8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

I quan gazetarët “armiq të popullit” – New York Times del kundër Donald Trump

Më të lexuarat

Botuesi i New York Times, i ka thënë Presidentit Donald Trump, të mos vazhdojë etiketimin e gazetarëve si “armiq të popullit”, duke thënë se kjo mund të “çojë në dhunë” kundër mediave.

Drejtori i kësaj kompanie mediatike tha se ai i ishte përgjigjur Trumpit, duke i thënë se gjuha e tij ishte “nxitëse” dhe “përherë e më e rrezikshme” për gazetarët në mbarë botën.

Në një koment që bëri në Twitter, Trump e përshkroi takimin e tij të 20 korrikut në Shtëpinë e Bardhë me A.G. Sulzberger si “shumë të mirë dhe interesant”. Udhëheqësi amerikan tha se “kishte shpenzuar shumë kohë duke folur për sasinë e madhe të “Lajmeve të Rreme” që botohen në media dhe se si ky term ishte shndërruar prej tij në frazën “Armik i popullit”. Kjo është për të ardhur keq”, – shkruante Presidenti.

Sulzberger, që është ndoshta botuesi më i madh në Shtetet e Bashkuara, tha se, sipas një tradite shumëvjeçare, sipas së cilës botuesit e gazetës prestigjioze takohen me presidentët amerikanë, takimi u mbajt me kërkesën e ndihmësve të zotit Trump, por ai nuk duhej publikuar.

Sulzberger, tha se meqenëse Trump shkroi në Twitter për takimin, duke e bërë publik ritin shumëvjeçar të takimit të botuesit me presidentin amerikan, ai vendosi t’i përgjigjej zotit Trump, për të dhënë vlerësimin e tij për bisedën nga shënimet që ai mori në takim, krahas me ato të editorit të rubrikës opinioniste të gazetës, James Bennet, i cili ishte gjithashtu i pranishëm të takim.

“Qëllimi ynë kryesor në pranimin e takimit, ishte që të ngrinim shqetësime lidhur me retorikën e Presidentit kundër shtypit, një çështje tepër shqetësuese. Unë i thashë Presidentit se gjuha e tij nuk ishte vetëm përçarëse, por në fakt po bëhej përherë e më e rrezikshme”, tha Sulzberger.

“Unë theksova vazhdimisht, se ky konstatim është sidomos i vërtetë jashtë vendit, ku retorika e Presidentit shfrytëzohet nga disa regjime, për të justifikuar masat shtypëse ndaj gazetarëve. E paralajmërova se qëndrimi i tij vinte në rrezik jetë njerëzish, minonte idealet demokratike të kombit tonë dhe se dëmtonte një nga çështjet më madhore që eksporton vendi ynë: përkushtimin ndaj lirisë së fjalës dhe shtypit të lirë”, shtoi Sulzberger.

Botuesi i “New York Times-it” tha se “i kishte thënë Trump-it se termi “lajme të rreme” nuk është i vërtetë dhe se është i rrezikshëm; se unë shqetësohem akoma më tepër për emërtimin e gazetarëve prej tij si “armiku i poullit”. E paralajmërova se kjo gjuhë nxitëse po kontribuon tek shtimi i kërcënimeve kundër gazetarëve dhe ka për të çuar në dhunë.”

Sulzberger nuk foli për reagimin që kishte patur Presidenti ndaj komenteve të tij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit