Hoti: Më binden se Ibrahim Rugova ishte tradhtar

0
64

Kishte marrë pjesë në tri luftërat e ushtrive çlirimtare shqiptarë, në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, por thotë se u keqpërdor nga njerëz të fuqishëm në Kosovë që të bënte atentat në ish- Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

Agim Hoti, që në UÇK kishte pseudonimin “Hoxha” e që tashmë publikisht e fajëson veten si atentator i Rugovë, në një intervistë për Indeksonline ka dhënë arsyet e pranimit të kësaj “pune”, që sipas tij ia kishte besuar njeriu i partisë së Hashim Thaçit, deputeti Xhavit Haliti
Megjithëse kishte marrë edhe para, ai thotë se motivi që e shtyri ta bënte atentatin ndaj ish-Presidentit Rugova ishte shumë më i madh.
“Jam pjesëmarrës i tri luftërave shqiptare, në Kosovë, Preshevë dhe Maqedoni. Ata (i referohet Xhavit Halitit, Agron Haradinajt dhe Artan Nimanit) kanë thënë që Ibrahim Rugova është tradhtar”, thotë Hoti për Indeksonline dhe arsyeton se denoncimin tash nuk po e bënë për hakmarrje por vetëm për të zbardhur të vërtetën.
Por ai thotë se këtë punë nuk e kishte bërë i detyruar, por i mashtruar.
“Unë realisht në kohën kur tentova ta vras Presidentit Rugova e kam konsideruar tradhtar, mirëpo sot jam i zhgënjyer me faktin se ata po ia ngjesin autostradës emrin Dr. Ibrahim Rugova, sheshin Dr. Ibrahim Rugova, po shkojnë para varrit të tij po përkulen, po bëjnë koalicione me partinë e tij, e deri dje më thoshin vraje se është tradhtarë, spiun i UDB-së, nuk e njeh UÇK-në” shprehet për Indeksonline Hoti.
Megjithëse këto akuza ia ka mohuar deputeti Xhavit Haliti nëpërmjet një komunikate për shtyp, “Hoxha” këmbëngul se rrëfimi i tij është i vërtetë.
“Kam biseduar me hetues të EULEX-it, kanë thënë se do të jenë të shpejt. Unë i kam të gjitha faktet, dëshmitë edhe qëndroj prapa të dy atentateve, prapa këtyre qëndrojnë kam thënë edhe e themë publikisht, është Xhavit Haliti, Agron Haradinaj dhe Artan Nimani”, thotë Hoti për Indeksonline, por nuk specifikon se për çfarë provash bëhet fjalë.
Mundohet të jap detaje për të bindur që padyshim ishte ai atentatori.
“Në atentati kundër ish-Presidentit Rugova, më 12 mars 2004, është bomba Jugosllave që e kam gjuajtur, pikëtakimet, të gjitha këto i kam. Mes natës 14 dhe 15 marsit 2005 mbrapa Teatrit Kombëtar, e kam vendos bombën në një kontejner”, rrëfen Hoti për Indeksonline copëza detajesh nga aksionet e tij kundër ish-Presidentit Rugova.
Ai thotë se paratë kishin ardhur nga jashtë Kosovë për ta paguar atë, dhe se ishin këmbyer në euro në Shqipëri.
“Mua 5 mijë euro mi kanë dhënë Agron Haradinaj. Ato fillimisht ishin ardhur si kuruna suedeze, e ata kanë shkuar në Shqipëri me Mercedes 190 ngjyrë e bardhë dhe i kanë këmbyer në euro.
Për këtë punë kanë shkuar Agron Haradinaj, Artan Nimani edhe Mimoza Krasniqi dhe i kanë bërë euro edhe jemi takuar në parkingun e Grandit, katin përdhese, dhe aty Agron Haradinaj dhe Artan Nimani, mi kanë dhënë 5 mijë euro, 500 nga të cilat mi kanë dhenë si “parë xhepi”. Më kanë thënë mbaji se të duhen”, rrëfen Hoti, dhe sqaron e Mimoza Krasniqi është e afërme deputetit të Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, që po ashtu ka disa asete publike e shoqërore që i ka marrë në pronës përmes privatizimit.
Ai tregon pak edhe si i ka shpenzuar paratë që i fitoi me “duart e forta” në atentatin kundër ish-Presidentit Rugova.
“Unë 3.500 euro e kam blerë topin e dorës dhe 1.200 euro e kam ble një kerr BMV M5, edhe kam dëshmi për këto”, thotë Hoti.
Me gjithë dëshmitë që pretendon se ka, e dijë që rrugën deri sa ti qon prapa grilave personat e lartcekur, siç beson që do të ndodh, nuk do ta ketë të lehët.
“Faji është jetim. Askush nuk e pranon fajin, por faktet që unë i kam do të dalin në shesh dhe do të denoncohen kriminelët dhe të dërgohen prapa grilave aty ku e kanë vendin” thotë ish-ushtari i tri ushtrive çlirimtare të shqiptarëve, ushtari “Hoxha”.
Megjithëse në karrocë, Hoti beson që edhe burgun të cilin është duke e mbajtur tash, për atentatin ndaj Anton Berishës, e ka të lidhur politikisht
“Unë jam në karrocë invalidore që 5 vite, jam në burg për atentatin kundër Anton Berishës, edhe prapa këtij sulmi qëndron Xhavit Haliti, Etrur Rrustemi, ish shefi i PTK-së, Agron Haradinaj edhe Rexha, ish pronar i Kujtesës”, thotë për Indeksonline Agim Hoti.
Thotë edhe se për Prokurorinë është i gatshëm që edhe në 3 të natës me ju ofroi faktet dhe argumentet. “I posedoj prej A-së deri në Zh, me fakte me argumente me të gjitha”, thotë Hoti dhe pret që Prokuroria ti afrohet
Edhe pse nuk e fajëson plotësisht për atentatin kundër Anton Berishës, Artan Nimani, që ishin të akuzuar së bashku në këtë rast e që tash nuk është më në burg, e denoncon si biznesmen të dyshimtë.
“Artan Nimani i ka qel dy fakultete, një në Prishtinë e një në Gjakovë, dhe është dekan në Universitetin e Biznesit. Ato para i ka bërë “në kurriz temin”, thotë Hoti për Indeksonline.
Hoti: Ia lypa 100 mijë euro Xhavit Halitit
“Unë ia kam lyp 100 mijë euro Xhavit Halitit, sepse mua 100 mijë euro më kanë shkuar veç derivate familjarë të mi për me ardhë me më pa”, thotë Agim Hoti i pyetur se a të ka ofruar ndonjë person ndihmë për tu liruar nga burgu.
“Vëllai im bashkë me djalin e motrës kanë shkuar dhe janë takuar me Xhavit Halitin, ai i ka thënë po, për dy-tri ditë ta kryej punën. Janë bërë dy jave e nuk ka kryer këtë punë, e unë thash i ka vdek nana kësaj pune”, thotë Hoti duke bërë me dije se këto para ja ka kërkuar pasi ka rënë në burg për atentatin ndaj Anton Berishës.
“E kam thirr, i kam dërguar mesazh, nuk më është lajmëruar”, përfundon rrëfimin e tij për Idneksonlin Agim Hoti duke tentuar të dëshmoi se njihet mirë me deputetin e PDK-së. /Indeksonline/kohaislame