Imami bleu snajper 2 ditë para 21 Janarit

0
45

Mediet në Shqipëri kanë zbuluar një dokument të cilin tregon që Arben Imami, Ministri i Mbrojtjes, ka urdhëruar blerjen e pajisjeve përgjuese dhe armatimeve dy ditë përpara ngjarjeve të 21 Janarit, me një fond limit prej 179.2908 eurosh.

Sipas këtyre dokumenteve, të siguruara nga Vizion Plus, ministri Imami 2 ditë para demonstratës së 21 Janarit, ku humbën jetën 4 persona, ka urdhëruar blerjen e pajisjeve speciale dhe armatimeve për llogari të Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU-t), duke dëshmuar kështu se ndryshe nga çfarë ai mohon, në fakt ka dijeni të plotë për këto pajisje.
Në dokumente flitet shprehimisht për pajisje përgjimi, ku ministri Arben Imami urdhëron SHIU-n të blejë pajisje speciale operacionale nga ndërmarrja “MEICO”.
Snajperë, automatikë, dylbi me rreze infra për të parë natën, pajisje regjistrimi video dhe audio, pajisje analoge transmetimi, deri rrip përgjimi, janë pajisjet që ministri i Mbrojtjes, ka urdhëruar të blihen me datën 19 janar te vitit 2011.
Sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes, blerja e këtyre pajisjeve tek kompania e përzgjedhur do të bëhet me procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë. “Shërbimi Informativ Ushtarak të realizojë procedurën e prokurimit të drejtpërdrejt me kompanitë përkatëse për blerjen e aparaturave dhe pajisjeve speciale”. Ky është urdhri i ministrit të Mbrojtjes, Imami.
Për zbatimin e urdhrit, Imami ka ngarkuar drejtorin e MIECO-s dhe atë të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla.
Në urdhrin e lëshuar, Ministri i Mbrojtjes autorizon MEICO-n të kontaktojë me kompaninë “Bereta”, për të blerë armatime, për llogari të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Fondi i përcaktuar nga Imami për armatosjen e kësaj strukture është rreth 40 mijë euro.
Sipas dokumentit që disponon Vizion Plus, në pikën 2 të autorizimit, Imami përcakton SHIU-n të kryejë tenderimin me firmën, “Arms& B” me një fond prej 52 mije eurosh dhe atë “STS” me një fond rreth 88 mije euro. Sipas shkresës, këto blerje do të përballohen nga ndërmarrja “MEICO”, e cila do të ndjekë zbatimin e procedurave së bashku me drejtorin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë.
Partia Socialiste ka kërkuar nisjen e një hetimi ne Ministrinë e Mbrojtjes, që ndonëse i miratuar edhe nga mazhoranca në Komision, nuk mundi të kryhej, pasi në momentin kur deputetët e opozitës u drejtuan në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk u lejuan të hyjnë aty