9.9 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Imazhi viral: 1 mijë fjalët që qëndrojnë pas kësaj fotografie nga Halepi

Më të lexuarat

Eshtë një fotografi me kornizën perfekte të luftës: një burrë i moshuar 70-vjeçar me çorape e sandale, duke tymosur llullën pranë një gramafoni të vjetër, në rrënojat e pluhurosura gri të dhomës së tij të gjumit në Halep.

Kjo fotografi më e fundit që ka tërhequr vëmendjen e mbarë publikut të rrjeteve sociale dhe medias, vjen ndërsa bora e ka ndjekur luftën e gjatë civile në Siri përmes imazheve të tilla virale. Tmerret e luftës u kronikuan në rrjetet sociale nga një 7-vjeçare. Politikat e saj u humanizuan nga letra e një djali të vogël, që u lexua me zë në kanalin e You Tube të Shtëpisë së Bardhë.

Pas gjithë këtyre, pas gjashtë vjetësh bombardimesh dhe mizorish, fëmijësh të vrarë, sulmesh të kryengritësve e përparimit të ushtrisë, një fotografi e vetme që kornizon një burrë të moshuar ulur mbi krevat ka nxitur diçka të thellë tek shumë njerëz, disa pej të cilëve ndodhen me mijëra kilometra larg tij.

“Një moment qetësie mes ferrit në tokë”, shkroi dikush në Instagram, ku u postua fotografia nga agjencia France-Presse, të premten e kaluar. “Një roman në një shkrepje”, shkroi korrespondenti i “The Washington Post”, Ishaan Tharoor, tre ditë më pas.

Me mijëra e kanë ndarë foton në faqet e tyre që nga ajo kohë – që nga Reddit e deri tek “The Guardian” sikundër në Instagram ku dikush pyet: “A ka folur dikush me këtë burrë? Cila është historia e tij?”.

Po pra, ka gjithmonë 1 mijë fjalë për të treguar historinë.

Burri i moshuar ulur në shtrat është Mohammed Mohiedin Anis — njohur me mirë si  “Abu Omar” në qytet ku ai bënte një jetë të mirë përpara se fotografi Joseph Eid ta gjente duke jetuar në kushte mjerimi.

“Ai ishte një njeri i pasur”, tha Eid për “The Washington Post”. “Ai flet pesë gjuhë të huaja, ka studiuar mjekësi, ka shkuar në Itali dhe kishte një ndërmarrje buzëkuqësh”.

Eid e di mirë se çfarë mund t’i bëjë lufta një jete njerëzore. Në moshën 41-vjeçare, ai ka fotografuar tashmë luftën në Irak, rrëzimin e Muamer Gedafit në Libu dhe gjashtë vjetët e tmerreve në Siri.

Ai ndodhej me tjetër detyrë, kur punëdhënësi nga agjencia France-Presse dërgoi një ekip tjetër në Halep për të takuar Anis. Kjo ndodhi kur gjatë pushtimit të gjatë të lagjes nga trupat ndërluftuese. Dy gratë e Anis dhe tetë fëmijët ishin larguar nga Halepi, por ai mbeti në shtëpi ku ishin varrosur pasardhësit e tij, duke u përballuar me bombardime sporadike.

Në filmimet e janarit 2016, ai rrëfeu për koleksionin marramendës të makinave të vjetra amerikane, me të cilat ishte i fiksuar.

Disa muaj më vonë, pasi avionët qeveritarë shkatërruan gjithë lagjen për ta marrë nga kryengritësit, “banorët në një farë mënyre bindën kryengritësit të mos montonin një armë anti-ajrore Dushka në Shevroletin e tij të vitit 1958”, sipas një raportimi të AFP-së.

Kur Halepi ra në duart e qeverisë, agjencia dërgoi fotografin Eid dhe një reporter për të parë se çfarë kishte ndodhur me Anisin dhe makinat e tij.

Banorët e lagjes e drejtuan ekipin nga njëra rrugë në tjetrën, siç tregon fotografi, dhe më në fund u gjendën në shtëpinë dykatëshe gati 90-vjeçare.

“Mes rrënojave, ne pamë makinat e tij të shkatërruara dhe shtëpinë pjesërisht të rënë”, tha Eid. “Dhe një portë gjigande të gjelbër. Ne trokitëm”.

Misioni i tyre dukej i dështuar. Shtëpia dukej e pabanuar. Por Anis hapi derën. Ai përgatiti çaj për gazetarët mëngjesin tjetër dhe u tregoi të gjitha gjërat që kishte humbur.

Vetëm pak gjëra kishin mbetur. Shkatërrimi i një faqeje muri kishte zënë poshtë super Buikun e tij të vitit 1955.

“Pamë gjithë antikuaret dhe koleksionet e tij dhe gjithçka që ai kishte”, kujton Eid. “Ai tha: asgjë nuk do më pengojë për ta rindërtuar, për të jetuar sërish. Këtu kam lindur dhe këtu do të vdes”.

Pikërisht në atë moment, thotë Eid, “kuptova se nuk ishte më një çështje makinash. Ka të bëjë me një burrë të vjetër dhe vullnetin e tij për të jetuar”.

Ekipi e pyeti Anisin se ku flinte.

Anis ishte larguar nga Halepi për pak javë, gjatë bombardimeve më të ashpra qeveritare, dhe sapo ishte rikthyer. Rrënojat mbulonin ende dhomën e tij të gjumit. Dritaret kishin rënë dhe ajri që vinte nga qyteti i shkatërruar ngatërrohej me pluhurin në dhomë.

Anis u ul në shtratin e tij.

“Ai na tha se e pëlqente shumë muzikën klasike”, rrëfen Eid.  Reporter tjetër pyeti tërë skepticizëm nëse gramfoni punonte ende,

“Sigurisht, po. Jua tregoj tani, prisni. Nuk mund të dëgjoj muzikë pa ndezur më parë llullën”. Ashtu si çdo gjë tjetër në atë vend, edhe llulla ishte e prishur, thotë Eid. Anisit i ishte dashur ta riparonte me shirit skoçi. Kështu ai e ndezi atë dhe muzika mbushi dhomën.

Eid e përshkruan veten si një fotograf të kujdesshëm, konservator. “Nuk e shtyp butonin pa e ditur se po shkrep një fotografi që më prek nga brenda”, thotë ai.

Kështu që për pak kohë, ai qëndroi dhe vështroi dhe dëgjoi.

“Ky burrë i moshuar ishte ulur në dhomën e tij të gjumit, ku flinte ende, pa dritare dhe pa derë. Muri do të shembej me siguri, nuk dihet se kur. Dhe ai po dëgjon muzikë. Dhe po tymos llullën e tij”.

Eid shkrepi fotografinë.

Më pas ai e përfundoi detyrën dhe i la lamtumirën Anisit, i cili nuk ka as telefon, e kështu nuk ka folur më me të prej asaj kohe.

Eid shkoi në vende të tjera të Sirisë, në rrënoja të tjera. Dhe më pas, javën që sapo u mbyll, u kthye pranë familjes në Liban.

Fotografia ishte thjesht një shkrepje, por ajo i kishte mbetur në mendje. Eid e sillte gjithnjë në kujtesë duke menduar me trishtim për të, në trafik apo aty ku gjendej, duke kujtuar të moshuarin.

Eid ka krijuar shumë imazhe përndjekëse. Disa – si ato para dhe pas pushtimit nga ISIS, janë bërë virale në internet.  Ai nuk e priste që edhe fotografia e Anisit të kishte të njëjtin fat. Por ai nuk u habit kur kjo ndodhi.

“Mendoj se njerëzit janë tmerruar nga dhuna, nga lufta”, thotë Eid. “Ata nuk durojnë dot më kur hedhin sytë e shohin lajme të tjera vrasjesh… ky imazh, mendoj, flet për situatën e një qënieje njerëzore”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit