12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

“Iluminizmi Islam”: një kundër-argument ndaj “përplasjes së civilizimeve”

Më të lexuarat

Shumë pak çështje janë aq të debatuara sot e kësaj dite nga sa ç’është natyra e Islamit. Amerika zgjodhi në president që flet në mënyrë të drejtpërdrejtë për “terrorizëm islamik”, ndërsa pararendësi i tij në detyrë refuzoi të lidhte Islamin me dhunën dhe tha se ata që e bënin këtë, përfshirë terroristët, ishin duke lexuar gabim besimin.

Në debatet intelektuale në Perëndim, ndërkohë, disa i qëndrojnë pikëpamjes se Islami trullos ndjekësit e vet, ose për shkak të mësimeve të tij themelore, ose për shkak se në shekullin e 11-të, teologjia islame i ktheu shpinën shprehjes së arsyes njerëzore. Të tjerë ngrihen të revoltuar për të vënë në dukje se problemet e botës islame janë pasojë e gabimeve të armiqve të saj perëndimorë, nga kryqtarët deri tek kolonizatorët europianë, të cilët shtypën psikikën kolektive muslimane.

Një libër i ri nga Christopher de Bellaigue, gazetar dhe historian britanik për Lindjen e Mesme, vjen si një zë nga këta të fundit, por me një kthesë të pazakontë. Ai përshkruan sesi përballja fillestare e Islamit me modernizmin, dy shekuj më parë, kishte disa pasoja beninje dhe një gjë e tillë, për të, mund të jetë një bazë për shpresë. Skeptikët me siguri do ta cilësojnë titullin e librit “Iluminizmi Islam”, naiv ose një oksimaron.

Megjithatë, duke u fokusuar për disa vjet mbi Iranin dhe Turqinë moderne ku ai raportonte për “The Economist”, autori de Bellaigue duket se ka pasur vendndodhjen e saktë për të nxjerrë jashtë loje një qëndrim të debatit për Islamin: reagimi ndaj ndikimit europian siç rrodhi përgjatë shekullit të 19-të në qendrat politike dhe kulturore të botës muslimane pas pushtimit të Egjiptit nga Napoleoni në vitin 1789.

Autori duket se ka sukses në qëllimin e tij kryesor që është të tregojë se në Kajro, Stamboll apo Teheran, figura të rëndësishme përqafuan mendimin perëndimor dhe teknologjinë me mprehtësi dhe shije ndërsa mbetën muslimanë të mirë. Heronjtë e tij janë shkrimtarë, doktorë, gjeneralë dhe sulltanë.

Ata përfshijnë Abdulrahman al-Jabarti, sheik egjiptian që artikuloi tronditjen e magjepsur me të cilën bashkëpatriotët e tij përshëndetën mbërritjen e Napoleonit, të shoqëruar nga shkencëtarë dhe akademikë. Jabarti ishte rritur duke besuar se superioriteti i besimit të tij duhet të siguronte sukses në luftë. Sidoqoftë, mendja e tij e ndershme dhe e gjallë duhej të pranonte dy gjëra: efikasitetin e fuqisë së zjarrit të pushtuesve dhe peshën intelektuale që francezët sollën në studimin e atdheut të tij.

Në Stamboll, sulltan Mahmud II iu përgjigj fuqisë në rritje të shteteve perëndimore duke i imituar ato. Ai uli lakminë e punonjësve të vet civilë dhe reaksionarëve të klerit. Duke hequr kufizimet fetare në studimin e trupit, ai nxiti higjienën moderne dhe mjekësinë në një rajon të pushtuar nga murtaja.

Në Persi, ndërkaq, Abbas Mirza, një princ karizmatik u mbështet tek ndihma nga francezët dhe britanikët për të modernizuar ushtrinë që grupohej mbi skema mesjetare. Persianët e rinj u dërguan për trajnim në Britani dhe dëshmuan se nxunë me shpejtësi. Një prej tyre, Mirza Saleh, shkroi një rrëfim mbresëlënës të udhëtimeve të tij dhe u bë gazetari i parë i vendit.

De Bellaigue tregon se në botën islame, njëjtë si në Perëndim, format efikase të transportit dhe komunikimit e bënë më të lehtë që individët, përfshi gratë, të ndanin idetë e tyre. Ky është një shembull i detajeve të pasura që sjellin kërkimet e tij për historitë e modernizuesve muslimanë dhe reagimin e dhunshëm me të cilën u përballën ata, herë pas here.

Në dy kapitujt e fundit të librit, ka një ndryshim të fortë të ritmit, ndërsa autori shpejton përmes përballjeve të Islamit me fuqitë kolonizatore europiane, gjatë fundit të shekullit të 19-të dhe mbi të gjitha, në fillim të shekullit të 20-të. Duket të jetë një galopim i arsyeshëm në një terren të vështirë dhe në qëllimin e tij për të treguar, në terma mjaft të gjerë, përse marrëdhëniet midis muslimanëve dhe perëndimorëve do të bëheshin aq të hidhura. Politikat perëndimore u bënë më lakmitare dhe më cinike, sidomos gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, dhe kjo nxiti një reagim të ashpër në botën muslimane, duke zemëruar si popullin e thjeshtë ashtu edhe elitat e zgjuara.

Autori shprehet me simpati për ndjenjën e fyerjes që muslimanët ndjenin ndaj të qënit të përdorur si “ushtarë” gjeopolitikë dhe ndaj kufijve arbitrarë që u hartuan nga europianët. Kjo e nxit atë të shkruajë se arrin t’i kuptojë në një farë mënyre të gjitha lëvizjet popullore që tronditën njëra pas tjetrës tokat qendrore të Islamit, përfshirë nacionalizmin turk, Vëllazërinë Muslimane në Egjipt dhe madje, kryengritjen iraniane të vitit 1979.

Autori shprehet i vetëdijshëm se këto dy lëvizje të fundit mund të llogariten edhe si një formë e “anti-Iluminizmit”, pasi rivendosën teokracinë, por ai këmbëngul se madje, edhe mullahët e Iranit kanë disa tipare modernizuese: ata arsimuan një numër të paprecedent vajzash.

De Bellaigue është barazi i paepur se trashëgimia pozitive e periudhës që ai e ka më fort për zemër (fillimi dhe mesi i shekullit të 19-të) është ende pjesërisht e paprekur. Për të, fakti bazik që ka pasur dikur një periudhë në të cilën bota islame tërhoqi, në mënyrë selektive dhe të zgjuar, idetë dhe teknologjinë e Perëndimit, ndërkohë që mbeti besnike ndaj vetvetes, ende jep shpresë. Sa për argument, do të thotë se muslimanët që tani po emigrojnë në Perëndim, mbajnë thellë në kujtimet e tyre kolektive, idenë e brendshme se Islami mund të lulëzojë në një formë të ndriçuar. Libri i tij për këtë arsye sjell një kundër-argument të freskët e optimist ndaj idesë se muslimanët dhe pikëpamjet perëndimore janë të dënuara të përplasen.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit