pamella geller
Pamella Geller
Këto organizata dhe projekte mbështeten në një grup të vetëshpallur si ekspertë mbi Islamin, Lindjen e Mesme, terrorizmin, sigurinë kombëtare dhe fushat e lidhura me to, [përfshirë] Daniel Pajps (Daniel Pipes), Robert Spenser (Robert Spencer), Zuhdi Jasir (Zuhdi Jasser), Stiven Emerson (Steven Emerson), Frenk Gafnej (Frank Gaffney), etj. Këta individë prodhojnë narrativën rreth muslimanëve dhe Islamit – si kërcënimi nga Sheriati në Shetet e Bashkuara, mbështetja e pretenduar për Vëllazërinë Muslimane, etj., – të cilat më pas u shpërndahen blogerave dhe aktivistëve si Pamela Geller (Pamella Geller), Brizhitë Gabrijel (Brigitte Gabriel) [dhe] Ualid Shobat (Walid Shoebat), të cilët paguhen me rroga të majme për t’i përhapur ato.
 
Këto grupe, të cilat mbështeten në politika konservatore dhe mbështetësit e Izraelit të vijës së ashpër, formojnë një grup të madh në internet (si;  JihadWatch, AtlasShrugs, BareNaked Islam, Gates of Vienna, Blazing Cat Fur, etj). Për më tepër, këta përsona në këtë “industri”, me anë të shitjes së librave best seller, fjalimeve, ngjarjeve publike, përfitojnë të ardhura që shkojnë në qindra mijëra dollarë në vit. ELA GELLER
 
Ziabari: Çfarë roli luajnë kompanitë mediatike të korporatave në nxitjen e Islamofobisë? Zakonisht, mediat në perëndim krenohen me ndershmërinë, transparencen dhe pavarësinë e tyre. A marrin urdhra nga qeveritë, apo thjeshtë i bëjnë fushatat e tyre të nxitjes së frikës nga muslimanët duke u bazuar në politikat e tyre editoriale?
 
Lean: Mediat luajnë një rol qëndror në nxitjen e Islamofobisë. Pavarësisht se nuk marrin sugjerime nga qeveria, ato i japin përparësi historive që i shkojnë për shtat audiencës së tye respektive. Problemi i medias këtu është i trefishtë:
 
Së pari, zërat muslimanë kryesisht mungojnë. Në shumicën e rasteve janë jomuslimanët që flasin për muslimanët, në vend që të flasin me muslimanët, apo t’i shfaqin ata si folës, të cilët mund t’i japin ngjyrim, ndërlikueshmëri, duke nxitur kështu një debat më të ndjeshëm.
 
Së dyti, media e lajmeve është një sipërmarrje e madhe ku paratë vijnë nga reklamat, e këto të fundit vijnë nga shikueshmëria e lartë. Që të ruajnë paratë, duhet të ruajnë shikueshmërinë. Mënyra për ta ruajtur shikueshmërinë e lartë është duke i mbajtur shikuesit të lidhur pas historisë.
 
Por si mund t’i mbani të lidhur shikuesit me një histori kur ka shumë pak informacione për të raportuar? Si për shembull, pas një shpërthimi diku nëpër botë? [Kjo bëhet] duke bërë pyetje që e mbajnë historinë të ndezur. Në vend që t’i thuhet audiencës që të kthehet kur të këtë më shumë informacione, reporterët shpesh bëjnë pyetje që supozojnë, tregojnë, sugjerojnë, ngrenë hipoteza, lënë të kuptohet se, imagjinojnë, etj. Ata bëjnë gjëra në vend që të raportojnë thjeshtë faktet. Një prezantues mund të pyes: “A kemi ndonjë informacion që sugjeron se sulmi në Kansas është kryer nga terroristë islamikë?” Një tjetër mund të pyes: “A ka mundësi që pas kësaj kasaphaneje të fshihen njerëz nga Europa të lidhur me Al-Kaedën apo ISIS-in?” Më tej mund të dëgjojmë: “Deri tani nuk ka të dhëna që tregojnë për përfshirjen e ekstremistëve muslimanë.” Papritmas, ekziston mundësia që Islami apo muslimanët të jenë të përfshirë, duke krijuar përshtypen se ata janë të dyshuarit e zakonshëm. Histori të tilla sensacionale – të vërteta ose jo – zakonisht i mbajnë njerëzit të ngjitur para televizorit.
 
Së fundmi, në disa raste gazetarët shkelin krejtësisht protokollin e të qënit objektiv dhe provokojnë qëllimisht. Fox News është arketipi; me figura si Shon Haniti (Sean Hannity), Bill O’Rajli (Bill O’Reilly), të cilët flasin pa pushim: “xhihadi” këtu, “sheriati” aty. Një studim i vitit 2011 nga Think Progress, tregon se Fox News, në mënyrë të shpërpjesëtuar, ka përdorur terma që pasqyrojnë një pikëpamje negative ndaj muslimanëve, duke futur në transmetime shprehje si “Islami radikal” shumë më tepër se konkurentët e tyre. Gjithashtu, është e mirëdokumentuar se shefi i Fox News, Roxher Ajls (Roger Ailes) ka transmetuar ngjarje që konfirmojnë botëkuptimin e tij paranojak – i cili është i mbushur me lajme me muslimanë të dhunshëm. Njëherë ai bllokoi një godinë të tërë vetëm pse pa një portier të veshur me “rroba muslimane.”
 
Ziabari: Në pyetjen e fundit më lejoni t’i referohem njërës prej deklaratave tuaja të mërparshme. Në një intervistë me të përjavshmen Al-Ahram, në vitin 2012, ju keni thënë se Islamofobët dhe ekstremistët e krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara fitojnë mijëra dollarë çdo vit duke ngritur dyshime dhe duke përhapur urrejtje kundër muslimanëve. Si ka mundësi? Si keni arritur në përfundimin se Islamofobia është një industri fitimprurëse për krahun e djathtë dhe neokonservatorët?
 
Robert Spencer dhe Pamella Geller
Robert Spencer dhe Pamella Geller
Lean: Islamobia është një industri fitimprurëse. Paguan shuma të majme për karrierat e shumë njerëzve, të cilët ia kanë kushtuar jetën punës për të promovuar narrativa në mbështetje të saj.
 
Merrni për shembull blogun e vrazhdë të Pamela Gellerit. Të dhënat tatimore tregojnë se ajo merr një pagë vjetore prej grupit të saj të urrejtjes, American Freedom Defense Initiative  “Nisma Amerikane për Mbrojtjen e Lirisë” mbi 200 mijë dollarë amerikanë. Gjithashtu, ajo nxjerr të ardhura edhe nga honoraret e librave, donacionet për faqen e saj në internet dhe fjalimet publike.  Robert Spenser (Robert Spencer), një dhjak katolik, i cili jeton në Nju Hempshir (New Hampshire), e që drejton ditarin online JihadWatch, merr afërsisht të njëjtën shumë çdo vit nga David Horowitz’s Freedom Center “Qëndra për Lirinë e Dejvid Horouits”.
 
Frenk Gafnej (Frank Gaffney), think tank-u i të cilit qëndronte pas pretendimit të pabazë se Vëllazëria Muslimane ishte infiltruar në qeverinë amerikane, mori në vitin 2011 një pagë prej 300 mijë dollarësh amerikanë. Ndërkohë, Dejvid Jerushalmi (David Yerushalmi), avokati i Gellerit dhe Spenserit që paraqiti projekt-ligjin anti-Sheriat, merr mbi 150 mijë dollarë, shumica e të cilave vijnë nga fatura konsultimi në ngarkim të Gafnejit dhe faturave ligjore të paguara nga rastet në emër të klientëve të tij.
 
Fondi Klarion (Clarion Fund), i cili prodhoi filmin anti-musliman Obsession “Mania”, ka marrë mbi 18 milion dollarë, ndërkohë që Middle East Forum “Forumi për Lindjen e Mesme” i Daniel Pajps (Daniel Pipes) raportohet se ka marrë afërsisht 6 milion dollarë të ardhura gjatë këtyre viteve. Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame raporton se midis 2008-ës dhe 2011-ës, 37 grupe të ndryshme kanë fituar një shumë prej 120 milion dollarësh amerikanë në formë dhurimi.
 
Përktheu Enes Neza
 
Observer.al
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit