Historia e Organizatës Politike: bija e MJAFT dhe betejat e simuluara kundër Veliajt

0
79

Ndonëse shumë shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë vetëm kohët e fundit kanë filluar të dëgjojnë për Organizatën Politike, dhe jo të paktë janë gazetarët e mirëpaguar që mbrojnë me patos kryetarin e saj Arlind Qorri, pakkush i njeh fillesat dhe domethënien e kësaj organizate.

Për të kuptuar origjinën e Organizatës Politike, akrepat e orës duhen kthyer mbrapsht në vitin 2010 dhe vëmendja duhet përqëndruar tek dy ish-anëtarët e organizatës së mirëfinancuar MJAFT, Leart Kola dhe Andi Kananaj, të cilët asokohe vetëquheshin “neomarksistët” e Shqipërisë.

Ish-djemtë e MJAFT-it dhe ish-kryetarët e organizatës së themeluar nga treshja Veliaj-Fuga-Mazniku, kishin marrë përsipër të mblidhnin forcat që PS të vinte në pushtet.

Njëra nga këto lëvizje lidhej me krijimin e një Organizate Politike me fokus edukimin politik sipas bindjeve të ekstremit të majtë, të cilat që do të shërbenin si një mbështetje shtesë mes të rinjve për ta katapultuar më mirë Partinë Socialiste në pushtet. Duhej thënë se PS në pushtet për marksistët e OP ishte thjesht një hap në drejtimin e duhur drejt “revolucionit”.

Ishte pikërisht Leart Kola i cili në ambjentet e tij do të mundësonte mbledhjen e parë të organizatës “politike” duke e pagëzuar vendin ku ajo mblidhej me emrin “Logu i Shkëndijës”.

Synimi i lëvizjes ishte indoktrinimi i të rinjve me ideologji marksiste, e cila shihej si më e përshtatshmja për të zgjidhur problemet e mëdha të pabarazisë shoqërore në rritje. Por në fakt, përdorimi i marksizmit do të bëhej për të angazhuar dhe karikuar si paramilitarë “të shoqërisë civile” aktivistët që do të mbushnin protestat e PS-së. Dhe, për të gjithë ata marksistë që sot kanë guximin të mos mbyllin sytë para rezultatit të punës së tyre, Edi Rama në pushtet, çeta e tij e oligarkëve, batalioni i tij i kriminelëve dhe pasuria e tij vetjake qindramilionëshe, duhet të quhet padyshim si ironia më e madhe e historisë.

Të gjithë i mbajmë mend skenat e dhunës të ushtruar më 21 janar 2011, po ashtu të fiksuar në mendje kemi Veliajn, Kolan dhe Kananajn që lyejnë me bojë të kuqe gjaku protestuesit, në mënyrë që të luanin sa më mirë me emocionet e njerëzve.

Pas kësaj, dyshja themeluese e OP vazhdoi të shfaqej në emisionin e Arjan Çanit, Zonë e Lirë, si një grup revolucionarësh salloni nën epitetin “Radikalët e Majtë”. Në fakt të përkëdhelurit e televizioneve dhe përfituesit e parave të donatorëve Kananaj dhe Kola, e kishin shumë të lehtë të luanin role prej Che-Guevare; por ndryshe nga Che-Guevara i vërtetë, lufta e tyre për fitoren e komunizmit do të zhvillohej në kushte shumë komode; me party me pije falas, me trajnime sipas dëshirës, dhe një jetë në të cilën atyre nuk u kërkohej aspak për të aplikuar për të fituar një punë, të cilën e kishin të siguruar, bashkë me kushtet më komode.

Ishin po këta “radikalë të majtë” që në vitin 2013 protestuan dhunshëm gjoja në mbështetje të Protestës së Taksimit në Sheshin Nënë Tereza.

Ishin po këta radikalë të majtë që në gusht 2011 protestuan, në praninë e Arlind Qorrit, kundër ardhjes së Ministrit të Jashtëm izraelit Avigdor Lieberman te Piramida.

Organizata Politike, ky grup sulmi i avantgardës revolucionare, ishte në fillesat e saj një organizatë që më shumë përdorej si një brigadë sulmuese e shoqërisë civile se sa një forum që shërbente për të artikuluar një mendim të saktë politik.

E krijuar për qëllime guerriljeje politike, e motivuar sipërfaqësisht me ideologji leniniste dhe e veshur me citate të Marksit dhe Engelsit, e organizuar si një detashment gati ushtarak, OP ishte fillimisht thjesht një manivelë nën kontrollin e Kolës dhe Kananajt. Ndërsa dyshja Kola-Kananaj kishte në dorë ‘çekun e bardhë’ për të indoktrinuar të rinjtë gjoja përtej politikës, çifti tjetër i njohur si Koka-Kola (e përbërë nga i njëjti Leart Kola dhe e famshmja Joleza Koka, ish-kryetarja e FRESSH, ajo që u gjend një ditë pa pritur e pa kuptuar poshtë pallatit të Sajmir Tahirit) angazhohej në krijimin e urave të varura madhështore midis rinisë “marksiste” të OP dhe asaj “të rrugës së tretë” të PS.

Në vitin 2013 kjo organizatë do të lihej në “stand by” nga Kola dhe Kananaj që me ardhjen e Rilindjes në pushtet dhe Mësuesit të tyre Veliaj në krye të Ministrisë së Rinisë do të fitonin nga një pozicion bordi apo drejtori rinie.
Dyert e organizatës thuajse u mbyllën dhe ajo mbeti në dorën e “pasardhësit në detyrë” të Kolës dhe Kananajt. Ai ishte Arlind Qorri.

Në vitin 2014 nën udhëheqjen e saj të re, OP organizoi një protestë me rreth 10 persona përpara kryeministrisë dhe në krye të saj ishte Qorri. Protesta u zhvillua pikërisht në 21 Janar dhe në foto ishte Ilir Meta.
Zëri i kësaj organizate ishte i panjohur, personazhet e kësaj organizate u bënë të famshëm më së shumti në protestat me numër të vogël studentësh mbi të ashtuquajturën “Reformë në Arsim”.

Asokohe dyshja kryesuese e OP ishte Qorri dhe Marka. Do të ishte BIRN me artikujt e shumtë romantikë në favor të tyre që do të promovonte këtë organizatë, që mbahej me fondet të cilat vinin më së shumti nga Fondacioni marksist gjerman Roza Luksemburg.

Ndërsa Ligji për Arsimin e Lartë që u kundërshtua jo vetëm nga OP por edhe nga pedagogë të nderuar dhe shumë studentë të tjerë që mund të ishin gjithçka, por jo neomarksistë, ligji gjithësesi u miratua në parlament nga PS.

Me miratimin e ligjit, u arritën të gjitha objektivat “revolucionarë” të Partisë Socialiste; ligjin ajo e miratoi, ndërsa meritën për “ekskluzivitetin” e kundërshtimit të tij, e mori Organizata Politike. Në atë kohë, zyrtarë të caktuar të PS, të ardhur nga të njëjtat ujëra të turbullta të MJAFT, e adhuronin liderin e opozitës idealiste që ngrinte zërin kundër qeverisë së tyre: ky ishte Arlind Qorri, i cili pas Erionit të panjollë të neoliberalizmit, ishte Mesia e dytë e neomarksizmit.

Në ekranet televizive, pas të riut premtues “Lalit” Veliaj, nisi të shfaqej tribuni i popullit, “shoku” Arlind Qorri ndërkohë që pakkush dinte se kush ishte ai dhe çfarë të shkuare kishte.

Sa më shumë dilte në dritë Qorri aq më shumë e vërteta e tij fshihej pas deklarimeve evazive, ligjërimi i tij fokusohej në tezat populiste, marksiste dhe barazitiste që kurrë nuk gjetën mbështetjen popullore të kërkuar.
Menjëherë pas sigurimit të ekskluzivitetit të protestave kundër Ligjit për Arsimin e Lartë, Organizata Politike në vitin 2016 u fokusua në betejën për “mbrojtjen” e Parkut të Liqenit.

Të përgatitur për t’u lidhur pas njëri tjetrit në skena të denja për një film me debatikas, OP arriti të ishte pjesë kryesore e fotove dhe raportimit mediatik që mbulonin reagimin qytetar njësoj sikundër “aktivisti” Eljan Tanini.
Vullnetarët marksistë të OP-së ishin të prirur që betejën për Liqenin mos ta zgjeronin, por ta mbanin gjithnjë e më të vogël. Ata kishin për detyrë që të bënin zhurmuesin sa herë që dikush i panjohur apo i konsideruar si i rrezikshëm prej tyre ndodhte të merrte mikrofonin. Kjo vlente për rastet kur nuk arrinin të pengonin marrjen e mikrofonit. Me aksion të përqendruar ata vunë disa herë në pozitë të vështirë edhe aktivistë qytetarë përballë me policinë.

Me këngë çetash partizane ata kërkonin largimin e politikës nga protesta e qytetarëve, ndërsa sa herë që qytetarët e protestës sulmoheshin nga policët bashkiakë të Veliajt apo policët shtetërorë të Tahirit, OP strehohej diku për të mos reaguar.

Tërheqje të tilla reale që shoqëroheshin me heroizma virtuale para kamerave dhe lenteve të aparatëve fotografikë ishin një tjetër tentativë për t’u shfaqur heroikë në sytë e publikut.

Liqeni, siç të gjithë e dimë, u betonua nga Erjon Veliaj ndërsa shoku i OP-së Eljan Tanini pikturoi muret e Ministrisë së Arsimit, pasi fitoi një tender dhe iu dha gjithashtu në vijim leja të zhvillonte projekte e instalacione në hapësira të lakmuara në Liqenin Artificial apo në zona qendrore të Tiranës.

Arlind Qorri dhe shokët e shoqet e OP kurrë nuk ia përmendën emrin renegatit Tanini, madje as për ta kritikuar, ndonëse pastërtia e tyre morale është një pasaportë me të cilën duan të hynë kudo.

Një vit pas protestës së Parkut të Liqenit, e njëjta organizatë u angazhua të mbështeste protestën e naftëtarëve dhe atë të banorëve të Zharrzës.
Ishte e njëjta organizatë (a)politike që i keqdrejtoi banorët ndërsa opozita politike i ofroi një mbështetje që do të shkonte më shumë se sa një takim i tyre me ministrin Gjiknuri. OP, ndoshta nga frika se mos këta qytetarë bashkoheshin në çadrën e opozitës, bëri çmos për t’i larguar nga opozita dhe për t’i çuar në një takim të pakuptimtë me Gjiknurin.

Sot e kësaj dite naftëtarët nuk kanë marrë rrogat, qytetarët e Zharrzës nuk kanë marrë dëmshpërblimin.
Të njëjtën skemë të shëmtuar “marksistët” e OP u përpoqën të ndiqnin me protestën në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, edhe pse tek ky i fundit ata nuk mundën të merrnin nën kontroll situatën dhe u nxorrën jashtë me turp nga organizatorët.

Për çudinë e të gjithëve, e vetmja kauzë prej të cilëve marksistët e OP u përzunë, është e vetmja kauzë deri më sot e fituar nga qytetarët.

Teatri Kombëtar sot mbetet në këmbë!

Pas largimit të themeluesve të saj Kola-Kananaj, e nisur si një produkt i MJAFT-it, Organizata Politike shumë shpejt i rriti dozat e ideologjisë. Ajo tashmë nuk synonte të pasuronte drejtuesit e saj duke u nginjur me fonde donatorësh, siç bënte MJAFT-i. Përkundrazi, Organizata Politike synoi të ngrinte imazhin e një kolektivi të përkorë shoqesh dhe shoqesh, që mblidheshin në mjedise të varfra dhe thurnin ëndërra revolucionare! Në këtë mënyrë, shumë të rinj, të neveritur nga vjedhjet e OJQ-ve si MJAFT-i, ranë brenda rrjetës së iluzionit se po kontribuonin brenda një bashkësie mesianike patriotësh të varfër egalitaristë, që do të shpëtonin Shqipërinë dhe luftonin deri në vdekje, me grushtin lart, oligarkinë.
Në fakt, gjithçka që kjo bashkësi idealistësh marksistë ka arritur deri tani, është sabotimi i kauzave qytetare dhe mbajtja, pas një fasade kritikash dhe gjuajtjesh me vezë, të PS në pushtet. Nëse Edi Rama shan “Qorrin”, ai që dëmtohet më pak është Rama, dhe ai që përfiton më shumë publicitet është Qorri. Të gjitha protestat e OP, vezët kundër Ramës dhe bërtitjet kundër të tijve, OP-istët i mbajnë si dekorata lufte e si tituj nderi, që u garantojnë atyre virgjërinë “politike”. Por politikisht, Organizata Politike mund të jetë gjithçka, përveçse e virgjër.

Në një video të shpërndarë këto ditë vërehet qartë se mekanizmat e Organizatës Politike për të arritur pushtetin lidhen ngushtë me çuarjen e protestave qytetare drejt dështimit për të pjekur kushtet që do shkaktonin shpërthimin e një revolucioni “proletar”. Ideja që “ideologët” e OP u shesin ndjekësve të tyre, disa prej të cilëve janë vërtet të varfër dhe idealistë, është pak a shumë kjo: pasi të ndriçohet me idetë e Marksit dhe taktikat e Leninit, avantgarda revolucionare e OP, në aleancë taktike me parti të qendrës së majtë si PS, do të krijojnë parakushtet për… fitoren e revolucionit proletar (!)

OP është e prirur, pavarësisht kritikave, të preferojë të mbajë në krye të qeverisë një forcë të majtë të dorës së dytë si PS ose një dordolec të rrugës së tretë si Veliaj, pasi (medemek) vetëm kështu mundet të forcohet për ta marrë më pas vetë pushtetin dhe të shpëtojë shoqërinë. Synimi i OP nuk është një qeverisje e mirë tani. Synimi është pushteti pastaj. Pra gjithka shihet në perspektivën afatgjatë, në atë perspektivë të largët, siç shprehej një ekonomist, në të cilën “të gjithë do kemi vdekur”. Por krerët e OP nuk janë aspak të marrë. Ata pushtetin e duan relativisht shpejt, por natyrisht, për veten e tyre dhe për ata që i kanë pjellë si organizatë. Nuk ka njerëz më praktikë në jetën reale sesa ata që shtiren si idealistë të mëdhenj.

Me metodën e ndjekur, liderët e OP të kujtojnë pararendësit e tyre komunistë të viteve ’40 të cilët mbajtën në fshehtësi qëllimet e tyre finale, pushtetin e morën me të tjera qëllime të proklamuara të ndërmjetme, duke tërhequr të rinj idealistë, të cilët më pas i plasën nëpër burgje si krejt pjesën tjetër të popullsisë që ishte kundër tyre që nga fillimi.
Sot kjo organizatë, pavarësisht ankimeve dhe psherëtimave të adhuruesve të saj, që trishtohen pa masë kur u shahet lideri mistik, funksionon më së miri si një valvul sigurese politike dhe pseudoideologjike që mban të sigurt në pushtet PS. Kryetarët e saj, sidomos Qorri, janë krijesa të dala nga laboratorët e MJAFT. Ata sot adhurohen si idealistë të jashtëzakonshëm, si mesiat e revolucionit që në një të ardhme të largët do të sjellin ndryshimin, por që në të tashmen do të bëjnë gjithçka për të mbajtur në pushtet PS, diçka të ngjashme me PS, dhe në të nesërmen çfarëdolloj pjelle politike që planifikohet t’i zëvendësojë ato.

Për ta kuptuar më mirë OP, mjafton të shikosh se si promovuesit e saj, në mediat e mirëpaguara nga donatorët, si përshembull BIRN, apo mbështetësit e saj nëpër qarqet studentore dhe pedagogjike dhe nëpër shoqërinë “civile”, nuk janë as më shumë e as më pak se ish kryetarët e organizatës MJAFT, njerëzit rreth saj, si dhe të tjerë “gazetarë”, “pedagogë” apo “aktivistë” të majmur nga fonde që ata vetë i dinë shumë mirë se nga i kanë marrë.

Të rinjtë “pabuksa”, të cilët përbëjnë ushqimin bazë për rritjen në përmasa të organizatës, joshen prej tyre në auditoret universitare, socializohen dhe përdoren në kamikaze protestash që duhet të përvetësohen në funksion të arritjes së qëllimit të rradhës.

Përpjekjet e Organizatës Politike për të zaptuar kauzat e qytetarëve nën thirrjen “JO POLITIKËS!” janë as më shumë e as më pak se sa skemat e Veliajt për të qenë një politikan vizionar dhe për të shkëlqyer si kryetar bashkie. Me jopolitiken ata duan të heqin qafe cilindo rival të mundshëm politik në rrugën e tyre drejt pushtetit që duhet të jetë e mbetet e pacënuar. Nëse sot OP mburret se ka akuzuar Erjon Veliajn për vdekjen e të riut Ardit Gjoklaj, mjafton të kujtohemi për faktin se pas akuzave të OP Veliajt nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. Nëse sot OP mban si dekoratë nderi “protestën e saj” tek Liqeni, mjafton të kujtohemi se sa punë i prishi realisht OP projektit të Veliajt tek Liqeni.

Njerëzit kyçë të Organizatës Politike kanë vite që përgatiten për performancat me të cilat i kemi njohur nëpër protesta e daljet e tyre mediatike. Ndërsa qytetarët e përfshirë në kauza të ndryshme, në mënyrë të pastër kanë luftuar për të mbrojtur të drejtat e tyre, OP-istat kanë luftuar për vrasjen e cilësdo kauze qytetare që u ka dalë përpara, duke përdorur për këtë koordinim e metoda që gjenden nëpër manualet më moderne të gueriljes politike.

Historia e OP-së dhe shndërrimi i saj nga një çetë guerrile parapolitike për të ndihmuar protestat e PS në një organizatë politike për të mbajtur në jetë me serume dhe suposta këtë parti, është metamorfoza e radhës me të cilën Rama dhe të tijtë po përgatisin shndërrimin e PS-së.

*Marrë nga The Albanian Conservative Club