8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

I riu që ndezi fitilin e revoltës popullore në Siri: Nuk jam penduar, jam krenar për atë që kemi vepruar

Më të lexuarat

Muavije Sajasna, një prej nxënësve të cilët shtatë vite më parë shkaktuan fillimin e kryengritjes në Siri duke shkruar në muret e shkollës mbishkrime kundër regjimit sirian, tha se nuk ndihet i penduar për atë që ka bërë, por përkundrazi, ndihet krenar, pasi kanë parë fytyrën e vërtetë të regjimit.

Anadolu Agency (AA) ka ndjekur gjurmët e nxënësve që ngritën zërin e parë opozitar të luftës civilë në Siri e cila vazhdon prej shtatë vitesh kundër regjimit të Asadit.

Sajasna, i cili tashmë është 20 vjeç dhe i cili është përballur me torturat e regjimit pas pranimit të aktit bashkë me një shok të tij, ka folur për AA para mbishkrimit në murin e shkollës.

“Kur unë dhe shokët e mi nisëm të shkruanim shkrime nëpër mure, ishim të ndikuar nga revulucionet në Tunizi dhe Egjipt”, tha Sajasna.

“Në mur shkruam: ‘O doktor tani e ke radhën ti‘. Arsyeja që shkruajtëm shkrimin ishte ngritja e një kabine roje të policisë pranë shkollës dhe provokimet ndaj nesh kur kalonim pranë policëve që ruanin aty. Dy-tre ditë më pas, çështja u hetua nga regjimi dhe u zbulua që ne ishim autorët e shkrimit”, shton ai.

– “Disa nga ne i varën në mur, ua thyen gishtërinjtë dhe i qëlluan me shkopinj elektrikë”

“Pasi bastisën shtëpitë tona, na morën dhe na vendosën në qeli të ndara. Më pas, ushtruan tortura të dhunshme për të na detyruar të pranonim se kush kishte shkruar shkrimet. Disa nga ne i varën në mur, ua thyen gishtërinjtë dhe i qëlluan me shkopinj elektrikë. Familjet tona nuk kishin dijeni për vendndodhjen tonë”, rrëfen Sajasna, duke bërë të ditur se pas ngjarjes janë përballur me torturat e regjimit.

Ai thotë se nuk i kishin treguar emrat e shokëve të tjerë dhe se veprën e kishin marrë përsipër ai dhe shoku i tij me emrin Ahmed.

“Pas kësaj, shokët e tjerë u liruan, ndërsa ne mbetëm brenda. Na dhanë disa letra t’i firmosim dhe pas torturave të regjimit na burgosën. Pas një kohe të shkurtër shpërthyen protestat dhe regjimi na liroi. Për shkak të këtyre shkrimeve u arrestuan edhe njerëz që nuk kishin asnjë lidhje”, tregon Sajasna.

Sajasna poashtu bën të ditur se shokët e tjerë që shkruan mbishkrimin janë larguar nga vendi, ndërsa vetëm ai dhe shoku i tij Ahmedi kanë vazhduar të jetojnë në rajonin Dera.

– “Shpresoj që regjimi të bie dhe të përmirësohet situata në Siri”

Sajasna tregon se tani ndodhet në radhët e Ushtrisë së Lirë Siriane dhe merr pjesë në konfliktet kundër regjimit.

“Shpresoj që regjimi të bie dhe që situata në Siri të bëhet më mirë sesa që ka qenë. Shpresoj gjithashtu të kthehen njerëzit dhe shokët e mi që mbetën të detyruar të largohen nga vendi”, thotë ai.

“Kanë kaluar shtatë vite nga shkrimi ynë në mur. Jam krenar për atë që kemi vepruar. Sepse kemi parë fytyrën e vërtetë të regjimit. Njerëzit më të mëdhenj se ne e dinin se çfarë ishte regjimi, por nuk mund të bënin asgjë. Ne shkruam në mur dhe filloi revolucioni”, përfundoi fjalën e tij Sajasna.

Fillimi i kryengritjeve popullore në Siri nisi më 15 mars të vitit 2011, kur një grup nxënësish në Dera, në jug të vendit, shkruan në muret e një shkolle fjalët “Populli dëshiron rrëzimin e regjimit”. Brenda një kohe të shkurtër, filluan protesta kundër regjimit në Dera dhe Damask.

Sirianët, të cilët udhëhiqeshin nga një parti e vetme për gjysmë shekulli, ankoheshin për papunësinë, korrupsionin dhe shtypjen, duke i përhapur protestat e tyre në të gjithë vendin. Protestat u kthyen në luftë civile si rezultat i ndërhyrjes së dhunshme të ushtrisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit