I ndalohet hyrja femrës së mbuluar në një lokal në qendër të Shkupit

0
203

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi dënon praktikat diskriminuese të restorantit “Portofino Osteria dhe Bar” në qendër të Shkupit të cilët kanë kufizuar hyrjen në restorant të grave të cilat kanë veshur veshjen tradicionale myslimane, njoftuan nga Rrjeti.
Më 14 shtator, deri te Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut është paraqitur një palë, e cila ka raportuar diskriminimin në bazë të fesë dhe besimit fetar në hyrje në restorantin “Portofino Osteria dhe Bar”.

Gruaja e mbuluar, së bashku me dy mikesha, u përpoqën të hynin në restorantin “Portofino Osteria dhe Bar”, ku hyrja u ishte ndaluar me arsyetimin se atyre nuk mund t’u shërbehet pa rezervuar paraprakisht. Në momentin kur ato u përpoqën të hynin në restorant, gruaja që është ankuar ka mbajtur hixhab, ndërsa mikeshat e saj nuk kishin mbulesë.

Njerëzit u larguan nga restoranti, ku dhjetë minuta më vonë, njëra nga mikeshat u kthye në restorant dhe pa asnjë problem mori një tavolinë pa rezervuar aspak. Ajo u përpoq për të gjetur arsyen se pse nuk iu lejua të futej në restorant shoqes së saj që mbante hixhabin dhe nëse restoranti ndalon hyrjen e grave dhe vajzave të veshura me mbulesë, për çka nuk ka marrë përgjigje dhe u larguan.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut paraqiti një ankesë në Komisionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për të cilin rast ende procedura vazhdon. Rrjeti nga mbrojtja kundër Diskriminimit i bën thirrje Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, brenda kompetencave të saj të hetojë, të konfirmojë diskriminimin në bazë të fesë dhe besimeve fetare, t’i rekomandojë restorantit që të eliminojë shkeljen e së drejtës në të ardhmen dhe të ndalojë praktikat diskriminuese për gratë e përkatësisë fetare muslimane që bartin veshje tradicionale muslimane./Aktuale.mk