Reklama Vetit ne Krye
Titujt
Wednesday, 22 August 2012 11:20

Bankat në Kosovë nuk i ulin normat e interesit

Edhe përkundër faktit se bankat komerciale që veprojnë në Kosovë janë mjaft profitabile dhe me një qëndrueshmëri stabile, normat e kamatave të kredive vazhdojnë të jenë të larta, thonë njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë. Sipas disa organizatave joqeveritare që merren më këtë çështje, normat e kredive sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Ibrahim Rexhepi, njohës i ecurive ekonomike në Kosovë, thotë se bankat në Kosovë janë komerciale, që përballë kanë vetëm interesin, dhe në asnjë mënyrë nuk e ndajnë fatin me ekonominë dhe kredimarrësit e tyre.

Ai madje dyshon se ka marrëveshje të fshehta në mes institucioneve bankare për të mbajtur nivelin e lartë të kamatave.

“Nuk ka ndonjë veprimtari aq profitabile në Kosovë, ku një investim mund të kthehet në 12 deri 15 për qind në fitim. Çka do të thotë se investimet nuk mund të mbulojnë as nivelin e kamatave që kërkojnë bankat. Prandaj, edhe bankat kanë riorientuar plasimin e mjeteve, kanë përzgjedhur veprimtaritë që mund të financojnë dhe në këtë rast është tregtia”, shprehet Rexhepi.

Normat e interesit të kredive në Kosovë janë të më të lartat në rajon, vlerëson edhe Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Ai konsideron se vetëm konkurrenca e fortë në tregun bankar, mund t’i detyrojë bankat që të ulin kamatat e kredive.

Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale.

“Unë pajtohem se tetë banka në numër janë të mjaftueshme për numrin e popullsisë dhe kapacitetin e ekonomisë së Kosovës. Por, këto banka janë shumë konservative në dhënien e kredive dhe nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të furnizuar ekonominë, sektorin e biznesit në Kosovë”.

“Nëse analizojmë këto tetë banka që operojnë në Kosovë, deri në 85 për qind të kapitalit të tyre është kapital i depozituesve. Kjo krijon një garanci se sistemi është i shëndoshë dhe pa probleme në sigurimin e mjeteve”, thekson Bektashi.

Ndryshe, kamatat e kredive i përcaktojnë bankat në bazë të politikave të tyre, ndërsa Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në politikat e bankave.

Bektashi shpjegon se cilat janë mundësitë që të institucionet shtetërore të ndikojnë në uljen e kamatave të kredive.

“Në Unionin Evropian ka shtete që kanë banka partneritet publiko-privat dhe përmes kapitalit shumë të madh që kanë ato banka mikse, drejtpërdrejt ndikojnë në uljen e normave të interesit”.

“Disa shtete madje përdorin edhe subvencione për disa sektorë kyç, siç është sektori i bujqësisë, blegtorisë apo disa degë të veçanta të industrisë, ku shteti subvencionin më qëllim që të fusin investime të reja”, shprehet Bektashi.

Edhe Ibrahim Rexhepi e sheh të nevojshëm sigurimin e një kontrolli më të mirëfilltë të sistemit financiar nga autoritetet kompetente.

“Forma më e mirë, jo që të ulet, por së paku që të ketë një mbikëqyrje më të madhe në sistemin bankar, qoftë edhe më mundësi të ndërhyrjes së herëpashershme, me qëllim të stabilizimit të rrjedhave, është forcimi i Bankës Qendrore të Kosovës”.

“Do të thotë që ajo të ketë komponentin për sistemin monetar, në mënyrë që në momente të caktuara të ndikojë në qetësimin apo uljen e kamatave”, thotë Rexhepi.

Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale dhe përbëjnë 76.0 për qind të aseteve totale të sektorit financiar.

Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet përmes 300 degëve dhe nëndegëve.

Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.

Nga totali i kredive afër 70 për qind janë kredi për ndërmarrjet. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë, sektori i industrisë dhe ekonomitë familjare./koha/kohaislame

Abonohu