Hyrje në sistemin gjyqësor islam

0
98

Hyrje në sistemin gjyqësor islam

Njeriu në natyrën e vet është qenie shoqërore që nuk jeton dot plotësisht i izoluar nga të tjerët. Njerëzimi si i tillë jeton në një ndërvarësi e cila shpeshherë shkakton grindje atëherë kur ndeshen interesat personale. Kjo gjë manifestohet me konflikte shkaku i të cilëve është privimi ose shkelja e të drejtave të individëve apo grupeve të ndryshme. Në disa raste njëra palë është e fortë dhe mundohet që me agresivitet të shkelë e drejtën e palës së dobët që nuk mund t’i realizon të drejtat që i takojnë.

Për këtë shkak ekzistimi i një sistemi që parandalon padrejtësinë dhe shtypjen është i nevojshëm. Ky sistem do t’ua siguron të dobëtëve gëzimin e të drejtave që ju takojnë duke determinuar të drejtën nga e padrejta. Kjo arrihet me sistemin gjyqësor që ka fuqinë e marrjes së vendimeve legale në rastet e ndryshme të konflikteve.

Për këtë shkak ekzistimi i sistemit gjyqësor, në fenë islame si dhe në fetë e shpallura para Islamit, konsiderohet obligim fetar.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

((لَقَدْ أَرْسَلْنَا رُسُلَنَا بِالْبَيِّنَاتِ وَأَنْزَلْنَا مَعَهُمْ الْكِتَابَ وَالْمِيزَانَ لِيَقُومَ النَّاسُ بِالْقِسْطِ…))

“Ne i dërguam të dërguarit Tanë me dokumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës.” (El Hadid, 25)

Islami si fe e të Dërguarit të fundit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i kushtoi rëndësi të madhe sistemit gjyqësor si dhe personave që janë caktuar për ushtrimin e kësaj detyre madhështore. Kjo fe e mëshirës, barazisë dhe drejtësisë për këtë gjë ka urdhëruar në shumë tekste të Kur’anit dhe Sunnetit.

Në këtë fe njeriu lirohet nga robërimi i tjetërkujt përpos All-llahut, lirohet njëkohësisht nga shtypja dhe padrejtësia dhe në atë gjejnë shembujt më të lartë të drejtësisë dhe lirisë.

I dërguari i All-llahut ishte gjykatësi me i drejtë që njeh historia i cili këtë detyrë e ushtronte në qytetin e Medinës. Ai, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, emëroi disa nga shokët e tij në këtë post dhe ata detyrën e tyre e ushtronin jashta Medinës. Ali ibën Ebi Talibi dhe Muadh ibën Xhebeli me këtë detyrë u dërguan në Jemen.

Në kohën e kalifëve të drejtë (الخلفاء الراشدين) sunduesi ishte ai që caktonte gjyqtarët, qeveriste me punën e tyre dhe mbronte pavarësinë e tyre. Ka raste kur disa sundues lokal (te emëruar nga kalifi) dhe vetë kalifë u nënshtroheshin gjykimit para gjyqtarëve të shtetit Islam. Omer ibën El Hattabi ishte i pari që pavarësoi sistemin gjyqësor (القضاء) nga posti i kalifës (الخليفة) dhe posti i sunduesit lokal (الوالي).

Në këtë mënyrë sistemi gjyqësor vazhdoi të zhvillohet gjatë periudhës Emevite si dhe në fillim të dinastisë Abbasite. Në këtë kohë u promovua posti i kryegjykatësit që e emëronte dhe shkarkonte gjyqtarët. Ai mbikëqyrte sjelljen e tyre si dhe mënyrën e ushtrimit të detyrës. Njeriu i parë që u emërua në këtë posti ishte Ebu Jusufi, nxënësi i Imam Ebu Hanifës, All-llahu qoftë i kënaqur me ta. Pas kësaj ky institucion u përhap në gjithë vendet islame dhe si i tillë ekzistoi deri në fund të perandorisë Otomane.

Historia islame edhe sot kujton emrat e shumë gjyqtarëve që përmenden si simbol i drejtësisë dhe integritetit. Shumë fleta të historisë u janë dedikuar jetës dhe veprës së tyre. Si të tillë në do t’i përmendim Ijas ibën Mua’vije, Shurejh ibën Abdil-lah, El Izz ibën Abdis-Selam që në mënyrën më të mirë aplikuan mësimet islame në fushën e drejtësisë.

Ata ishin një model i gjallë si duhet të sillet një gjykatës mysliman.

Pasi që diskutojmë për sistemin gjyqësor në Islam duhet përmendur faktin që Islami vendos direktiva të gjëra si dhe parime themelore që kanë të bëjnë me jetën dhe shumë rralle angazhohet me detaje të hollësishme të jetës. Kjo është ashtu sepse direktivat të tilla do të mbesin relevant për çdo kohë dhe vend.

Një prej udhëzimeve të tilla është obligueshmëria e vendosjes së drejtësisë në mesin e njerëzve duke e patë si bazë legjislacionin Islam.

Në faqet vijuese do t’i prezantojmë elementet më të rëndësishme të sistemit gjyqësor Islam.

Përshtati: Talha Kurtishi
www.ALBISLAM.COM