11.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Ibrahim Ibn Ed’hemi dhe njeriu gjynahqar

Më të lexuarat

Përcillet se një njeri vajti tek Ibrahim ibn Ed’hemi dhe i tha:
-O babai i Is’hakut! Jam duke i bërë zullum vetes sime (me mëkate), andaj më
trego diçka që është qortim për mua dhe shpëtim për zemrën time!
-Në qoftë se i pranon dhe u përmbahesh pesë parimeve, s’do të të dëmtojë asnjë mëkat dhe nuk
do t’u ndahesh kënaqësive, – i tha Ibrahimi.
-M’i trego parimet, o babai i Is’hakut! – i kërkoi ai.
-I pari: Nëse dëshiron t’i mëkatosh Allahut, mos e ha furnizimin e Tij! – ia ktheu Ibrahimi.
-E ç’të ha pra, kur dihet se çdo gjë që gjendet në tokë është furnizimi i Tij?! – ia priti
gjynahqari.
-Eh, more njeri! A është e drejtë që ta hash furnizimin e Allahut, kurse në anën tjetër i mëkaton?!
– e pyeti Ibrahimi.
-Jo, aspak nuk është e drejtë! Ma trego të dytin! – i kërkoi ai.
-Nëse dëshiron t’i mëkatosh Allahut, mos bano në asnjë vend të Tij! – ia ktheu Ibrahimi.
-Po kjo qenka më e vështirë se e para! E ku të banoj, kur dihet se lindja, perëndimi dhe ç’ka
ndërmjet tyre janë të Allahut?! – ia priti ai.
-A është e drejtë që ta hash furnizimin e Tij, të banosh në tokën e Tij dhe t’i mëkatosh?! – e pyeti
Ibrahimi.

-Jo, nuk është! Ma trego të tretin! – tha njeriu.
-Nëse dëshiron t’i mëkatosh Allahut i furnizuar nga Ai dhe banor në tokën e Tij, atëherë gjej ndonjë vend
ku nuk të sheh Allahu dhe aty bëji mëkat! – ia ktheu Ibn Ed’hemi.
-O Ibrahim! Po si t’i përmbahem këtij (parimi) kur dihet se Ai i sheh të gjitha fshehtësitë?!
– e pyeti njeriu.
-Po a të duket e drejtë që ta hash furnizimin e Tij, të banosh në tokën e Tij dhe t’i mëkatosh, ndërkohë që
të paka ty dhe veprën tënde?! – e pyeti Ibrahimi.
-Jo, nuk është fare e drejtë! Ma trego të katërtin!
-Kur të të vijë Meleku i Vdekjes për të ta marrë shpirtin, thuaji: Më afatizo pak, sa të pendohem sinqerisht
dhe të bëj vepra të mira për Allahun! – e porositi Ibrahimi.
-Ai kurrsesi nuk do të pranojë një gjë të tillë, – ia ktheu.
-Eh, more njeri! Nëse nuk mund ta shtysh vdekjen për t’u penduar dhe e ditke se kur të të vijë ajo nuk
mund të vonohet, si shpreson të shpëtosh?! – e pyeti Ibrahimi.
-Ma trego të pestin! – i tha ai.
-Kur të të vijnë zebanitë (melekët e ndëshkimit) në Ditën e Kiametit për të të dërguar në Zjarr, mos shko
me ta! – ia ktheu Ibrahimi.
-Ata nuk më lëshojnë e as që e pranojnë këtë nga unë, – ia priti ai.
-Ani si shpreson të shpëtosh?! – e pyeti Ibrahimi.
-Mjaft më, o Ibrahim! Kërkoj falje nga Allahu dhe tek Ai pendohem, – ia ktheu i sapopenduari.
Pas kësaj, ky njeri e shoqëroi Ibrahimin në ibadet (adhurim ndaj Allahut) derisa i ndau
vdekja.
Marrë nga libri: “Kitab et-teuabin”, Ibn Kudame.

“Eh, more njeri! Nëse nuk mund ta shtysh vdekjen për t’u penduar dhe e ditke se kur të të vijë ajo nuk mund të vonohet, si shpreson të shpëtosh?!”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit