10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

I biri i Hafiz Ali Krajës në një rrëfim të rrallë: takimi i parë me babën, pas hekurave të burgut

Më të lexuarat

Nga Luljeta Progni

Një burrë i vrenjtur, me mjekër të gjatë e të bardhë, me sytë e praruar nga dhimbja, me duart mbështetur ndër hekurat e burgut, ishte pamja që iu shfaq para syve Mehdi Krajës. Ishte vetëm pesë vjeç dhe kishte udhëtuar nga Shkodra në Tiranë për të njohur të atin. Ishte Hafiz Ali Kraja, hoxha i Shkodrës, i burgosur në burgun e Tiranës në vitin 1946. Kishte mbajtur një fjalim shumë të rëndësishëm ku paralajmëronte gjëmën që do të sillte komunizmi në Shqipëri dhe ishte dënuar nga regjimi me 25 vjet burg. E kishte lënë foshnje Mehdiun, të birin sepse Hafiz Ali Kraja kishte qenë i internuar edhe në Porto Palermo nga regjimi fashist. Pas internimit u kthye në Shkodër e për të përfunduar në arrati pasi ishte shënjestruar si kundërshtar i regjimit komunist.

E rrëfen historinë i biri Mehdi Kraja, tashmë i moshuar. Kur e pa për herë të parë fytyrën e të atit, është një ndër momentet që i ka mbetur në kujtesë bashkë me shumë të tjera, që do ta bënin kaq të vështirë jetën e tij si “fëmijë i reaksionit”, biri i një hoxhe. I tregon mes lotësh çastet e vështira të jetës së tij, por takimi i parë me babanë është krejt i ndryshëm dhe pse nuk mundi t’i thërrasë: baba!

Ndërsa rritej dhe shihte shokët e tij që thërrisnin baba, e kishte pyetur të ëmën, pse unë nuk kam baba? Në atë kohë, nëna dhe xhaxhallarët e tij nisën t’i tregojnë për të atin. Ishte e shumë e vështirë për një fëmijë të kuptonte atë situatë. Pikërisht në atë moshë, e ëma vendosi ta çojë te burgu për t’u takuar me të atin. Sot Mehdiu është i moshuar por e mban mënd mirë e thotë se kurrë se harron kuriozitetin që kishte për të parë fytyrën e babait të tij. Drama ishte se do ta shihte përmes hekurave.

“Ishte një ditë e diel kur nana më veshi me tesha të mira e më tha se do të niseshim për udhëtim. Isha afër 5 vjeç. Më tha do të shkojmë në Tiranë për të takuar babën. Nuk kam për ta harru kurrë atë çast gëzimin që më përshkroi edhe kuriozitetin për të parë se cili ishte babai im. Unë nuk e njihja babain sepse kur linda unë ai ishte në internim më pas nëpër burgje e kështu nuk pata mundësi ta kem pranë. Mbërritëm në Tiranë dhe mbaj mënd kur shkuam te godina e burgut. Dera ishte me hekura. Unë isha i vogël e më dukej gjigande ajo derë. Bashkë me nënë e me xhaxhain po prisnim te dera kur u shfaq para nesh ai burrë me mjekër. U hutova kur e pashë që kishte mjekër dhe e pyeta nanën time pse ishte ashtu.. erdhi e më përqafoi por nuk e di pse atë ditë unë nuk i thirra dot baba…. I thirra babë kur u bëra burrë, kur ai u lirua nga burgu”. 

Hafiz Ali Kraja ishte Hoxhë, ishte një ndër mendjet e ndritura të intelektualëve të Shkodrës, një ndër klerikët më në zë shqiptar, filozof, atdhetar i shquar, ishte ndër të parët që mbajti fjalime paralajmëruese për çfarë do të sillte komunizmi në Shqipëri. Dhe tamam për këtë, ai u persekutua për gjithë jetën bashkë me familjen e tij. Hafiz Ali Kraja i shpëtoi dënimit me vdekje dhe më pas u dënua me 25 vjet burg. Për shkak të disa faljeve në moment të ndryshme të historisë së regjimit, Hafiz Ali Kraja doli nga burgu në vitin 1965 pasi vuajti 19 vjet nëpër burgjet komuniste.

Persekutimi

“Ne fëmijëve të Hafizit, na cilësonin me gisht si “fëmijët e reaksionarit”, e tillë ka qenë fëmijëria e Mehdiut dhe motrës së tij. Ata vuajtën pandarë persekutimin komunist ndërkohë që rriteshin jetimë nëpër internime. Momente të dhimbshme e kanë shënjuar jetën e Mehdiut.

Një prej tyre me sa duket nuk shlyhet kurrë nga kujtesa. Ishte adoleshent, gjimnazist në shkollën “29 Nëntori”. Një ndër mësueset e shkollës ishte mjaft e devotshme në luftën e klasave që partia i kishte thënë të aplikonte edhe ndër fëmijë. Mësuese Emineja kishte zgjedhur një mënyrë mizore për ta demaskuar “armikun e klasës”, gjimnazistin 15-vjeçar. I kishte kërkuar të sillte me çdo kusht të atin në mbledhje me prindërit, ndërkohë që ajo e dinte mirë se i ati ishte në burg. Qëllimi ishte që ta denigronte në sytë e shokëve të tij.

“Mbarova 7-vjeçaren dhe pastaj shkova në gjimnaz. Në vitin e parë mësuesja e rusishtes, që e kishte emrin Emine Çaushi, e shoqja e Nuri Çaushit kishin ardhur në Elbasani si zyrtarë të lartë të shtetit komunist. Në vitin e parë kalova mirë se me sa duket ajo nuk e dinte mirë historinë e babit tim. Në vitin e dytë ndodhi një ditë kur ajo më përjashtoi nga mësimi dhe më tha që të vija në shkollë vetëm me babain. Unë nuk shkova në shkollë disa ditë sepse nuk doja që ta merrnin vesh shokët që unë e kisha babin në burg. Një ditë mësuesi i fizkulturës më tha pse nuk hyn në mësim sepse unë rrija jashtë në oborr dhe nuk guxoja të hyja brenda nga frika. Sokoli, mësuesi i fizkulturës ndërhyri të drejtoria dhe më tha të hyja në mësim se nuk do të kisha probleme. Hyra në klasë dhe isha ulur me Sandër Zadrimën. Ishim bashkë dhe mësuesja nisi të më diskreditonte duke i treguar shokëve të mi të klasës biografinë time, duke theksuar disa herë që unë isha fëmijë reaksionari dhe e gjithë klasa ishte hutuar e nuk po dinte të reagonte. E pashë veten shumë ngushtë dhe më vinte të qaja. Kur po rrija më kujtohet një moment si fëmi, kur erdhi një zog trumcak në dritare, ishte ftohtë e kishte rënë borë. I them shokut tim Sandrit, shihe atë zog që cicëron e kurrkush s’e merr vesh… I thashë tamam si unë. Mësuesja më dëgjoi dhe i ra tavolinës me grushta, nisi me bërtit e më tha dil përjashta je i përjashtuar. U nisa me dalë dhe kur dola gjysma e klasës i ngrit në këmbë si mbështetje për mua, gjysma tjetër jo. Kur mora me hap derën jam kthye e kam pa gjysmat që më shihnin me dhimbje e të tjerët që kishin ulur kokat e s’më panë. Dola përjashta. Ishte korridori i gjatë dhe e mbaj mend mirë se krejt atë korridor me lot e kam la deri sa kam dalë jashtë. Kështu u përjashtova nga shkolla e jeta ime mori krejt tjetër drejtim.

Kur shkova në shpi takova Maliqin, xhaxhain tim. Emine Caushi nuk e la me aq por ndikoi shumë që ne si familje të dëboheshim nga Shkodra. Kështu u transferuam për Tropojë. Atje në Tropojë nisa punë marangoz. Nëna ime me motrën e vogël ishin në shpi. Tropojanët u sollën shumë mirë me ne.

Nana ime ishte mjeshtre me qep jorgana dhe për këtë zyrtarët e Tropojës së asaj kohe i hapën një repart të jorganave ku nëna ime i mësonte vajzat e reja dhe kështu vazhduam të jetonim jo keq. Qytetarët e Tropojës u sollën shumë mirë me ne. Më vonë pastaj me urdhër të zyrtarëve të lartë u rikthye persekutimi dhe na hoqën nga një dhomë që na kishin dhënë dhe na çuan në një bodrum. Jo se deshën zyrtarët e Tropojës por se iu dha urdhër nga lart që ne të trajtoheshim keq.

Bashkëjetesa fetare jo si propagandë

Ndërkohë që fëmijët e Hafiz Ali Krujës, rriteshin të përbuzur, do të gjendej dikush për t’i mbështetur dhe ishin miqtë e Ali Krujës, klerikët e famshëm, At Pjetër Mushkalla e Dom Mikel Koliqi. Në vitet e para kur Mehdiu ishte ende fëmijë, klerikët miq të të atit, nuk ishin burgosur ende nga regjimi komunist. Mehdiu rrëfen momente shumë të rëndësishme të jetës së tij, kur atë Pjetër Mushkalla dhe miku i tij Dom Mikel Koliqi e merrnin përdore bashkë me motrën për t’i shëtitur nëpër qytet e për t’i gëzuar me ndonjë ëmbëlsirë.

Dy priftërinjtë do të bëheshin mbështetja e madhe për Mehdiun, në vend të të atit të tij, Ali Krajës. Sepse Ali Kraja ishte mik i ngushtë me At Anton Arapin e më klerikët e rëndësishëm të klerit katolik në Shkodër, si atë Pjetër Mushkalla e Dom Mikel Koliqi. Asokohe bashkëjetesa fetare nuk ishte propagandë por ishte e kurorëzuar ndër shpirtrat e atyre klerikëve mendjendritur. Padyshim që pas Ali Krajës radha do t’i vinte edhe At Pjetër Mushkallës e Dom Mikel Koliqit, si dhe të gjithë klerikëve të Shqipërisë.

“Babai im ka qenë mik e shok i mirë me At Anton Arapin, i pushkatuar nga regjimi komunist. Babai im, në ceremoninë mortore të poetit të shquar At Gjergj Fishtës, ka mbajtur një fjalim si përfaqësues i klerit mysliman, ku e lartëson figurën e tij në atë pozicion real që ai kishte. Ky fjalim madje është i dokumentuar. Miqësia dhe bashkëpunimi me përfaqësuesit e klerit, zgjeroheshin dhe me At Mikel Koliqin e me At Mushkallën. Madje mbaj mend, që në kohën që im atë vuante dënimin, ata vinin në shtëpinë tonë, më merrnin mua dhe motrën e na këshillonin si prindër. Na shëtisnin e herë pas here, na blinin ëmbëlsira e na shoqëronin sërish në shtëpi. Biles bënim garë me motrën kush ti puthte dorën i parë Atë Pjetrit… Na çonte për të ngrënë pasta. Nuk i harroj ato kohë”, rrëfen mes lotësh Mehdiu.

Nuk e harroi kurrë mirënjohjen për klerikët katolikë që iu bënë baba në kohë të vështira. Kur u rrit, Mehdiu nisi të shkonte të shihte nëpër burgje të atin Ali Krajën, ndërkohë do të burgoseshin e internoheshin edhe klerikët, miqtë e të atit. Padyshim që ai do të bënte të njëjtën gjë edhe për ta, si për të atin.

“Më kujtohet gjyqi i dënimit të At Mushkallës, që u bë në afërsi të Institutit Bujqësor të Kamzës. E dënuan me 10 vjet internim dhe dënimin e ka kryer në kalanë e Gjirokastrës. Gjatë kësaj kohe, e kam vizituar disa herë atje fshehurazi, por ai më këshillonte që të mos shkoja, pasi do kisha fatin e babait në burg nëse më zbulonin. Ai ishte si një baba për mua…”.

Biblioteka

Një ndër detajet shumë të rëndësishme të jetës së Mehdi Krajës është kur iu desh të groposte gjënë e shtrenjtë për të atin, librat e tij. Regjimi bastisi shtëpinë e Hafiz Ali Krajës dhe padyshim çdo libër do të grabitej si dhe sendet e tjera të shtëpisë. Mehdiu ishte djalë i ri në atë kohë por kishte kuptuar se libri i të atit “A e ndalon feja bashkimin kombëtar?”, duhej shpëtuar medoemos. Ishte shumë i shtrenjtë për të atin. Mehdiu mbështolli disa kopje të librit me ç’mundi dhe i groposi në një vend afër shtëpisë. Atje mbolli një pemë fiku si shenjë për të mos humbur vendin ku kishte fshehur veprën e të atit. Është histori shumë interesante e atij libri që pas vitit ‘90 do të përkthehej në shumë gjuhë dhe për t’i renditur si një ndër botimet e Universitetit të Neë Yorkut”.

“Kur autoritetet komuniste bastisën e sekuestruan bibliotekën e babait tim, unë pata mundësinë të ruaj rreth 50 kopje të një libri, që im atë e kishte shumë përzemër. Libri ishte ideologjiko-fetar dhe titullohej: “A e ndalon feja bashkimin kombëtar?”. Mbaj mend që i mora ato libra dhe u mundova t’i paketoja me ç’të gjeja. Pastaj hapa një gropë në oborrin e shtëpisë dhe i futa në të. Sipër tyre mbolla një pemë fiku. Me ardhjen e demokracisë, unë e hapa atë gropë dhe pashë që vetëm 10 kopje kishin mbetur të padëmtuara. Ky libër tashmë është ribotuar në Universitetin e Neë Yorkut, Tetovës dhe nga komuniteti mysliman i Shqipërisë. Ky libër përmbante vlera të larta ideologjike për bashkëpunimin e tolerancën fetare në të mirë të kombit”, rrëfen Mehdi Kraja.

Kërcënimi që vetëburgosi Hafiz Ali Krajën

Kur u lirua babi nga burgu erdhi kryetari i degës së Shkodrës dhe i thanë që të hiqte mjekrën dhe të dorëzonte bibliotekën. Baba i tha: unë nuk shkoj në internim por do ta heq mjekrën, por besimin nga shpirti nuk ma hiqni dot. Por rregullat tuaja unë do t’i zbatoj. Babai im nuk doli kurrë më jashtë dhe vendosi të vazhdojë vetëburgimin në shpi.

Babi im ka teologji, filozofi dhe jurisprudencë. Zotëroi 6 gjuhë të huaja. Frëngjisht, anglisht, gjermanisht dhe arabisht turqisht dhe persisht. Mbaj mend një detaj që frëngjishten e ka mësuar në burg dhe e ka ndihmuar për ta mësuar Beqir Ajazi, vjehrri i Majlinda Bregut.

Publikuar në MAPO

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit