Hoteli i Pacollit merr “hise” në Sheshin “Ibrahim Rugova”

0
48

Nisja e punimeve për rregullimin e sheshit “Ibrahim Rugova” ka nxjerrë në pah konfrontimin e planeve të Komunës së Prishtinës me gjendjen reale në terren, shkruan sot “Koha Ditore”

. Nuk janë vetëm rrethojat e hekurta të Kuvendit dhe të Qeverisë ato që po e bëjnë që ky shesh të mos mund të këtë shtrirjen e paraparë, por problem dhe pengesë ka dalë të jetë edhe hapësira afër ish-hotelit “Iliria”, e cila është privatizuar dhe ristrukturuar nga biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër në Qeverinë Thaçi. Hapësira afër këtij hoteli, e gjerë 15 metra dhe e gjatë afro 100 metra është rregulluar para gjashtë muajve nga përgjegjësit e hotelit, pa qenë të autorizuar për një gjë të tillë. Në bazë të skicave të Komunës së Prishtinës tregohet se hapësira në fjalë është pronë publike që menaxhohet nga komuna. “Ajo hapësirë në bazë të të dhënave në Drejtorinë e Infrastrukturës është publike dhe kësisoj menaxhohet nga komuna dhe do të inkorporohet në sheshin ‘Ibrahim Rugova’”, ka thënë Asdren Osaj, zëdhënës i Komunës së Prishtinës. Sipas tij, hapësira në fjalë është rregulluar nga përgjegjësit e hotel “Ilirisë”. Ky i fundit nuk ka arritur të saktësojë nëse komuna do të punojë gjatë ndërtimit të sheshit edhe në hapësirën ku ka investuar kompania “Mabetex” gjatë ristrukturimit të ish-hotel “Ilirisë”. Paqartësi në lidhje me hapësirën në fjalë ka edhe kompania punëkryerëse “ABC” dhe “Allzone”. Por shitësit e ish-hotelit “Iliria”, AKM-ja, (tashti AKP-ja) nuk kanë mundur të enjten të saktësojnë nëse përgjegjësit e hotelit kanë pronësi afër hotelit të privatizuar, i cili tani po del si hapësirë e rregulluar nga përgjegjësit e këtij hoteli.

Njëri nga përgjegjësit e kësaj kompanie i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se në bazë të planeve që janë hartuar nga komuna rezulton se në hapësirën përreth hotel “Ilirisë” ka qenë e paraparë të punohet, por tani gjërat kanë ndryshuar.

Për sheshin “Ibrahim Rugova” qe thënë se 40 për qind e hapësirës totale të shesheve do të jenë hapësira të gjelbëruara, pjesa tjetër do të shtrohet me granit, si dhe do të modifikohen disa pjesë të hapësirave. Kësisoj, është paraparë që brenda sheshit “Ibrahim Rugova” shtatorja e Skënderbeut të rimodelohet së bashku me hapësirën përreth. Përballë Teatrit Kombëtar do të ngrihet një fontanë, e cila përveç kësaj do të mund të shndërrohej edhe në pistë defilimi. Në mes dy institucioneve, atij legjislativ dhe ekzekutiv, do të ngrihet shtatorja e ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Në shesh do të ngrihet edhe këndi i të pagjeturve. Përgjatë gjithë sheshit do të këtë ulëse të zakonshme për qytetarët. Po ashtu janë paraparë ngritja e banjave publike, si dhe ndriçim shumëngjyrësh/koha/kohaislame