Historiku i tërmeteve, cilët ishin 10 më shkatërrimtarët në Shqipëri

0
130

10 tërmetet më të fuqishëm që kanë goditur Shqipërinë, janë regjistruar zyrtarisht duke nisur nga viti 1851, kur si pasojë e lëkundjeve në Berat humbën jetën 400 persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Dëmet materiale qenë të mëdha.

4 vite më vonë, në verën e 1855-ës tërmeti goditi Shkodrën dhe rrethinat e saj. Në 22 dhjetor të 1919-ës, lëkundjet tronditën zonën e Leskovikut, Konicës dhe zonat kufitare me Greqinë ndërsa nuk pati të dhëna për viktima, por dëmat ishin të mëdha.

Një vit më vonë, ishte radha e Elbasanit, ku u regjistrua një tërmet, i cili shkaktoi 14 viktima, mbi 300 të plagosur dhe shumë shtëpi të shkatërruara.

Në 30 mars të 1921-shit, lëkundjet u ndjenë në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, por nuk pati të dhëna për dëme në njerëz, ndërsa dhjetëra shtëpi u rrënuan. Katër vite pas çlirimit të vendit, në gusht të 1948-ës, zona e Shkodrës u prek nga tërmeti dhe atëherë u raportuan një i vdekur dhe 27 të plagosur, por edhe dëme të mëdha, ku ndër të tjera dëmtime të shtratit të Bunës.

Në 1 shtator të 1959-ës, tërmeti përfshiu zonën e Myzeqesë. Në total janë dëmtuar 944 shtëpi, ndërkohë që shkatërrohen shumë objekte të tjera.

Pas 8 vitesh një tërmet i fortë tronditi zonën e Librazhdit dhe Dibrën e Madhe në Maqedoni. Atëherë u shënuan 12 të vdekur dhe 174 të plagosur, si dhe mbi 6,336 ndërtesa të shkatërruara.

Më 15 prill të 1979-ës një tërmet 8 ballë, i shkallës rihter, goditi Shkodrën duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. Fatkeqësisht 40 persona humbën jetën në Shkodër dhe Lezhë, ndërsa u dëmtuan mbi 17 mijë shtëpi dhe objekte social-kulturore.

Tërmeti i fundit i fortë është regjistruar në Tiranë në janar të 1988-ës, ku dëmet kryesore ishin në fshatrat Arbanë dhe Petrelë.