7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

HRW: Izraeli po largon palestinezët nga Jerusalemi

Më të lexuarat

“Izraeli po kufizon rritjen e popullsisë së okupuar palestineze. Ky realitet pasqyron qëllimin e qeverisë izraelite për të mbajtur një shumicë hebraike të fortë në qytet”, thuhet në raport

JERUSALEM (AA) – Izraeli është duke i shtyrë banorët palestinezë të Jerusalemit të largohen nga shtëpitë e tyre përmes një politike transferimi sistematik që shkel ligjin ndërkombëtar, tha të martën organizata për monitorimin e të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një raport të ri, organizata joqeveritare me bazë në Nju Jork tha se revokimi i shpeshtë i lejeve të qëndrimit të palestinezëve, krahas shkatërrimeve të shtëpive dhe kufizimeve mbi ndërtimet palestineze në qytet, ka shërbyer për të rritur numrin e vendbanimeve hebreje të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në Jerusalemin Lindor të okupuar.

“Izraeli po kufizon rritjen e popullsisë së okupuar palestineze. Ky realitet pasqyron qëllimin e qeverisë izraelite për të mbajtur një shumicë hebraike të fortë në qytet”, thuhet në raport.

Në raport më tej qëndron se “Sistemi (izraelit) i banimit (në Jerusalem) imponon kërkesa të vështira ndaj palestinezëve për të ruajtur statusin e tyre, me pasoja të mëdha për ata që nuk i plotësojnë ato”.

Raporti vazhdon të theksojë se, bazuar në shifrat e siguruara nga Ministria e Brendshme e Izraelit, “midis fillimit të okupimit izraelit të Jerusalemit Lindor në vitin 1967 dhe fundit të vitit 2016, Izraeli ka revokuar statusin e së paku 14.595 palestinezëve nga Jerusalemi Lindor”.

Sarah Leah Whitson, drejtoresha e HRW-së për Lindjen e Mesme, citohet në raport duke thënë se “Izraeli pretendon ta trajtojë Jerusalemin si një qytet të unifikuar, por realiteti është se ekzistojnë një sërë rregullash për hebrenjtë, dhe një sërë tjetër për palestinezët”.

“Diskriminimi i rrënjosur ndaj palestinezëve në Jerusalem, duke përfshirë politikat e banimit që rrezikojnë statusin e tyre ligjor, nxit largimin e banorëve të qytetit”, ka shtuar ajo.

Sipas Whitson, përpjekjet e autoriteteve izraelite për të siguruar një shumicë demografike hebraike në Jerusalem do të thotë që banorët palestinezë të qytetit shpesh detyrohen të jetojnë si të huaj në shtëpitë e tyre.

“Statusi i palestinezëve mbetet i sigurt vetëm për sa kohë që nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të udhëtuar jashtë vendit për të studiuar ose punuar, për të shkuar në lagjen e gabuar, ose për të marrë status në një vend tjetër”, citohet të ketë thënë ajo.

Izraeli fillimisht okupoi Bregun Perëndimor palestinez, përfshirë Jerusalemin Lindor, gjatë Luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967. Ai aneksoi tërë qytetin në vitin 1980, duke e cilësuar atë si kryeqytetin e shtetit hebre, një hap që asnjëherë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare.

E drejta ndërkombëtare vazhdon ta konsiderojë Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor si “territore të okupuara” dhe i konsideron të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve hebraike në këtë territor si ilegale.

Palestinezët akuzojnë Izraelin se zhvillon fushatë për të “judaizuar” qytetin historik me qëllim të zhdukjes së identitetit historik arab dhe islam të tij dhe në fund dëbimit të banorëve palestinezë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit