Hetohen 84 policë për vepra penale

0
30

Për katër muajt e parë të këtij viti, 84 policë janë duke u hetuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës. Ata dyshohen për vepra të ndryshme si keqtrajtim të qytetarëve, vjedhje, krim të organizuar, falsifikim apo dhunë në familje. Në një rast, ky mekanizëm i brendshëm i policisë ka arrestuar një polic si të dyshuar për trafikim me njerëz dhe prostitucion.

Një polic i Kosovës në Ferizaj është arrestuar si i dyshuar për trafikim me njerëz dhe mundësi prostitucioni.

Ky arrestim u mundësua nga Departamenti i Hetimeve të Inspektoratit të Policisë, në bashkëpunim me Policinë dhe me autorizim të prokurorit. Arrestimi u bë ndërmjet periudhës janar-prill të këtij viti, raporton Express.

Për këta katër muaj, Departamenti i Hetimeve në Inspektorat ka suspenduar po ashtu edhe shtatë zyrtarë policorë.

Në një raport të Inspektoratit për katër muajt e parë të vitit, mësohet se Departamenti ka pranuar 84 raste për hetim nën dyshimin se zyrtarët policorë kanë kryer vepra penale.

Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Inspektorat, Jetullah Aliu tregon se nga 84 rastet e pranuara, për 27 raste, pas hetimit janë ngritur kallëzime penale në prokuroritë kompetente. /Telegrafi/kohaislame