9.1 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

I riu me aftësi të kufizuara agjëron, punon dhe ndjek shkollën

Më të lexuarat

FATJON CUKA

Sfidat dhe pengesat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në jetën e përditshme në Shqipëri janë të shumta, por këmbëngulja e tyre për të përballuar jetesën edhe vetë kapërcen shpesh çdo vështirësi. Njëri prej tyre është edhe 34-vjeçari Jetmir Hila, i cili falë këmbënguljes së tij, aktualisht agjëron, punon, por edhe ndjek shkollën.

Hila, i cili ka vështirësi në të folur dhe për të ecur, është njëri prej atyre shembujve që tregon se të kesh aftësi të kufizuara nuk do të thotë se nuk mund të integrohesh në shoqëri, por përkundrazi të bëhesh pjesë e saj në çdo moment e çdo mënyrë.

Ai disa ditë pasi ka lindur në qytetin e Përmetit, ka pësuar probleme shëndetësore nga temperatura e lartë duke mbetur i paralizuar, ndërsa kjo sot nuk e pengon që ai të punojë, të shkollohet, të kryejë ritet fetare si besimtar musliman, si dhe të jetë një person integruar në shoqëri në çdo sferë të jetës.

Jetmiri jeton në Tiranë së bashku me familjen e tij, prindërit, tre vëllezërit dhe gjyshërit, ndërsa në një bisedë me Anadolu Agency (AA) tregon se fal rregullisht pesë namazet, ndërsa edhe agjëron dhe se muajin e Ramazanit e pret me padurim.

Ai tregon rreth problemit të tij shëndetësor, besimit të tij, punës si dizenjator, ndërsa flet edhe për synimet që ka për të ardhmen, duke theksuar si një nga ëndrrat e tij dëshirën që ka për të kryer Haxhin.

Jetmiri tregon se ka marrë vendimin për të punuar si dizenjator, pasi dëshiron të sigurojë vetë të ardhura për të përballuar jetesën, por edhe sepse i pëlqen një punë e tillë, ndërsa aktualisht ai edhe ndjek shkollën në Tiranë në ciklin 9-vjeçar, në klasën e tetë.

Me dëshirën e madhe për të qenë një besimtar shembullor, ai fillon ditën e tij me faljen e namazit të sabahut, ndërsa më pas e gjitha dita e tij është e mbushur me angazhime rreth shkollës, punës, dhe takimeve që realizon me miqtë e tij që dëshirojnë ta takojnë dhe bisedojnë me të.

“Problemi im shëndetësor është shfaqur pas 2 ditësh kur kam lindur. Unë agjëroj dhe falem që nga viti 2004, rreth 15 vjet dhe do të vazhdoj të falem dhe të agjëroj derisa të kem jetën”, tregon 34 vjeçari.

Ai për të lëvizur në qytet përdor një motor i cili i krijon atij komoditetin edhe për të shpërndarë punimet që porosisin klientët e tij. “Motori nuk ka një emër specifik, por me saktë quhet karrige elektrike që më ndihmon për të lëvizur”, tregon Hila.

Pas një kursi disa mujor për dizajn vazhdoi të punonte privatisht për realizmin e punimeve të ndryshme. Ai prej disa vitesh merret me punime të dizajnit, si dezenjon logo të reja, përgatit postera të ndryshëm, kartëvizita biznesi dhe personale, reklama dhe fletëpalosje, ndërsa në të shumtën e rasteve i shpërndan po vetë.

“Më pëlqen dizajnimi, por dhe se kam nevojë për të punuar. Nuk ka shumë kërkesa sepse nuk kam bërë shumë publicitet që të njihem si dizajner. Zakonisht unë punoj në shtëpi sepse e kam më të lehtë për t’i bërë punimet që më kërkohen”, tregon Jetmiri.

I riu lexon edhe Kur’anin dhe kryen ritet e tij fetare zakonisht në Xhaminë Xhura, ndërsa në rastet kur lëviz për të takuar miqtë e tij apo shpërndarë punimet që realizon, ai frekuenton edhe Xhaminë e Tabakëve në kryeqytet.

Ai ndjek edhe shkollën, ndërsa aktualisht është në klasën e tetë të ciklit 9-vjeçar, ndërsa shprehet se në shkollë e ndihmon edhe mësuesja e tij. Në shtëpi e ndihmojnë pjesëtarët e familjes, tre vëllezërit dhe prindërit e tij, që i gjenden pranë çdo moment, duke i ofruar mbështetje.

Për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri, kujdesin disa institucione, mes tyre edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, por edhe organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare duke ofruar ndihmë për këtë kategori të shoqërisë për punësim dhe shkollim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit